"Gropa" e avokaturës së shtetit, auditimi gjen shpenzime më të larta se kostoja e arbitrazheve

Shqipëria

"Gropa" e avokaturës së shtetit, auditimi gjen shpenzime më të larta se kostoja e arbitrazheve

Më: 10 janar 2022 Në ora: 17:35
Ilustrim

Avokatura e Shtetit ka kryer shpenzime më të larta se kostot reale në disa procese të zhvilluara ndaj Shqipërisë në arbitrazh. Auditimi ka evidentuar kosto financiare edhe nga moskërkimi i kostove të proceseve gjyqësore si dhe nga gjyqet e humbura me punonjësit e shkarkuar nga puna.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbardhur shkelje të tjera të Avokaturës së Shtetit ndërkohë që më herët u publikua fatura që do paguhet nga buxheti i shtetit për vendimet e arbitrazheve ndërkombëtare ku është i përfshirë shteti shqiptar.

Raporti konstaton të meta në punën e këtij institucioni që mbron interesat e Shqipërisë në gjykatat ndërkombëtare të Arbitrazhit. Sipas auditimit për 1 çështje për të cilën vendimi ka rezultuar në favor të shtetit shqiptar, Avokatura e Shtetit ka paguar një vlerë më të madhe se ajo të cilën duhet të shpenzonte  si kosto arbitrazhi.

Çështja në fjalë ka të bëjë me kompaninë që parashikonte ndërtimin e një impianti për djegie mbetjesh dhe prodhim energjie.

Sipas dokumentit zyrtar, Shqipëria ka paguar 59.504 euro më tepër dhe për këtë Avokatura e Shtetit duhet të marrë masat për rikuperimin e fondit.

Ndërkohë për gjyqin me fondin e investimeve AngloAdriatic Group, KLSH ka konstatuar se shuma e paguar nga Shqipëria si kosto arbitrazhi është 250 mijë euro, ndërsa shpenzimet gjyqësore janë deklaruar në vlerën e 1 milion eurove.

KLSH ka zbuluar se nga ana e Avokaturës së Shtetit nuk ka pasur veprime për njohjen e këtij vendimi me qëllim kërkimin e kostove.

Një tjetër problematikë lidhet me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas raportit për periudhën 2018-2020 janë zbatuar 3 vendime në vlerën e rreth 110 mijë euro, ndërkohë që rezultojnë të pazbatuar 7 vendime të tjerë me një kosto prej rreth 18 milionë euro, pa përfshirë këtu interesat në rast vonesash.

Kosto të tjera që rëndojnë buxhetin e shtetit kanë të bëjnë me vendimet për punonjësit e larguar nga puna në mënyrë të padrejtë. Nga auditimi rezulton se vlera totale e detyrimit gjatë viteve 2018-2020 për këto vendime është 8.8 milionë lekë, nga të cilat kanë mbetur për t’u paguar edhe 1.7 milionë lekë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat