Askush, asnjë media e Tiranës nuk reagoi pse e zhdukën memorialin në nderim të viktimave serbe në Kukës dhe u bë kështu dëshira serbe...

Shqipëria

Askush, asnjë media e Tiranës nuk reagoi pse e zhdukën memorialin në nderim të viktimave serbe në Kukës dhe u bë kështu dëshira serbe...

Nga: Rexhep Shahu Më: 16 dhjetor 2021 Në ora: 09:10
Rexhep Shahu

Ky memorial, kjo Murane, ky gur varri u ngrit tre vjet më parë në qytetin e Kukësit në kujtim të mbi 2 mijë kuksianëve të masakruar nga ushtria serbe në nëntor 1913. U inaugurua në Kukës me 14 dhjetor 2018. Para pak ditësh u shemb, u rrafshua, u zhduk nga administrata aktuale e bashkisë Kukës.

Anash memorialit është dëshmitari, sipër të cilit është e shkruar një pllakë të cilën mund ta lexoni. Janë fragmente shqip anglisht nga shkrimi i tmerrshëm Masakrimi në Lume i shkruar nga serbi më i madh pro shqiptar Dimitrije Tuceviq në ato ditë të krimeve serbe.

Patriotët e mëdhenj e zhdukën këtë shenjë, këtë gur varri, këtë kujtesë. Kjo gjë, i intereson shumë Serbisë e cila nuk dëshiron të ketë gjurmë të krimeve serbe ndaj shqiptarëve pasi ajo do të shfaqet si viktimë. Krimet serbe në Lume janë holokausti i parë në Evropë i njohur e dëshmuar e shkruar nga autorë botërorë.

Asnjë shqiptar mik i serbëve nuk i zhduk dot ato krime edhe pse e zhdukin një memorial i cili tashmë është në memorie e në kujtesë, në fotografi e në histori. Vaso Cubrilloviqi akademiku serb që ka bërë dekalogun apo traktatet e shfarosjes e zhdukjes së shqiptarëve, librin Shpërngulja e shqiptarëve, të cilën e kam botuar unë për herë të parë, thotë në libër se në Tiranë Serbia punët i zgjidh me para. Ndoshta edhe heshtjen e politikës në Tiranë për zhdukjen e Memorialit në kujtim të mbi 2 mijë viktimave serbe në Kukës serbët e kanë blerë me para. Po heshtja e mediave të Tiranës është ulëritëse.

Unë jam në njëfarë mase propozues e iniciues i ndërtimit të asaj vepre. Luftova që të ndërtohej dhe u ndërtua. Nuk mbaj përgjegjësi për krimet që ndodhin, nuk kam fuqi t’i ndaloj krimet e shëmtuara si shembja e Memorialit, por kam fuqi ta bëj të pavdekshme në libra atë memorial dhe krimin e shembjes e të zhdukjes së tij. Edhe heshtjen e mediave të Tiranës.

Kukësi është pasaporta morale e shqiptarëve, familja kuksiane së pari e bëri të njohur Shqipërinë në botë më shumë se çdo gjë. Në kohën e luftës për Kosovën, Kukësi u bë më i famshëm se Uashingtoni, do të thoshte Sadako Ogata. Dy emra nga bota shqiptare njohu bota, Kosova dhe Kukësi. Shembeni këtë madhështi nëse keni ko*e ju jarana të serbëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat