“Rrësheni u përgjak sërish”, Dom Gjergj Meta: Mjaft më me vrasje, pendohuni!

Shqipëria

“Rrësheni u përgjak sërish”, Dom Gjergj Meta: Mjaft më me vrasje, pendohuni!

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 14:32
Dom Gjergj Meta

Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta, ka reaguar pas vrasjes së Anton Kelit në Mirditë, që u ekzekutua mbrëmjen e kaluar nga persona të paidentifikuar.

Në reagimin e tij, Dom Gjergj Meta bën thirrje që t’i thuhet mjaft vrasjeve dhe gjykimi t’i lihet vetëm Zotit.

“Mjaft më me vrasje. Qyteti jonë, Rrësheni, u përgjak sërish. Prapë një vrasje tjetër pa autor apo me autor në drejtim të paditur. Për fat të keq, na janë bërë të shumta drejtimet e paditura, në një sistem drejtësie ende larg atij të një vendi normal europian. Janë të tepërta këto pesha që po i ngarkohen shpesh qytetit tonë të vogël, këto kohët e fundit, – lexohet në mesazhin e tij. – Kushdo që merr jetën e një njeriu, ta dijë se një ditë do të japë llogari. Mund t’i fshihet drejtësisë së njerëzve, mund të humbasë gjurmët, por nuk i fshihet dot gjykimit të Zotit e as gjykimit të ndërgjegjes së vet”.

Dom Gjergj Meta vijon me mesazhin e tij: “Nuk kam fjalë tjetër për ata që kanë gisht në këto punë përveçse: Pendohuni! Kthehuni kah Zoti! Lërjani Zotit gjykimin. Do të vijë një ditë gjykimi i Zotit, në këtë botë e në tjetrën. Nuk do t’i shpëtojë dot askush atij gjykimi. Sa jeni gjallë keni kohë të silleni kah e mira, kah falja dhe paqja. Lum ata që duan paqen dhe urrejnë të keqen, sepse do të quhen bijtë e Hyjit. Mjaft më me vrasje! Mjaft”, përfundon Dom Gjergj Meta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat