“Po shkoj në Shkodër se...”, fjalët e fundit të shefit të Antidrogës së Ulqinit i zhdukur prej 27 majit

Shqipëria

“Po shkoj në Shkodër se...”, fjalët e fundit të shefit të Antidrogës së Ulqinit i zhdukur prej 27 majit

Më: 1 qershor 2021 Në ora: 23:47
Rudolf Elezoviç

Po shkoj deri në Shkodër se kam një punë. Nuk vonohem se kur të vij do i bie shkurt”.

Ky është komunikimi i fundit që ka patur me familjarët e tij përpara se të zhdukej në mënyrë misterioze, në kufirin mes Shqipërisë e Malit të Zi 54-vjeçari, Rudolf Elezoviç, shefi i Antidrogës së Ulqinit dhe Tivarit.

Por prej 27 majit, nga zyrtari i lartë i policisë nuk ka asnjë gjurmë.

Zyrtarisht pas denoncimit të familjarëve,autoritetet malazeze kanë nisur hetimet ndërsa i kanë dërguar materialet edhe palës shqiptare, përkatësisht policisë dhe prokurorisë së Shkodres.

Ato kërkojnë bashkëpunimin e këtyre dy institucioneve për gjetjen e Elezoviç.

Ngjarja mbetet enigmë dhe e mbuluar me të panjohura, ku nuk përjashtohet pista që ai të jetë ekzekutuar.

Policia nuk ka dëshmi rreth lëvizjeve të fundit që ai ka kryer ndërsa po kërkohet në ujërat e lumit Buna, mes kufirit shqiptar dhe atij malazez.

Sinjali i fundit prej ku ka përcjellë të dhëna telefoni i tij është në zonën e kufirit ujor të Pentarit dhe Reçit dhe prej aty nuk dihet asgjë më shumë rreth lëvizjeve të tij dhe se çfarë ka ndodhur.

Përforcimet se zhdukja nuk është rastësore, vijnë edhe nga fakti se  Elezoviç sipas burimeve ka qenë duke hetuar një çështje të trafikut të drogës sëbashku me autoritetet shqiptare.

Rudolf Elezoviç ka punuar për 6 vite si shef i policisë së Ulqinit ndërsa së fundmi mbante detyrën e shefit të Antidrogës për Ulqinin dhe Tivarin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat