Çuçi: Uzina e armëve në Gramsh është objekt i deklasifikuar, do të hetojmë deri në fund

Shqipëria

Çuçi: Uzina e armëve në Gramsh është objekt i deklasifikuar, do të hetojmë deri në fund

Më: 23 gusht 2022 Në ora: 08:04
Bledi Çuçi

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi theksoi se kemi në kontroll çdo gjë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në afërsi të rrethimit të Uzinës Ushtarake në Gramsh. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi, Çuçi tha se për rastin e Gramshit ka një hetim që ka filluar dhe kemi një procedim e akuzë nga Prokuroria e rrethit të Elbasanit. Ai tha se objekti është i deklasifikuar.

“Është një ngjarje që as e kemi mbivlerësuar e as e kemi nënvlerësuar po hetojmë me të gjithë faktet e rrethanat që ekzistojnë për këtë ngjarje. Pavarësisht se ky objekt ka qenë dhe është i deklasifikuar për nga rrethana se si kanë tentuar të hyjnë shtetasit e huaj dhe për pajisjet që kishin me vete dhe për shkak të agresionit që kanë ushtruara ndaj personave që ishin në detyrë për ruajtjen e objektit, këta persona janë marrë nën hetim nga Prokuroria e rrethit të Elbasanit. Hetimi do të bëhet i plotë, gjej rastin të falënderoj partnerët që ne bashkëpunojmë gjithmonë, sidomos për krimin e organizuar, që janë përgjigjur për të na ndihmuar për ta sqaruar deri në detaje këtë histori. Mendoj që për çdo të dhënë tjetër ne lidhje me këta persona t’ia lëmë hetimit ta zbërthejë deri në fund skemën policia nën drejtimin e Prokurorisë. Pa diskutim gjatë ditëve në vijim për elementë të rinj që do dalin apo në lidhje me përfundimin e hetimit do komunikojmë me publikun për të dhënë të gjithë panoramën e situatës nga pikëpamja e qëllimit dhe atë që përfaqësojnë këta persona të cilët kanë tentuar jo sipas rregullave dhe ligjit që duhet të ndiqnin si procedurë, tha ai.

Ministri  u shpreh se “ka sot në botë shumë turistë aventurierë që e kanë si qëllim këtë lloj turizmi për të fotografuar objekte me karakter të veçantë dhe grupi objekteve me karakter të veçantë në Evropën Lindore, e përbëjnë këto uzina apo objekte të tjera që kanë qenë pjesë e një industrie të që i ka takuar Luftës së Ftohtë. Ndaj do të hetojmë deri në fund për pozicionin e gjithkujt në këtë ngjarje. Ne kemi qenë shumë të qartë me qëndrime si Policia dhe Prokuroria për të ndarë dëshirën për të bërë turizëm aventuresk me një tentativë për të dhënë informacione që mund të kërkohen nga shërbime të ndryshme të huaja. Pavarësisht se objekti është i deklasifikuar dhe nuk përbën një sekret shtetëror prapë ne po hetojmë qëllimin e këtyre njerëzve, të cilët kanë ushtruar agresion dhe dhunë ndaj personave që kanë detyrë ruajtjen e këtij objekti”, tha Çuçi.

Ndër të tjera, ai u shpreh se ka turistë të cilët bëjnë foto në vende ku ka uzina të vjetra. Sipas tij, kjo nuk përbën vepër penale.“Ka një kategori turistësh që u jep adrenalinë kjo punë që shkojnë gjejnë vende të braktisura, fabrika uzina të vjetra dhe e kanë si koleksion fotosh dhe padiskutim kjo nuk përben vepër penale. Vepër penale përbën kur ti fillon e shkel një nen të Kodit Penal. Të gjitha objektet e fotografuara janë të deklasifikuara. Në momentin që shkel një nen të Kodit Penal të Shqipërisë do të fillojë edhe procedimi”, theksoi Çuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat