Ndërlikimet që shkaktohen nga anemia tek fëmijët

Shëndetësia

Ndërlikimet që shkaktohen nga anemia tek fëmijët

Më: 1 gusht 2021 Në ora: 12:31
Foto ilustrim

Një ndër problemet më të shpeshta shëndetësore që shfaqet tek fëmijët e moshës 1-5 vjeç është mungesa e hekurit, që është edhe forma më rëndë e anemisë, sidomos tek fëmijët 6-24 muajsh, si dhe tek adoleshentët, apo edhe gratë shtatzëna.

Kjo pasi në këto periudha nevoja për hekurin është fiziologjikisht më e madhe, ndërsa sasia e marrë nëpërmjet ushqimit, apo shtesave nuk plotëson nevojat e përcaktuara.

Ndër më të rrezikuarit për të vuajtur nga kjo gjendje janë fëmijët që janë ushqyer me qumësht lope para moshës 12 muaj, po ashtu edhe ata që konsumojnë sasi të mëdha qumështi lope përkatësisht mbi 500 ml në ditë.

Mjaft të rrezikuar për të vuajtur nga anemia janë edhe fëmijët që kanë një ushqyerje të paekuilibruar dhe të varfër në lëndë ushqyese, si dhe kur marrin pak ushqime që përmbajnë hekur, siç janë mishi dhe të brendshmet e tij, perimet jeshile dhe drithëra të fortifikuar me hekur.

Janë një sërë simptomash që ju ndihmojnë të kuptoni nëse fëmija juaj rrezikon nga anemia në këtë moshë.

Konkretisht, mjekët vënë në dukje se në rastet kur anemia është prezente, fëmija manifeston simptoma të tilla, si: mungesë të oreksit, letargji që shoqërohet me gjendje lodhjeje, ose përgjumjeje të fëmijës gjatë gjithë ditës.

Po ashtu një tregues tjetër që nuk duhet të neglizhohet, është edhe mosshtimi në peshë krahasuar me moshë e fëmijës, çka konstatohet nëpërmjet kryerjes së matjeve përkatëse tek mjeku specialist.

Duhet të dyshoni për këtë sëmundje edhe në rastet kur fëmija juaj preket shpesh nga infeksionet, apo shfaq vonesë në zhvillimin e tij mendor, gjithmonë referuar sjelljeve që duhet të ketë sipas moshës.

Pasojat e saj tek shëndeti dhe zhvillimi i fëmijëve janë të rënda, prandaj rekomandohet të zbulohet sa më herët dhe të merret në kohë trajtimi i duhur, si nëpërmjet dietës, ashtu edhe në suplementet shtesë që mund të rekomandojë mjeku specialist.

Nëse nuk trajtohet në kohën e duhur, anemia tek fëmijët dëmton performancën konjitive dhe intelektuale, zhvillimin motor, bashkërendimin, zhvillimin e gjuhës dhe arritjet në shkollë.

Prandaj këshillohet që fëmijës t’i bëhen kontrolle të shpeshta, për të zbuluar sa më herët që të jetë e mundur këtë gjendje. Kjo në mënyrë që edhe trajtimet dhe kujdesi që do të merrni të jenë efikase.

Gjithashtu, fëmijët që në këtë moshë vuajnë nga anemia janë më të rrezikuar për të zhvilluar infeksione të natyrave të ndryshme. Kjo pasi anemia rrit sëmundshmërinë nga sëmundjet infektive, dëmton funksionin normal të imunitetit qelizor (të dhëna epidemiologjike dhe të efektit terapeutik).

Testet se si diagnostikohet anemia tek fëmijët

Anemia nga mungesa e hekurit diagnostikohet nëpërmjet disa analizave të  gjakut, si: matja e përqendrimit të hemoglobinës, niveli serik i ferritinës dhe niveli serik i receptorëve të transferritinës. Organizata Botërore e Shëndetësisë e përkufizon aneminë nga mungesa e hekurit kur niveli i hemoglobinës është nën 11.0 gr/dl.

Këshillat për të parandaluar aneminë nga mungesa e hekurit tek fëmijët

Për të parandaluar pasojat e aneminë tek fëmijët, ushqimet e pasura me hekur duhet të jenë pjesë e ushqyerjes së fëmijës që në momentet e para të fillimit të ushqimeve shtesë. Ushqimet që përmbajnë hekurin i cili është më i thithshëm, janë mishi i kuq dhe peshqit e yndyrshëm.

Ato janë burimi më i pasur i hekurit. Po ashtu, ushqimet e pasura me vitaminë C duhet të jenë pjesë e çdo vakti, pasi kjo rrit përthithjen e hekurit që kanë ushqimet bimore. Gjatë vaktit (në veçanti kur merren ushqime me përmbajtje bimore si grosha, bizelet, thjerrëzat, etj) mund t’i jepet fëmijës një lëng frutash (sidomos agrumesh) i shtrydhur, i holluar me ujë në raport 1:1.

Ushqimet nga të cilat duhet të hiqni dorë

Qumështi dhe nënproduktet e tij duhet të kufizohen në sasi (deri në 600 ml) dhe të merren 3 herë në ditë.  Kështu, duhet që të mënjanohet dhënia e qumështit të lopës para se fëmija të mbushë 12 muaj. Çaji, gjithashtu duhet të mënjanohet, pasi përmban taninë, substancë që ul thithjen e hekurit nga ushqimet.

Në disa situata, mund të duhet që mjeku të këshillojë dhënien e shtesave të hekurit për një periudhë të gjatë kohore (derisa depot e tij në organizëm të mbushen) apo ta drejtojë pacientin tek mjeku specialist. Në çdo rast përdorimi I këtyre shtesave duhet të merret sipas këshillave dhe rekomandimeve të dhëna nga mjeku specialist.

Më të rrezikuar nga anemia janë fëmijët që:

Janë ushqyer me qumësht lope para moshës 12 muaj.

Konsumojnë sasi të mëdha qumështi lope (mbi 500 ml në ditë).

Kanë ushqyerje të paekuilibruar dhe të varfër në lëndë ushqyese.

Fëmijët që marrin pak ushqime që përmbajnë hekur si: mishi dhe të brendshmet e tij, perime jeshile dhe drithëra të fortifikuar me hekur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat