Gripi sezonal dhe Omicron, çfarë masash duhen marrë? Dasho: Vendosni maska, shmangni mjediset e mbyllura

Shqipëria

Gripi sezonal dhe Omicron, çfarë masash duhen marrë? Dasho: Vendosni maska, shmangni mjediset e mbyllura

Më: 4 janar 2022 Në ora: 16:56
Erion Dasho

Si të kuptojmë nëse kemi Covid ose grip sezonal? Po nëse jemi të infektuar njëkohësisht me Covid dhe grip sezonal, çfarë duhet të bëjmë dhe çfarë masash duhet të marrin qytetarët për tu mbrojtur nga Covid dhe nga gripi sezonal?

Eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho, në një intervistë për edicionin e lajmeve në Ora News,  thotë se rastet e kombinimit të gripit sezonal me Covid janë të rralla dhe se nëse trupi është  i infektuar me një lloj virusi, atëherë është e vështirë që organizmi të infektohet nga një virus tjetër.

Për këtë arsye, eksperti i shëndetit thotë se qytetarët duhet të marrin masa paraprakisht, siç është vaksinimi kundër Covid, vaksinimi kundër gripit sezonal, vendosja e maskës dhe shmangia e grumbullimeve në ambiente të mbyllura.

Mjeku thekson se çdo virozë apo virus respirator duhet të trajtohet potencialisht si Covid, deri sa të përcaktohet diagnoza e saktë e pacientit.

Dasho: Në kushte kur ka qarkullim qoftë të variantit Omicron, i cili infekton edhe persona që kanë pasur imunitet paraardhës qoftë në mënyrë natyrale, qoftë me vaksinë, çdo rast i një viroz respiratore duhet të trajtohet nga personat, potencialisht si Covid dhe duhet trajtuar me prioritet të lartë. Minimumi duke pasur një komunikim me mjekun e familjes  për të qenë në ndjekje të vazhdueshme.

Prandaj është shumë e rëndësishme, sidomos në Shqipëri ku kemi persona të pavaksinuar që çdo virozë respiratore  të trajtohet si potencialisht Covid.

Nuk është fenomen që kërkon vëmendje të veçantë për sa i takon mënyrës së trajtimit. Nëse ndiqen metodat e parandalimit, personat kryejnë vaksinën e Covid dhe të gripit, personat mbajnë një maskë në mjedise të mbyllura, shmangin grumbullimet e panevojshme, atëherë  çdo person do ta mbrojë veten në mënyrë shumë efektive.

Eksperti i shëndetit flet edhe për shtimin e dozave të vaksinës së Covid-19. Ai thotë se personat që numërojnë dozat e vaksinës janë persona që janë pozicionuar kundër vaksinimit, duke theksuar se vaksina mbron, gjithmonë nëse merret sipas rekomandimeve të mjekëve.

Dasho: Nuk flasim për shtim të dozave çdo vit, mos harrojmë që jo më larg se dje, një kompani farmceutike japoneze janë në prag të prodhimit të një vaksine që nxit imunitet afatgjatë, madhe dhe të përjetshëm në raport me Covid-in.

Zakonisht personat që numërojnë dozat i përkasin kategorive që janë kundër vaksinës. Nuk ka dyshim vaksinë mbron, ka një imunitet shumë të mirë, nëse merret ashtu si rekomandohet.

Për sa i takon gripit, të marrin sa më parë vaksinën e gripit që  çdo vit dhe i përshtate atij varianti të virusit të gripit që qarkullon, pra të marrin vaksinën që është prodhuar për  sezonin e virozave që është prodhuar për sezonin 2021-2022 dhe jashtë këtyre masave të masa të tjera parandaluese, pra mbajtja e një maske  cilësore, sidomos në mjediset e mbyllura dhe në mjetet e transportit publik.  Të shmangin frekuentimin e mjediseve të mbyllura kur kjo nuk është e nevojshme. Po të respektohen këto masa do të jemi shumë më të mbrojtur nga Omicron dhe gripi sezonal.

Sa të rrezikuar janë fëmijët nga Omicron?

Dasho: Në të gjithë Europën variantet Omicron dhe Delta është parë që janë shoqëruar nga një rritje e sëmundshmërisë te fëmijët. Simptomat që kalojnë  fëmijët janë të lehta. Nuk kemi parë që rritja e sëmundshmërisë të shoqërohet me rritje të vdekshmërisë. Po ekziston mundësia që fëmijët të sëmuren, por  fëmijët janë më rezistentë dhe nuk kanë zhvilluar simptoma serioze, as vdekje.

Si ndodh mbivendosja e 2 viruseve, është normale?

Dasho: Zakonisht nuk kemi mbivendosje, zakonisht një person që preket nga një virus është e vështirë të preket nga një virus tjetër. Por në kushte kur zhvillohen paralelisht grip dhe Covid mund të ndodh mbivendosje, këto raste do të jenë të veçanta, ka rëndësi të ketë një kujdes më të lartë.

Në Izrael është zbuluar rasti i parë i infektimit me Covid-19 dhe grip sezonal në të njëjtën kohë tek një person.Kjo gjendje që është quajtur “Flurona” dhe është identifikuar te një grua shtatzënë. Pas identifikimit të dy viruseve, rezultoi se gruaja ishte e pavaksinuar si kundër Covid-19 ashtu dhe kundër gripit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat