Policët pa trajnim dhe psikolog, ekspertët: Fryma me të cilën drejtohen uniformat blu është e gabuar

Shqipëria

Policët pa trajnim dhe psikolog, ekspertët: Fryma me të cilën drejtohen uniformat blu është e gabuar

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 22:02
Arben Hajdarmataj

Mungesa e trajnimit të duhur të efektivëve të policisë, i çon këta të fundit drejt tejkalimit të kompetencave. Është ky konstatimi që bën ish drejtuesi i policisë, Arben Hajdarmataj lidhur me ngjarjen e një dite më parë ku një efektiv i repartit shqiponja qëlloi me armë zjarri 25-vjeçarin Klodian Rasha duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

“Unë mendoj që mungon trajnimi i policisë, që janë të detyrua të trajtohen. Po ta shohim legjislacionin në tërësi mund të jetë një ndër të vetmet ligje ku shprehet trajnimi i forcave të policisë dhe kjo nuk mund të anashkalohet”, tha Hajdarmataj.

Sipas tij efektivët e repartit shqiponja nuk janë për të patrulluar pasi kjo detyrë i takon policëve të rendit. Megjithatë për Hajdarmatajn sjellja e punonjësve të policisë vjen dhe si rezultat i frymës që është futur në radhët e uniformave blu nga drejtuesit.

“Kjo nuk është për të dalë patrullë, kjo është tjetër. Duhet ta informojmë qytetarin që kjo strukturë të rrijë e gatshme. Ka një frymë militare, dhe fatkeqësisht këtë frymë militare e ka futur Lleshaj dhe Veliu”, shtoi ai.

Nga ana tjetër për kreun e sindikatës së punonjësve të policisë, Sadetin Fishta sjella përtej kompetencave nga ana e efektivit të repartit shqiponja vjen si pasojë e mungesës së psikologëve në radhët e uniformave blu. Ai shton se ashtu si njësitë special edhe skuadra shqiponja apo policia e rendit duhet të trajtohet nga ky shërbim kjo edhe për shkak të ngarkesës me të cilën ata përballen në përditshmëri.

“Besoj që një pjesë e mirë të këtyre të FNSH duhet të kenë psikolog. Punonjësit e policisë sot, por edhe “Shqiponjat” kanë një mbingarkesë, qoftë ushqimi dhe qoftë mbingarkesa janë elementë që rendojnë në gjendjen fizike dhe atë psikologjike”, theksoi ai.

Ngjarja e rëndë që tronditi një ditë më parë kryeqytetin mbetet e shoqëruar me shumë pikëpyetje. Ndërkohë që për ngjarjen SHÇBA ka arrestuar efektivin e repartit shqiponja që qëlloi për vdekje 25-vjeçarin duke e akuzuar për veprën penale të “ Vrasjes së kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” për të cilën parashikohet deri në 7 vite burg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat