VOA: Parlamenti zgjedh kreun e AMA-s, pavarësisht shqetësimeve të BE-së

Shqipëria

VOA: Parlamenti zgjedh kreun e AMA-s, pavarësisht shqetësimeve të BE-së

Më: 7 korrik 2021 Në ora: 17:46
AMA

Në Shqipëri, parlamenti zgjodhi sot drejtuesin e ri të Autoritetit të Mediave audiovizive, pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga institucionet ndërkombëtare. Në krye të këtij institucioni u votua zonja Armela Krasniqi, drejtuesja aktuale a Agjencisë shtetërore të lajmerve ATSH, dhe ish zëdhënëse e partisë socialiste. Delegacioni i Bashkimit Europian kishte ftuar autoritetet që ta shtynin vendimin për legjilaturën e ardhshme të parlamentit të ri duke theksuar se është e rëndësishme që të mos ketë dyshime mbi natyrën jopartiake, profesionale dhe pluraliste të punës së AMA-s. Po ashtu dhe OSBE-ja kishte vënë theksin te nevoja e nëj procesi gjithëpërfshirës dhe transparent.

Votimi sot, në seancën e fundit të këtij parlamenti, i drejtuesit të ri të Autoritetit të Mediave audiovizive, u parapri nga disa deklarata të institucioneve ndërkombëtare, të cilat shprehnin shqetësim rreth kësaj vendimmarrjeje.

Në një deklaratë të Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, vihej në dukej se “autoritetet rregullatore të mediave duhet të punojnë në mënyrë të paanshme, transparente dhe me një legjitimitet të njohur nga të gjithë”, ndërsa theksohej se “Bashkimi Evropian ka rishikuar Direktivën e Shërbimeve të Mediave Audiovizive dhe ka paraqitur kërkesa të reja për pavarësi për rregullatorët kombëtarë të mediave përfshirë detyrimin për të vendosur procedura transparente dhe të pavarura për emërimin dhe shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të bordit të këtyre autoriteteve”, duke i kujtuar Shqipërisë se “ky legjislacion është pjesë e acquis të BE-së të cilin Shqipëria duhet të përshtasë”.

Në deklaratën e Delegacionit të BE-së ftoheshin “autoritetet të marrin në konsideratë të vazhdojnë me këtë emërim gjatë legjislaturës së ardhshme në shtator, së bashku me emërimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit, si mënyra më e mirë për të arritur konsensusin dhe legjitimitetin e pranuar gjerësisht”, duke theksuar se “është e rëndësishme që të mos ketë dyshime mbi natyrën jopartiake, profesionale dhe pluraliste të punës së AMA-s”.

Shqetësimit të Bashkimit Europian ju bashkangjit dhe prania e OSBE-së në Shqipëri. “duke theksuar nevojën për një organ të pavarur të rregullimit të medias. Ne nënvizojmë rëndësinë e një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të rinj të AMA-s, për të garantuar që AMA ta përmbushë më së miri misionin e saj të ndjeshëm”, theksonte në qëndrimin e saj Prania e OSBE-së.

Por këto shqetësime nuk u morën në konsideratë nga shumica, qëndrimi i së cilës u bë i qartë që para votimit nga kreu i grupit socialist Taulant Balla, sipas të cilit “është detyrë e Kuvendit të Shqipërisë që të garantojë vijimësinë e ushtrimit të detyrës së tyre çdo institucion që varet prej tij. Ne kemi miratuar një rezolutë për AMA-n para pak ditësh. Procesi për zgjedhjen e kreut të këtij institucioni është zhvilluar prej shumë javësh, sipas të gjitha procedurave parlamentare. Po kjo procedurë parlamentare e detyron Kuvendin, që vendimin e Komisionit ta shqyrtojë sot dhe ta votojë”.

Në fund të votimit rezultoi se përballë juristes Alketa Dibra, kandidatja tjetër Armela Krasniqi doli fituese me 83 vota në favor. Zonja Krasniqi, drejtuesja aktuale e Agjencisë shtetërore të lajmeve, ATSH, ka qenë me herët zëdhënëse e Partisë socialiste dhe drejtuese e zyrës së shtypit të Kryeminitrit Edi Rama.

Pikërisht e kaluara e saj bëri që dhe opozita të ngrinte zërin duke folur sipas saj për një kapje politike të AMA-s.

Pak ditë më parë dhe Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists) i cili bashkon shoqatat e gazearëve në vendet e Ballkanit u shpreh gjithshtu “i shqetësuar për pavarësinë dhe profesionalizmin e dy kandidaturave për Kryetarin e AMA, të dy kriteret janë thelbësore për lirinë e medias dhe për proceset demokratike në Shqipëri”. Në letrën dërguar kryetarit të Parlamentit Gramoz Ruçi viheshin në dukje dhe “mangësitë në procedurën e përzgjedhjes së tyre, duke marrë parasysh që procesi është formal pa konkurrencë kuptimplotë dhe i kryer me nxitim brenda Parlamentit aktual, mandati i të cilit skadon së shpejti, njëkohësisht pa prezencën një opozite të mirëfilltë”./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat