Emrat/ Zbardhet grabitja e bankës në Koplik të Shkodrës, arrestohen tre persona

Shqipëria

Emrat/ Zbardhet grabitja e bankës në Koplik të Shkodrës, arrestohen tre persona

Më: 5 qershor 2022 Në ora: 10:37
Policia e Shtetit

Grabitja e bankës në Koplik të Shkodrës disa ditë më parë është zbardhur, ku janë vënë në pranga tre persona që dyshohet se janë autorë të ngjarjes.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër Hamdi Fjora dhe prokurori i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër Gëzim Spahiu, ditën e sotme dolën ne konferencë për zbardhjen e grabitjes në filialin e një banke të nivelit të dytë, në Koplik, Shkodër.

Më datë 09.05.2022, në Koplik, Malësi e Madhe, disa persona të paidentifikuar, nëpermjet kërcënimit me armë dhe dhunës, morën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare, në një bankë.

Pas një pune të mirorganizuar u bë e mundur zbardhja e kësaj ngjarjeje kriminale. Si rezultat u kapën dhe u ndaluan shtetasit:

Bekim Gurraj, 22 vjeç, Armir Shabaj, 25 vjeç dhe Admir Shabaj, 19 vjeç, banues në Aliaj, Malësi e Madhe.

Ndalimi i këtyre shtetasve u bë sepse në datën 09.05.2022, rreth orës 14:10, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë hyrë në degën e BKT-së, në Koplik, Malësi e Madhe dhe kanë marrë vlera të konsiderueshme monetare.

Nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar me prova ligjore se autorët e sipërpërmendur, për kryerjen e aktivitetit kriminal, kanë përdorur 2 armë zjarri dhe një automjet tip “Golf 3”, pa targa, të cilin pas realizimit të grabitjes, e kanë braktisur dhe e kanë djegur tek vendi i quajtur “Rrethrrotullimi i Bajzës”, Koplik.

Pas djegies së mjetit, nën kërcënimin e armëve, kanë ndaluar në rrugë automjetin me drejtues shtetasin T. L., të cilit ia kanë marrë me forcë automjetin dhe më pas janë larguar më shpejtësi në drejtim të fshatit Shegan, Njësia Administrative Kastrat, ku dhe e kanë braktisur këtë mjet.

Po nga hetimet rezultoi se këta shtetas, armët e zjarrit, pas ngjarjes, i kanë hedhur në ujë, në vendin e quajtur “Syri i Sheganit”, degëzim i liqenit të Shkodrës. Aktualisht është duke vijuar kontrolli nga polumbarët e RENEA-s, për të bërë të mundur gjetjen e tyre. Deri tani, polumbarët kanë bërë të mundur gjetjen e njërës prej armëve të zjarrit, konkretisht një armë zjarri kallashnikov.

Gjatë operacionit, nga kontrolli i banesave të shtetasve të lartpërmendur, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, konkretisht:

Në banesën e shtetasit Bekim Gurraj u gjetën dy radio marrëse-dhënëse si të Policisë, bluzë dhe kapele si të Policisë dhe disa veshje të përdorura nga ky person disa ditën para ngjarjes, kur ka studiuar ambientin e jashtëm të filialit, me qëllim realizimin e vjedhjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat