“Kufizimet sipas zonave”, Alimehmeti: Të diferencohet ora policore për qytetarët nga ajo për bizneset

Shqipëria

“Kufizimet sipas zonave”, Alimehmeti: Të diferencohet ora policore për qytetarët nga ajo për bizneset

Më: 31 maj 2021 Në ora: 15:41
Ilir Alimehmeti

Një ditë para hyrjes në fuqi të masave të reja të komitetit që menaxhon pandeminë në Shqipëri, epidemiologu Ilir Alimehmeti mendon se heqja e maskës në mjedise të jashtme është në koherencë me situatën ndërsa shtyrja e lëvizjes me një orë është një vendim zhgënjyes.

Mjeku sugjeron diferencimin e orës policore  për qytetarët me atë për bizneset.

“Do bënte shumë sens që të kishte kufizime për aktivitete nëse mendohet se aty ka risk, dhe të kishim heqje totale të kufizimit të lirisë për qytetarët. Sepse po të mos ketë aktivitete natën, ku do venë qytetarët? Nga ana tjetër, grumbullimet deri në 50 veta janë lejuar në ambiente të hapura…”

Incidenca dy javore shpjegon  mjeku udhëhiqet nga disa bashki të vogla ndërsa mbyllja e vendit në orën 23.00 të mbrëmjes penalizon më tepër Tiranën me një situatë më pak problematike.

Prandaj Alimehmeti mendon se është koha që kufizimet anti-covid të aplikohen sipas zonave.

“Ndërhyrjet e shëndetit publik varen shumë nga ambienti, nga popullata. Stili i jetës në qytete e fshatra nuk është njësoj, si rrjedhojë një efekt më të madh do të ketë diku, e një efekt më të vogël diku tjetër…”

Aktualisht të infektuarit në raport me të testuarit kanë zbritur nën 1% ndërsa të  shtruarit në spitale  nën 45 persona.

Vera sipas epidemiologut do të kalojë e qetë, por pandemia nuk ka përfunduar.  Ende nuk dihet sjellja e varianteve të reja që po qarkullojnë në Evropë dhe impakti i turistëve që do të vizitojnë Shqipërinë.

Vjeshta sipas Alimehmetit  do të jetë prova e zjarrit për Covid-19. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat