Ashpërsimi i ligjit pa efekt, nuk ndali dhunën në familje

Shqipëria

Ashpërsimi i ligjit pa efekt, nuk ndali dhunën në familje

Më: 30 tetor 2021 Në ora: 13:42
Ilustrim

Jo vetëm nuk ka  ulje por dhunuesit vijojnë të jenë rrezik edhe pasi dalin nga institucionet e vuajtjes së dënimit.

Kjo është situata që paraqitet në gjykata me të dënuarit për dhunën në familje, ku gjatë këtij viti krahasuar me një vit më parë janë katërfishuar rastet e të akuzuarve për këtë vepër dhe me sa duket ashpërsimi i ligjit, nuk e ka ulur aspak fenomenin. 

Avokati Alban Duro thotë se thuajse çdo dite i bie të përfaqësojë persona që akuzohen për dhunë në familje, por fenomeni i ri është se shumica e tyre janë përsëritës të kësaj vepre.

“Për këtë vit ndryshe nga vitet e tjera, kemi përsëritës për këtë vepër penale të dhunës në familje. Është një gjendje shumë alarmante dhe strukturat shtetërore duhet të vihen në lëvizje.”

Duro thotë se duhen më shumë politika sociale për të zbutur  fenomenin, ndërsa nuk është zgjidhje ashpërsimi i dënimit.

“Nuk ka ndikuar aspak dhe mund të them se janë shtuar rastet. Një nga arsyet mund të jetë pandemia ose arsyet ekonomike në familje.”

Avokati apelon që për dhunuesit dhe për viktimat duhet të ketë qendra rehabilitimi, që ndonëse në ligj janë parashikuar nuk janë ngritur ende.

“Një probleme tjetër është se këta persona nuk rehabilitohen. Ata pasi dalin nga dënimi janë të shkatërruar dhe janë të prirur që të kryejnë vepra të tjera penale.”

Dhuna më e zakontë vijon të jetë mes bashkëshortëve, por ka edhe forma të tjera të prindërve ndaj fëmijëve ose e anasjelltas.

Ndërsa sa i takon urdhrave të mbrojtjes duket se edhe kjo masë është pa rezultat pasi shumica e viktimave të dhunës në familje kanë qenë të pajisura me urdhra mbrojtje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat