“Vrasje me xhama të zinj”, 7 në 10 krime në Shqipëri kryhen me automjete të modifikuara

Shqipëria

“Vrasje me xhama të zinj”, 7 në 10 krime në Shqipëri kryhen me automjete të modifikuara

Më: 8 qershor 2021 Në ora: 16:34
Foto ilustrim

Automjetet me xhama të zinj sot janë një armë e shtuar në duar e grupeve kriminale.

Vrasjet e regjistruara javët e fundit në vend kanë treguar një përdorim të shtuar të këtyre automjeteve në veprimtari të jashtëligjshme.

Ndonëse në qarkullim sot janë 45 mijë 653 automjete të certifikuara nga DPSHTRR për mbajtjen e këtyre xhamave kryesisht në pjesën e pasme, nuk mungojnë rastet e automjeteve që qarkullojnë në shkelje.

Me leje të falsifikuar, të errësuar përtej nivelit të lejuar apo dhe me xhama të zinj në pjesën e parme që është e ndaluar kategorikisht. Përdorimi i këtyre mjeteve në ngjarje kriminale shpesh herë është ngritur si shqetësim nga uniformat blu, pasi vështirëson punën e hetuesve në identifikimin e autorëve që në pjesën më të madhe të rasteve janë vrasës profesionistë me pagesë.

Sipas burimeve nga statistikat e policisë së shtetit rezulton se në 10 krime, 7 prej tyre kryhen duke u kamufluar në automjete me xhama të modifikuar, xhama të zinj dhe mjete të paregjistruara.

Euronews Albania u interesua dhe pranë DPSHTRR ku mësoi se pavarësisht këtij shqetësimi në këtë institucion nuk ka raste në shkelje të referuara nga policia.

Errësimi i xhamave të automjeteve dhe modifikimi i tyre sot mundësohet lehtësisht mjafton të pajisesh me një autorizim nga DPSHTRR që i jepet kujtdo kundrejt një takse vlera e të cilës përllogaritet 20 mijë lekë.

Prej vitit 2019 procedurat e pajisjes me xhama të zinj u thjeshtuan krahasuar me rregullat e miratuara vite më parë, më konkretisht në 2005 ku mbajtja e këtyre xhamave ishte e ndaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat