Çmenduri në Sauk, me shpejtësi “skëterrë” mbi 180 km/h dhe të dehur në timon

Shqipëria

Çmenduri në Sauk, me shpejtësi “skëterrë” mbi 180 km/h dhe të dehur në timon

Më: 14 shtator 2021 Në ora: 00:51
Foto ilustrim

Policia Rrugore e kryeqytetit deklaron se mbrëmjen e sotme ka vijuar kontrollin me aparatin e matjes së shpejtësisë në rrugët interurbane me risk për aksidente rrugore si, Tiranë – Elbasan – Tiranë – Durrës – Tiranë duke evidentuar disa shkelje që janë ndëshkuar.

“Prej orës 19:00 të mbrëmjes e deri në 23:30 janë evidentuar nga kontrolli në Sauk, 10 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi mbi normat e lejuara, shpejtësi që varionin nga 138 km/h deri 182 km/h, të cilëve iu pezullua leja e drejtimit nga 2 deri në 6 muaj dhe masë administrative nga 7.000  deri në 25.000 lekë të rinj dhe 2 masa administrative me dyfishin e vlerës maksimale, si shtetas me leje drejtimi të lëshuara nga shtete të tjera. 15 masa administrative nga 2.000 deri në 4.000 lekë të rinj për shpejtësi mbi normat e lejuara, që varionte nga 121 km/h deri në 127 km/h” thotë policia.

“Kontrollet kanë vazhduar dhe po vijojnë në të gjitha rrugët e kryeqytetit duke përdorur alkool testuesit dhe si rezultat janë evidentuar deri në këto momente dhe iu është pezulluar leja e drejtimit 8 drejtuesve të automjeteve të cilët drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit, në masën që varionte nga 0.31 mg/l deri në 0.49 mg/l. Si dhe janë vendosur 8 masa administrative me vlerë 15.000 lekë të rinj secila për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, por pas sanksionin plotësues të pezullimit të lejes së drejtimit” vijon më tej njoftimi.

Policia e Shtetit apelon të gjithë drejtuesit e automjeteve. “Mos shpejtoni, mos kryeni parakalime të gabuara, mos drejtoni mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, mos përdorni celularin në timon, vendosni rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, mbroni jetën tuaj dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës, respektoni rregullat e qarkullimit që të arrini të sigurt në destinacion”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat