Nëntë muaj pandemi, si u përhap COVID-19 nga Wuhani dhe si mbërriti në Shqipëri

Shqipëria

Nëntë muaj pandemi, si u përhap COVID-19 nga Wuhani dhe si mbërriti në Shqipëri

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 21:27
Shqipëri

Ndonëse virusi SarsCov 2 prej muajsh ishte përhapur prej provincës së Wuhan në Kinë në shumë shtete, zyrtarisht në Shqipëri sipas autoriteteve të shëndetësisë 2 rastet e para u bënë publike më 9 mars 2020. Të prekurit, ishin babë e bir, 54 dhe 28 vjeç nga Tirana. Ata kishin një histori udhëtimi nga Italia dhe u kuruan në spitalin infektiv, i cili ishte shpallur nga qeveria si spitali COVID-1.

Në të njëjtën ditë, qeveria ndaloi të gjitha fluturimet dhe tragetet që vinin nga zona veriore e Italisë deri më 3 prill. Gjithashtu mbylli shkollat si dhe urdhëroi ndalimin e të gjithë grupimeve dhe aktiviteteve sportive. 

Më 10 mars, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u bëri thirrje mjekëve në pension që të riktheheshin në punë pasi prej vitesh vendi ynë po përballej me ikjen masive të tyre, kryesisht në Gjermani.

Në mesditën e 11 marsit u shënua viktima e parë nga coronavirusi në Shqipëri; ajo ishte një 73 vjeçare nga  Durrësi, e kthyer nga Italia e cila, po përballej me një numër të lartë të infektuarish e viktimash. 

Po atë ditë Kryeministri Rama njoftoi daljen në rrugë të policisë dhe ushtrisë, për të kontrolluar të gjithë ata që kishin ardhur nga vende si Italia apo Greqia dhe nuk kishin respektuar karantinën.

Më 20.03.2020 Ministria e Shëndetësisë nxori urdhrin për kufizimin e lëvizjes dhe funksionimin e bizneseve të lejuara për të ushtruar aktivitetin në fashën e orarit 05:00-13:00.

Më 24 mars qeveria shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore për shkak të COVUD-19, e cila ndonëse me ligj është parashikuar 30 ditë, do të zgjatej deri në 23 qershor.

Për të garantuar zbatimin e urdhrave dhe gjendjen e fatkeqësisë, në rrugët e Tiranës dolën edhe trupat e ushtrisë me mjetet e tyre të rënda ushtarake.

Pamjet i ngjanin një vendi në luftë, edhe pse kësaj here armiku ishte i padukshëm.       

Ndërkohë, transporti i autobusëve të rretheve dhe atyre urbanë u mbyll si dhe universitetet kaluan në mësim online. Administrata për disa muaj punoi nga shtëpia.  

Institucionet shëndetësore miratuan protokolle të posaçme, për çdo aktivitet që do qëndronte i hapur.

Pas shtimit të numrit të të prekurve më 29 mars 2020 spitali ‘Shefqet Ndroqi’ u kthye në spital COVID-2. 

Për shkak të mbylljes shumë biznese hynë në krizë. Qeveria mbështeti me dy paketa financiare qytetarët dhe një pjesë të bizneseve, disa prej të cilave falimentuan.  

Më 8 maj Shqipëria u nda në zona të kuqe dhe të gjelbra. Zonat e kuqe, ato ku numri i të infektuarve ishte më i lartë vazhduan të jenë të mbyllura, ndërsa në qytetet me më pak raste u lejua qarkullimi deri në orën 21:00.

Data 1 qershor do të shënonte heqjen e kufizimeve sa i takon lëvizjes në të gjithë vendin, rihapjen e kufijve tokësore, çerdheve e kopshteve dhe plazheve. 

Transporti publik, pishinat, dasmat, tubimet, grumbullimet masive vazhduan të jetë të ndaluara.

Transporti publik, rinisi punën më 23 qershor, nën protokolle të veçanta sigurie. 

Viktima më e re në moshë humbi jetën në moshën 21 vjeçare më 15 korrik 2020.

Shtimi i numrit të të prekurve do të arrinte kulmin gjatë muajve tetor-nëntor, teksa edhe numri i vdekjet ka ardhur dita-ditës duke u rritur. 

Në këto kushte, Komiteti i Ekspertëve vendosi më 11 nëntor të rikthejë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00-06:00

Me afrimin e festave komiteti teknik deklaroi se nga data 24 dhjetor deri më 4 janar do të ketë kufizim të lëvizjes nga ora 20:30-06:00 të mëngjesit.

Përjashtim nga ky rregull bëhet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme.

Shqipëria ka nisur gjithashtu testimin e shpejtë në Tiranë dhe spitalet rajonale, dhe sipas autoriteteve po punohet për të pasur sa më shpejt vaksinën.

Nga nisja e pandemisë deri tani në vendin tonë kanë rezultuar pozitiv 53.425 raste me COVID-19 dhe janë shënuar 1098 viktima.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat