Rama: Lubonja më gjykon si prokurorët që e kanë futur në burg

Shqipëria

Rama: Lubonja më gjykon si prokurorët që e kanë futur në burg

Më: 17 dhjetor 2021 Në ora: 23:08
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka folur për çështjen e inceneratorit të Elbasanit që ka çuar pas hekurave ish-ministrin e tij të Mjedisit Lefter Koka për korrupsion.

Rama tha në “Zonë e lirë” se procedura dhe zinxhiri i ndjekur nuk ka kontestim nga ata që e hetojnë dhe se investimi sot është aty dhe pronë e bashkisë së Elbasanit.

“Është bërë një procedurë, nga ana e procedurës nuk ka kontestim. Di që ata që hetojnë nuk kanë kontestim për procedurën. Sot që flasim është aset publik. Investimi është bërë dhe sot është pronë e bashkisë së Elbasanit. Sot Elbasani, Tirana dhe Fieri nuk kanë më ankthin që nesër do digjen plehrat. me kalimin e testeve dhe në Fier nis puna dhe atje. Ky program është histori suksesi.

Unë kam përgjegjësi morale dhe politike për veten time në momentin që akuzohem unë. Në momentin që më kërkon drejtësia të pandehur, atëherë unë mbaj të njëjtin standard dhe barrë. Njësoj si të thuash që për fëmijën e ka fajin prindi.

Unë nuk zgjedh fëmijë, zgjedh ministra. Kam përgjegjësi. Këtë të rrjetave të SPAK-ut, po të kujtoj se reformën në drejtësi e doja unë, e bëra unë. Jam shumë i kujdesshëm dhe bëj zgjedhjen që më duket më e mira në atë moment të caktuar. Kush ka bërë le të shkojë të bjerë. Ju mund të mendoni që unë trishtohem kur ndodhin gjëra të tilla, ndërkohë që unë ndiej atë që pres që drejtësia ka fuqi dhe pavarësi për të goditur pa menduar ky është ministri apo ish-ministri i Ramës”, tha Rama.

Teksa Arian Çani i risolli deklaratat e bëra nga Fatos Lubonja në emisionin “Në Shënjestër” në News24 në vëmendje, Rama tha se Lubonja e gjykon si prokurorët vetë atë dhe se ka dalë i dëmtuar nga një histori.

“Për Fatos Lubonjën unë jam kreu i një grupi kriminal prej shumë vitesh dhe kjo është mënyra e gjykimit që kanë përdorur prokurorët kur e kanë futur në burg. Fatos Lubonjën dhe Lubonja është me cen nga një histori që ka dalë i dëmtuar.

Në qoftë se do ishte grup i strukturuar, lexohet në të gjithë zinxhirin e procedurës dhe në rezultat. Rezultati është atje, veprat janë atje. I gjithë zinxhiri i ndjekur i procedurës nuk rezulton problematik”, deklaroi kryeministri.

Sa i përket arrestimit të ish-ministrit Lefter Koka dhe zërave se ka të tjerë fajtorë, duke përfshirë dhe vetë kryeministrin, Rama tha se është ndërveprim mes dy individësh, jo grup i strukturuar kriminal.

“Çfarë po shihet sot është një ndërveprim i dyshuar nga drejtësia midis një individi me petkun e ministrit dhe një individi me petkun e sipërmarrësit. Është një gjë e ndërlidhur mes individësh, nuk është një çështje e një grupi të strukturuar”, deklaroi Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat