Silva Bino shpjegon pse është e rëndësishme marrja e dozës së tretë të vaksinës

Shqipëria

Silva Bino shpjegon pse është e rëndësishme marrja e dozës së tretë të vaksinës

Më: 21 dhjetor 2021 Në ora: 14:04
Silva Bino

Shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, u është drejtuar qytetarëve me një videomesazh, ku rreshton arsyet pse është e nevojshme marrja e dozës së tretë të vaksinës kundër Covid-19.

Bino ka shpjeguar se doza e tretë duhet të merret nga të gjithë qytetarët që kanë të paktën 6 muaj që e kanë kryer dozën e dytë, duke qenë se pas kësaj periudhe, efektiviteti i vaksinës fillon dhe bie, e kështu ulet imuniteti.

“Të gjithë qytetarët që kanë kryer dozën e dytë para 6 muajsh duhet patjetër të vaksinohen me dozën e tretë, apo dozën përforcuese. Ajo është e rëndësishme për faktin se imuniteti ndaj COVID, i shkaktuar nga vaksina, fillon dhe ulet. Kjo nuk është hera e parë që ndodh pasi për një seri sëmundjesh infektive, kalendarët e vaksinimit krijohen duke u mbështetur në eksperiencën”, -shprehet Bino, duke vijuar të shpjegojë:

“Për shembull për tetanozin ne vaksinohemi 6-7 herë në jetën tonë. Për poliomielitin vaksinohemi 5 herë. Për sëmundje të tjera vaksinohemi disa herë. Kjo sepse imuniteti fillon dhe ulet dhe ka nevojë për doza përforcuese. Doza e tretë përforcuese na siguron ndaj formave të rënda të sëmundjes dhe ka ndikim të rëndësishëm në mosshfaqjen e infeksionit. Nga ana tjetër, doza përforcuese ul kohëzgjatjen e mbajtjes së virusit. Nëse një njeri i vaksinuar infektohet, nuk shfaq shenja klinike dhe e transmeton më pak virusin. Doza e tretë përforcuese ka një seri gjërash të cilat bëjnë që kjo pandemi të kontrollohet dhe ne t’i kthehemi jetës normale."

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat