Sektori i bimëve medicinale rrezikon falimentimin

Shqipëria

Sektori i bimëve medicinale rrezikon falimentimin

Më: 22 prill 2022 Në ora: 14:31
Foto ilustrim

Mijëra familje në Malësi të Madhe jetojnë duke siguruar të ardhurat përmes kultivimit të Bimëve Medicinale. Por kriza që ka përfshirë Shqipërinë me rritjen e çmimeve duket se po çon këtë sektor drejt falimentimit. Ekspertët thonë se nëse nuk do të ketë ndërhyrje sipërfaqja mund të ulen në 1/3 në vitet e ardhshme.

Kriza me çmimet ka goditur thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë, e përjashtim nuk bëjnë as fermerët. Një nga sektorët me të cilin Shqipëria ka hyrë në tregun europian dhe atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç janët bimët medicinale, po përballen në këto javë me rritje të çmimit të inputeve bujqësore dhe krahut të punës. Kjo rrezikon të ndikojë në sipërfaqen e mbjellë, ku nga 4 mijë hektarë që janë aktualisht në Malësi të Madhe, specialistët e bujqësisë thonë se ajo mund të reduktohet ndjehshëm.

Agim Rama, specialist i bujqësisë: “ Atëherë sipas analizës që i bëjmë kostos ne i bie me provu produkte edhe kostoja duhet me qenë më e madhe sesa çmimi, prespektiva është shumë e zymtë. Nëse vazhdon kështu normal këto janë të diktuara nga kriza botërore, nga lufta por kjo zonë ka për të mbetur me një hektarë bima aromatike ose 2 mijë për 3 vjet.”    

Zgjidhje të vetme që situata të mos perkeqësohet, specialistët shohin ndërhyrjen e shtetit përmes subvencioneve, por edhe firmat që blejnë produktin të rrisin ofertën. Në këtë formë shmanget rreziku i reduktimit të sipërfaqes së kultivuar me bimët eterovajore.

Agim Rama, specialist i bujqësisë: “ Duhet një dorë, dora e Zotit në rradhë të parë por duhet edhe sa mundet dora e shtetit për rregullimin e këtyre inputeve bujqësore të mekanikës, por mund të ndihmojë me subvencione sepse shteti e ka në dorë.”

Aktualisht janë deri në 4 mijë familje që sigurojnë të ardhurat nga ky sektor.

“Malësia e Madhe sot ka rreth 4800 hektarë të mbjellura janë kryesisht sherbel, lavandë, trumzë, rigon. Ka edhe bimë të tjera që po kultivohen”.

Malësia e Madhe numëron 7 qendra grumbullimi të bimëve eterovajore, që konkurojnë në tregjet ndërkombëtare.

Pa ndërhyrjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe strukturave të tjera të shtetit, situata vetëm do të vijë duke u përkeqësuar, deri në atë pikë sa të rrezikohet vazhdimësia e këtyre prodhimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat