Superheronjtë e organizmit, mësoni rolin e 11 vitaminave dhe mineraleve më të rëndësishme në trupin e njeriut

Shëndetësia

Superheronjtë e organizmit, mësoni rolin e 11 vitaminave dhe mineraleve më të rëndësishme në trupin e njeriut

Më: 7 maj 2023 Në ora: 12:42
Foto ilustrim

A keni menduar ndonjëherë përse trupi juaj ka nevojë për vitamina dhe minerale për të funksionuar siç duhet? Pavarësisht se ato gjenden në sasi të vogla, luajnë një rol vendimtar në ruajtjen e shëndetit të mirë dhe parandalimin e sëmundjeve kronike. Nga përforcimi i sistemit imunitar te lëkura dhe dhëmbët e shëndetshëm, lexoni më shumë rreth rolit që gjithsecila luan.

Vitamina A ka si burim kryesor perimet ngjyrë portokalli si karrotën, pataten e ëmbël dhe pjeprin ndër të tjera. Kjo vitaminë ndihmon në përmirësimin e shikimit, shëndetin e mirë të lëkurës, dhëmbëve dhe në procesin e shëndetshëm të rritjes.

Vitaminat e grupit B gjenden në drithëra, patate, banane, thjerrëza, fasule, bizele, maja etj. Ato janë shumë të rëndësishme për forcimin e sistemit imunitar, përthithjen e hekurit në trup dhe prodhimin e energjisë nga organizmi.

Vitamina C ndodhet me shumicë tek agrumet si portokalli,
limoni dhe mandarina. Gjithashtu sasi të mjaftueshme saj gjenden edhe te luleshtrydhet, speci jeshil dhe i kuq, kivi dhe pjepri. Vitamina C ndihmon në forcimin e pareteve të enëve të gjakut dhe përthithjen e hekurit nga organizmi.  Ajo është një anti-oksidues i fuqishëm që ndihmon në luftimin e radikaleve të lira dhe ka gjithashtu një rol të rëndësishëm në përmirësimin e elasticitetit të lëkurës.

Vitamina D gjendet te vezët, peshku e kërpudhat dhe prodhimi i saj stimulohet më tepër gjatë ekspozimit në diell. Çfarë vetie të rëndësishme ka kjo vitaminë? Ajo është përgjegjëse për përmirësimin e shëndetit kockor dhe ndihmon në mbajtjen e shëndetshme të dhëmbëve dhe muskujve.


Vitamina E është e pranishme më së shumti te frutat e thata si bajamet, arrat, farat e lulediellit etj. Kjo vitaminë luan rol thelbësor në qarkullimin e gjakut dhe luftën kundër radikaleve të lira.

Vitamina K gjendet te spinaqi, brokoli, lakra e Brukselit dhe sallata jeshile ndër të tjera. Kjo është vitamina më e rëndësishme që merr pjesë në koagulimin e gjakut.

Acidi folik gjendet në sasi të konsiderueshme tek asparagusi, brokoli, qitro, lulelakra, thjerrëzat, arra dhe misri. Ai merr pjesë në procesin e rëndësishëm të ndarjes qelizore.

Kalciumi mund ta gjejmë te qumështi, kosi dhe djathi. Ky mineral
ndihmon për mirëqënien e kockave dhe dhëmbëve.

Hekuri është një mineral tjetër tepër i rëndësishëm që gjendet te llojet e ndryshme të mishit, spinaqi, bishtajoret, farat e kungullit etj. Ai kontribuon në mirëmbajtjen e shëndetit të muskujve dhe niveleve të shëndetshme të elementeve të gjakut.

Zinku gjendet më tepër tek produktet e detit, fasulet, çokollata e zezë dhe spinaqi. Ky mineral shërben për të pasur një imunitet të fuqishëm, ndihmon në procesin e rritjes dhe gjithashtu në fertilitet.

Kromi është një mineral që gjendet te perimet e freskëta, erëzat, drithërat e ndryshme etj. Ai luan një rol tepër të rëndësishëm në furnizimin me glukozë/energji të qelizave të trupit tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat