Praglufte në Ukrainë/ Ish-Ministri i Jashtëm shqiptar tregon se çfarë fshihet pas letrës së Rusisë

Shqipëria

Praglufte në Ukrainë/ Ish-Ministri i Jashtëm shqiptar tregon se çfarë fshihet pas letrës së Rusisë

Më: 7 shkurt 2022 Në ora: 17:05
Arian Starova

Arian Starova, ish-ministër i Jashtëm, mbron idenë se qeveria shqiptare duhet të ketë qëndrim të njëjtë me NATO-n në rastin e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës.

Sipas tij, deklarimi zyrtar në emër të Shqipërisë do të vlente jo vetëm si ripohim i veçantë i qëndrimit të NATO-s, por do të ishte edhe një paralajmërim diplomatik kundrejt qëndrimit të Rusisë ndaj çështjeve të mprehta të Ballkanit Perëndimor dhe zgjidhjes përfundimtare të problemit të njohjes së Kosovës. Starova, një njohës i mirë i politikës së jashtme, shprehet për gazeta “Panorama” se letra e Moskës për vendin tonë nuk duhet parë si kërcënim, pasi Rusia thotë ai nuk e ka këtë fuqi, por e quan të vonuar përgjigjen e Tiranës zyrtare, pasi, sipas tij, duhej një qëndrim më i fortë i qeverisë dhe i Parlamentit. Deklaratën e Kryeministrit Edi Rama se Shqipëria do të jetë bashkëhartuese e qëndrimeve për çështjen e Ukrainës, Arian Starova e quan si “përrallë diplomatike”, teksa i kujton se synimi kryesor i Shqipërisë përgjatë dy vjetëve që do të jetë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurisë në OKB, është të punojë fort për çështjen e pavarësinë e Kosovës.

Z. Starova, si e konsideroni letrën që Rusia u ka dërguar vendeve të Bashkimit Europian dhe NATO-s, përfshirë Shqipërinë, për një pozicionim të qartë lidhur me çështjen e Ukrainës? Çfarë maskohet në letrën e Moskës ndaj vendeve marrëse?

Ajo letër është një kërkesë e hapur në shkelje të sovranitetit të Ukrainës dhe të parimeve që qëndrojnë në themel të Aleancës së NATO-s. Së pari, Ukraina si shtet sovran e vendos nëpërmjet popullit dhe elitave të saj politike rrugën që do të ndjekë në të ardhmen, në këtë rast anëtarësimin në NATO. Ajo e ka vendosur që kërkon të anëtarësohet në NATO. Së dyti, NATO është një aleancë politike-ushtarake e cila e cila përbëhet nga 30 shtete anëtarë dhe ka në themel të Kartës së Atlantikut që i bashkon vlerat dhe parimet e lirisë dhe të demokracisë, kurse si synim strategjik mbrojtjen e këtyre vlerave euroatlantike dhe të sistemeve politike demokratike që i mishërojnë ato. Parë në këtë këndvështrim, më vjen keq të shoh që Shqipëria nuk mban një qëndrim shumë mbështetës, për më shumë që është edhe anëtare e Këshillit të Sigurisë të OKB-së.

Është fare e qartë se ajo çka maskohet në këtë letër është synimi i Rusisë për të pasur më shumë ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare. Unë do ta quaja këtë letër një veprim paralajmërues të politikave kundërdialog dhe të forcës nga ana e Rusisë.

Megjithatë, meqenëse aftësia e një shteti për t’i mbështetur me forcë politikat e tij nuk varet as nga numri i ushtarëve dhe as nga numri i armëve dhe i pajisjeve ushtarake, por nga fuqia ekonomike, atëherë mbetet të hamendësohet se Rusia kërkon të mbajë atë çka ka arritur deri tani, mbajtjen e Krimesë dhe të hapësirave tokësore të Ukrainës si pjesë të saj. Kjo është diçka e padialogueshme për SHBA dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s, por Rusia vazhdon të “shtyjë” në këtë drejtim. Ndërkohë, popullit rus i tërhiqet vëmendja prej problemeve të brendshme të tij, që nuk janë të pakta siç kuptohet nga qëndrimi zyrtar ndaj opozitës ruse.

Letra e ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, a është një kërcënim për Shqipërinë, pavarësisht se Kryeministri Rama i cilësoi akuzat për kërcënim të Rusisë si “zhurmë folklorike” në katundin e PD-së?

Mendoj se duhet të jemi të qartë se Rusia nuk ka fuqi ta kërcënojë Shqipërinë. Pavarësisht kësaj, Kryeministri Rama mund të ishte kundërpërgjigjur ashtu siç duhet ndaj kësaj letre, duke u mbështetur mbi idetë e NATO-s, siç e thamë më lart. Të shikojmë se ç’qëndrim do të mbajë Shqipëria kur të shkojë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por gjithsesi do të jetë disi e vonuar edhe nëse e bën. E vërteta është se NATO dhe bashkësia e vendeve euroatlantikë kanë interes të bashkëpunojnë me Rusinë për çështje të paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare, por nuk ka ardhur puna që ndërmjetës për këtë të bëhet Kryeministri Rama, i cili ka një “mal” me probleme sigurie brenda Shqipërisë, të cilat në njëfarë mënyre edhe eksportohen jashtë saj në rajon dhe në Europë.

Rusia u kërkon këtyre vendeve të sqarojnë veç e veç, sa më shpejt, qëndrimet e tyre, por a duhet të jetë qeveria shqiptare edhe më e shpejtë në përgjigjen e saj sesa i kërkohet?

Përgjigjen tonë nuk mund të na e detyrojë Rusia, por gjithsesi ne si Shqipëri jemi të vonuar. Përgjigjja e NATO-s me shkrim ndaj Rusisë është edhe përgjigje e jona, por duke mbajtur parasysh synimet gjeostrategjike të Rusisë në Ballkan, ne duhej të kishim pasur një qëndrim të fortë, si të qeverisë edhe të Kuvendit.

Çfarë qëndrimi duhet të mbajë Tirana zyrtare lidhur me çështjen e Ukrainës?

Asnjë ide tjetër më shumë sesa qëndrimi i NATO-s. Deklarimi zyrtar në emër të Shqipërisë (i cili ende pret të bëhet) do të vlente jo vetëm si ripohim i veçantë i qëndrimit të NATO-s. Ai do të ishte edhe një paralajmërim diplomatik kundrejt qëndrimit të Rusisë ndaj çështjeve të mprehta të Ballkanit Perëndimor dhe zgjidhjes përfundimtare të problemit të njohjes së Kosovës.

Si e shikoni rolin e Shqipërisë në këtë çështje të nxehtë botërore dhe qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama, i cili bëri të ditur se SHBA kanë zgjedhur Shqipërinë si bashkëhartuese të qëndrimeve për çështjen e Ukrainës, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Nuk besoj në “përralla diplomatike” të tilla. Dhe besoj se shumë shpejt këtë do ta mësojnë të gjithë.

Sipas Kryeministrit, Shqipëria do të ketë rol aktiv në këtë çështje, një qëndrim me SHBA në OKB dhe bashkautorësi për çdo projekt paqeje. Ky qëndrim i unifikuar me SHBA-në, a ia rrit besimin Shqipërisë në arenën ndërkombëtare?

Siç e thashë më lart, nuk e besoj këtë “përrallë” dhe natyrisht, nuk do të kishte kuptim të flisja për të. Që Shqipëria do të ketë bashkërendim të qëndrimeve me SHBA-në, kjo nuk është diçka e re, por e vjetër sa demokracia shqiptare. Më vjen keq që të dëgjoj të spekulohet mbi këtë të vërtetë nga vetë Kryeministri.

Një prej synimeve kryesore të Shqipërisë përgjatë dy vjetëve që do të jetë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurisë në OKB është të punojë fort për çështjen e pavarësinë e Kosovës.

A ka të drejtë Edi Rama kur thotë se Rusia nuk është një vend armik i Shqipërisë, por në lidhje me konfliktin me Ukrainën ndajnë qëndrime të ndryshme?

Për sa kohë Rusia mban atë qëndrim që tashmë njihet mirë ndaj pavarësisë së Kosovës, është e habitshme që Kryeministri Rama shprehet në të tillë mënyrë. Duket se ai ka të njëjtin mendim me Serbinë zyrtare që Kosovën e sheh si pjesë të saj dhe të shkëputur prej Shqipërisë dhe, prandaj nuk arrin të shohë probleme dhe armiqësi me Rusinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat