Vetëvendosja në Shqipëri, 3 kandidatët kërkojnë votën e qytetarëve për të përmbysur politikën 30-vjeçare

Shqipëria

Vetëvendosja në Shqipëri, 3 kandidatët kërkojnë votën e qytetarëve për të përmbysur politikën 30-vjeçare

Më: 16 prill 2021 Në ora: 14:18
3 kandidatët nga Vetëvendosja në Shqipëri

Të tre kandidatët e Vetëvendosjes në Shqipëri të cilët garojnë të pavarur në zgjedhjet e 25 prillit kanë folur në Ditari në A2 CNN në lidhje me programin dhe alternativat me të cilat kërkojnë votën e qytetarëve shqiptarë në 3 qarqe të vendit, Tiranë, Gjirokastër dhe Lezhë.

Kandidati për Tiranën, Boiken Abazi tha se ka kërkuar nga qytetarët angazhimin e tyre që të mos jenë spektatorë, por aktivë të shoqërisë, ndërsa ka pranuar presionin që u bëhet atyre nga partitë e mëdha, për shkak edhe të varfërisë së thellë, që sipas tij ky sistem ekonomiko-politik prodhon.

“Unë nuk u kam folur qytetarëve për votën, por programin. Kam kërkuar angazhimin e tyre, e shoh tejet të dobishëm për shqiptarët në 2021. Thirrja jonë ka qenë për t’u bashkuar dhe kthyer nga spektatorë në aktivë të shoqërisë tonë. Kanë qenë falënderues dhe jemi falënderues. E kuptojnë që nuk janë të korruptuar, nuk janë biznesmenë, nuk jemi për pazare, por një botëkuptim tjetër. Fryma që ka përcjellë fitorja historike e Vetëvendosjes në Kosovë gjendet dhe këtu një valë entuziazmi ka ardhur nga Kosova. Çështja është nga dëshira, vullneti dhe realizimi drejt një transformimi të madh edhe në Shqipëri. Nuk kam pasur raste të drejtpërdrejta që ndaj meje është ushtruar presion si në Lezhë. Ne ishim në Vorë dhe partitë kryesore janë përpjekur të blejnë votën. Varfëria ishte therëse, kemi sistem ekonomiko-politik që prodhon varfëri dhe pabarazi. Aktivistët e lëvizjes e luftojnë, por ky sistem çon në varfëri, pasi ka përqendruar kapitalin në shumë pak duar”.

Presioni ndaj qytetarëve dhe aktivistëve është edhe në Lezhë, konfirmoi kandidati Iljaz Shehu, në studion e A2, ndërsa shpjegoi edhe 3 pikat kryesore me të cilat synon votën e qytetarëve lezhianë në këto zgjedhje.

“Ne ndajmë 3 pika kryesore që janë specifike për Lezhën; sektorin e turizmit, bujqësinë dhe aspektin kulturor të rinisë e sporteve në Lezhë dhe këto korrespondojnë me njëra-tjetrën dhe përbëjnë një vlerë të lokalitetit lezhian. Ne kemi restorante që shquhen për agro-turizëm dhe kombinimi i bujqësisë me turizmin është i jashtëzakonshëm për t’i dhënë vlerë të dyjave dhe kulturës. Ne mendojmë që duke kritikuar sistemin shkojmë drejt këtyre pikave. Sistemi është disproporcional me nevojat e lezhianëve. Partitë kryesore kanë kapur votën e lirinë e qytetarëve dhe ua bëjnë të pamundur kandidatëve të rinj të jenë të lirë të shpallin kandidaturën e vet. Kohët e fundit kam pasur probleme pasi ne kemi marrë pjesë në protestën e fshatit Thirrë për ndërtimin e HEC dhe policia ka ndaluar dhjetëra qytetarë dhe aktivistë tanë. Mendoj se kandidatë e rinj janë garancia e këtyre zgjedhjeve”.

Ndërsa kandidati për Gjirokastrën, Kreshnik Merxhani, nuk e fsheh entuziazmin që ka hasur te qytetarët në këtë qark, pavarësisht presionit që u bëhet individëve që angazhohen me Lëvizjen Vetëvendosje. Ai thotë se nga 13 pikat e programit, 3 pikat që i afrohen problematikës së këtij qarku janë defaktorizimi, universiteti dhe turizmi e trashëgimia kulturore.

“Aktivistët janë pritur shumë mirë në qark, na kanë surprizuar, marrëdhënie e ngrohtë e miqësore. Ishin në ndjekje të zhvillime të VV në Kosovë dhe kjo frymë dhe ky entuziazëm ka ardhur edhe në Gjirokastër, ku qarku ka humbur edhe një deputet se nga 5 deputetë kanë mbetur 4, falë ikjes masive të popullatës. Kjo politikë krejt tjetër është pritur me entuziazëm edhe pse nga pushteti ka një lloj presioni për individët që duan të angazhohen me LVV. Ne kemi 13 pika sikurse nr. 13 në letrën e votimit, ku 10 pika janë me interes kombëtar, kurse 3 pika i afrohen problematikës së qarkut. Ne kemi theksuar defaktorizimin, ku Gjirokastra po humbet popullatë e institucione dhe është shqetësim serioz, gjendja e universitetit dhe ky është orentim që unë u jap bashkë me inicimin e nismave ligjore që shteti shqiptar të ndalojë këtë ikje. Ky është angazhimi ynë konkret. Trashëgimia kulturore që është dhe fusha ime dhe angazhimi për mbrojtjen e lumit Vjosë, por duke konceptuar një plan 3-pikësh ku turizmi i vetëm nuk mund të jetë i qëndrueshëm dhe as institucionet nëse nuk lidhen me stimulin e prodhimit vendor dhe ta kthejmë universitetin nga sytë në lidhje me ekonominë dhe nevojat e tregut”.

Garancinë në këto zgjedhje të tre kandidatëve ua jep emri i Vetëvendosjes, historiku i saj dhe emri i Albin Kurtit që sipas tyre nuk ka politikanë të këtij kalibri në Shqipëri dhe në plan të dytë janë kandidaturat.

“Prezantimit tonë i paraprin emri i VV dhe historiku i kandidaturave tona vijnë në plan të dytë. Profilet tona shkojnë në koherencë me vlerat që VV ka dhe ne jemi të legjitimuar në komunitetin lezhian që po na pret mjaft mirë dhe është kurioz”, thotë Shehu.

“Kurti është politikan i kalibrit që nuk e kemi parë në Shqipëri. Për ne do ishte humbje nëse nuk do dëgjonim analizat e tij të thelluara e këshillat që ai jep. Ne i marrim vetë vendimet dhe dëgjojmë këshilla nga Kurti, qytetarë e specialistë në Shqipëri, Kosovë e Diasporë. Ajo që na bashkon janë parimet e idealet që ne kemi ndjekur prej vitesh. Ne kemi vite të angazhuar”, thotë Abazi.

Ata i kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen për të sjellë një politikë krejt tjetër nga ajo 30-vjeçare dhe për një të ardhme ndryshe në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat