Ekspertiza paraprake e vdekjes së Arjan Salës

Shqipëria

Ekspertiza paraprake e vdekjes së Arjan Salës

Më: 28 mars 2021 Në ora: 13:36
Arjan Sala

Pas tre ditë kërkimesh në magazinën e shkrumbuar të “Casa Italia-s”, zjarrfikësit arritën të nxjerrin trupin e pajetë të 32-vjeçarit Arjan Sala, i cili hyri për të shpëtuar të tjerët dhe mbeti vetë i vdekur mes flakëve.

Ekspertiza paraprake ka zbuluar se zjarri është ndezur për shkak të një shkëndije elektrike në kabllin e një llampe neoni. Sipas “Report Tv”, shkëndijat e ndezura pas defektit kanë rënë mbi disa rroba sintetike duke hapur flakë të shumta.

Teksa punëtorët e “Casa Italia-s” ishin duke pritur kamionin e mbushur me mallra, kanë nisur flakët e para. Fillimisht për të shuajtur flakët kanë ndërhyrë punonjësit e sigurisë, mes tyre edhe 32-vjeçari. Ata ia dolën të shuanin flakët por jo vatrën, ndaj zjarri u riaktivizua disa minuta më pas. I riu Arjan Sala ishte i pari që hyri në brendësi të magazinës për të shuar flakët dhe tentoi të dilte nga dera e emergjencës, mirëpo errësira dhe tymi e penguan, ndaj ai u rrëzua dhe e pati të pamundur të dilte që aty, duke mbetur fatkeqësisht i vdekur.

Arjan Sala, 32 vjeç, prej vitesh punonjës security, ishte babai i një fëmije të mitur. Ai jetonte me bashkëshorten, djalin, nënën dhe të atin. Familjes i ka siguruar të ardhura që në moshën 18 vjeç, kur nisi edhe punën e parë.

Ekspertiza paraprake zbuloi se Sala ka qëndruar rreth 24 orë gjallë, por më pas nuk ia ka dalë dot më. Trupi i tij u nxorr me vonesë, ndërsa ai u përcoll dje nga familjarët në banesën e fundit.

Qeveria pritet ta shpallë Dëshmor të Atdheut me propozim të mijëra qytetarëve që u solidarizuan në rrjetet sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat