Shkaqet pse Rama refuzoi BE-në për AMA-n

Shqipëria

Shkaqet pse Rama refuzoi BE-në për AMA-n

Më: 10 korrik 2021 Në ora: 08:26
Edi Rama

Ka një çudi nga ana e komentatorëve në vend, se përse Edi Rama refuzoi një paralajmërim zyrtar të Bashkimit Europian, për çështjen e kreut të Autoritetit të Medias Audiovizive.

Edi Rama votoi dje në Parlamenti emërimin e zëdhënëses së tij, Armela Krasniqi(Imeraj) në krye të AMA-s, në një kohë kur BE kërkoi që votimi të shtuhet në parlamentin e ri të zgjedhur nga vota e 25 prillit.

Lulzim Basha, i cili ka edhe lidhje familjare me zonjën Krasniqi, mbajti një qëndrim të qartë politik, duke kundërshtuar arrogancën e kryeministrit, të cilin e etiketoi me zhargonin “Babloku”.

Në fakt, Edi Rama edhe mund ta shtynte këtë votim e në fund, ndoshta edhe me një marrëveshje me Bashën të kalonte emërimin e Armelës, që fundja nuk se është një emërim aq i frikshëm. Por prapaskenat e këtij akti janë qartësisht politike, pasi Edi Rama, ka bërë ndryshimet e AMA-s, pikërisht duke pasur parasysh ndryshimet dhe rolin e ri që ky institucion ka mbi median online në vend.

Deri tani, mazhoranca nuk avancoi për zgjedhjen e Maklen Mishës si kryetar i AMA-s, i cili ishte kandidat, vetëm e vetëm se BE e kundërshtoi. Por në fundin e mandatit të këtij Kuvendi, siç ndodhi me ndryshimet Kushtetuese të korrikut të vitit të shkuar, Rama urdhëroi deputetët të bëjnë akt vullnetin e tij për ta pasur nën hyqëm AMA-n, siç ka nën hyqëm Armelën.

AMA, sot me ndryshimet e reja në ligj, ka një rol të rëndësishëm në median online; që do të thotë se nëse një portal publikon një shkrim apo raportim mbi një emër që Edi Rama nuk do të dalë në media, AMA do t’i kërkojë ose ta ndalojë ose të pezullojë ekzekutivin, duke i dërguar një report nga një ankues. Një lloj rregulloreje facebook-u, kur në fakt nuk është njësoj, pasi Facebook ka të drejtën të bëjë ç’të dojë se është një platformë private e koutuar në bursë që natyrisht rregullat etike i vendos si të dojë. Kurse një ent rregullator publik si AMA nuk ka të drejtë të vendosë censurë. Por që në realitet e ka përvetësuar  këtë të drejtë; e sipas gjasave Babloku ka vendosur Armelën e tij atje për të ekzekutuar një bllokim të një vale të pritshme për aferat korruptive të njerëzve të tij.

Kjo valë nuk do të jetë natyrisht në formë censure, por sipas logjikës së raportimit, që të promovojë një koncept vetëcensure në disa portale nga frika e raportimeve.

E kjo natyrisht nuk do të kryhet në kulmin e valës, por kur media të caktuara do të publikojnë afera për qevertarë apo zyrtarë të mazhorancës.

Nuk është e rastësishme që median publike, Rama e ka blinduar me zyrtare të stafit të tij si në AMA, ashtu edhe në ATSH ku sërish ka dërguar një ish- fotografen e vet si drejtoreshë të përgjithshme.

Duket më shumë një manovër e studiuar për të mos lejuar që pjesa e parë e mandatit të tretë t’i shkojë “për lesh” si pasojë e lajmeve për abuzimet e njerëzve të tij siç ndodhi në vitin 2017. E që këtë herë pritet të jenë edhe më të rënda; siç ndodhi me vetëm dy hetimet e nisura nga SPAK…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat