Koha që ju duhet për t’ju marrë gjumi, tregon gjendjen tuaj shëndetësore

Shëndetësia

Koha që ju duhet për t’ju marrë gjumi, tregon gjendjen tuaj shëndetësore

Më: 8 dhjetor 2023 Në ora: 14:40
Foto ilustrim

Gjumi është i domosdoshëm për trupin e njeriut dhe mjekët shpesh theksojnë se një person ka nevojë për rreth tetë orë gjumë çdo ditë. Megjithatë, nëse ju duhet shumë kohë për t’ju marrë gjumi, kjo mund ta shkurtojë kohën e fjetjes dhe të ndikojë në shëndetin tuaj.

Sipas doktorit të kujdesit intensiv dhe mjekësisë së gjumit në Texas Health Presbyterian Dallas, Brad Raper, është normale të nevojitet pak kohë derisa të bini në gjumë gjatë natës, por kjo mund të japë të dhëna për shëndetin tuaj.

E ashtuquajtura latenca e gjumit është koha që ju duhet për të fjetur. Këtu matet periudha ndërmjet momentit kur një person shkon për të fjetur dhe fillimit të gjumit.

Përveç dhënies së njëfarë pasqyre për cilësinë e përgjithshme të gjumit, vonesa mund të ndikojë në sasinë e gjumit që bëni në përgjithësi. Me kalimin e kohës, mungesa e gjumit mund ta rritë rrezikun e problemeve shëndetësore, si obeziteti, presioni i lartë i gjakut, diabeti, sëmundjet e zemrës dhe depresioni – sipas National Heart, Lung, and Blood Institute.

Dr. Raper shprehet se zakonisht duhen nga 10 deri në 20 minuta që një i rritur i shëndetshëm të bjerë në gjumë. Nëse ju merr më pak kohë për të fjetur – sipas Cleveland Clinic – kjo mund të jetë një shenjë se jeni tepër të lodhur.

Shkaku më i zakonshëm është mungesa e përgjithshme e gjumit, por mund të jetë gjithashtu një shenjë e disa çrregullimeve, si narkolepsia ose çrregullimi i ritmit cirkadian – raporton Sleep Medicine Pearls‌.

Nga ana tjetër, nëse ju duhen më shumë se 20 minuta për të fjetur, mund të vuani nga pagjumësia, e cila më së shpeshti shkaktohet nga stresi, ankthi ose depresioni dhe në disa raste mund të jetë një çrregullim gjumi i njohur si i sindroma e këmbëve të shqetësuara – njofton LiveStrong.

Është e rëndësishme të theksohet se barna të caktuara mund të zgjasin gjithashtu vonesën e rënies në gjumë, siç janë ilaçet stimuluese dhe antidepresantët jo qetësues. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat