Shuhen vatrat e zjarrit në Dukat e Gjirin e Gramës

Shqipëria

Shuhen vatrat e zjarrit në Dukat e Gjirin e Gramës

Më: 7 gusht 2021 Në ora: 16:56
Foto nga vendi i ngjarjes

Ministria e Mbrojtjes jep tjetër njoftim për situatën nga zjarret në vend. MM njofton se është eliminuar rreziku nga vatrat e zjarrit në Dukat e Gjirin e Gramës.

Sipas MM, po vijon puna për izolimin e plotë të flakëve në të gjithë sipërfaqen e prekur në Gadishullin e Karaburunit, në qarkun e Vlorës.

Njoftimi i MM:

Gjithashtu është shuar zjarri pranë pikës kufitare Rips në fshatin Livadhja, në bashkinë Finiq, duke shmangur rrezikun për banesat.

Zjarri në fshatin Gjorgos, njësia administrative Cakran, bashkia Fier po mbahet nën kontroll, ndërsa ka vijuar puna me helikopterin çek për shuarjen përfundimtare të tij.

Në Kepin e Rodonit, në Durrës është raportuar një vatër zjarri, për të cilën po vijon puna për vënien nën kontroll nga forcat në terren. Nuk paraqitet rrezikshmëri.

Një vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra është raportuar në malin e Xhyrës, në bashkinë e Librazhdit. Ai po shuhet nga forcat zjarrfikëse të bashkisë.

Zjarri në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë ka vijuar të zgjerojë perimetrin, duke shkaktuar tym në të gjithë kodrën. Forcat po punojnë për të ndërprerë vijën e zjarrit në afërsi të rrugëve të fshatit. Ndërkaq është izoluar plotësisht zjarri në fshatin Munellë-Domgjon, bashkia Mirditë.

Vijon të paraqitet e vështirë ndërhyrja për shkak të terrenit në Majën e Rrunës, në Kukës, ku forcat po punojnë për të mos lejuar përhapjen e flakëve në zonat e banuara.

Nën kontroll mbeten flakët në fshatin Klysyrë të bashkisë Tropojë si dhe në Vermosh të Malësisë së Madhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat