Tabaku: Lustracioni rruga për t’i dhënë fund tranzicionit

Shqipëria

Tabaku: Lustracioni rruga për t’i dhënë fund tranzicionit

Më: 24 gusht 2022 Në ora: 07:44
Jorida Tabaku

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku përkujtoi 23 Gushtin, Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare.

Ajo thekson se lustracioni është rruga për t’u përballur me të tashmen dhe të ndërtojë të ardhmen.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale Tabaku thekson se, 23 Gushti është ditë reflektimi dhe pendese.

“Dita e përkujtimit të viktimave të regjimeve totalitare (komunizëm dhe nazizmi) nuk mund të mbetet thjesht një datë përkujtimore në kalendarin e një vendi si Shqipëria. Që për gati 50 vjet u rrënua në të gjithë dimensionet e saj nga një prej diktaturave më të egra komuniste. Për nga numri i viktimave, të të internuarve dhe atyre që u persekutuan në raport me popullsinë, shqiptarët përjetuan terrorin e ngjashëm me stalinizmin, ku vuajtjet dhe terrorit nuk i shpëtuan as ata që fizikisht nuk ishin në burgje apo internime. Dhe është e qartë që një shoqëri e mbrujtur për dekada me terror ka nevojë për pendesë dhe reflektim për t’iu  rikthyer vlerave të një shoqërie të zhvilluar që jeton me respekt të tashmen dhe ndërton me themele të forta të ardhmen për brezat që vijnë. Por a ja kemi dalë ne të gjithë të kalojmë këtë sfidë? Për fat të keq na duhet ta pranojmë se megjithëse kanë kaluar 3 dekada nga rënia e komunizmit ende e shkuara jonë përdridhet dhe na del përpara nesh. Ajo shpërfaqet në forma të ndryshme, diku ajo na del në mes të ditës në formën e një portreti në një ditë përkujtimore të njëanshme, më tej shfaqet si arrogancë ndaj dhimbjes dhe përvuajtjes së atyre që u dergjen burgjeve, internimeve apo diktatit të njollës në biografi”, shprehet Tabaku.

Tabaku shton se, Shqipëria komuniste, një vend që vrau deri dhe Zotin ishte një skëterrë që nuk mund dhe nuk duhet harruar.

“59 mijë shqiptarë të internuar në kampe të tmerrshme pune dhe në Gulagët e modelit sovjetik janë historia e gjallë dhe e prekshme që edhe pse shumëkush mendon që do të harrohet ajo rron. 34 mijë shqiptarë të dënuar në burgjet e komunizmit shumicën e historive të tyre ka mbetur e heshtur në skëterrën e dhimbjes. 6027 shqiptarë të vrarë dhe pushkatuar nga regjimi komunist në 5 dekada të qeverisjes prej tij. 308 shqiptarë u dëmtuan mendërisht në burgjet e regjimit komunist duke kaluar në çmendi të plotë apo dhe duke u eksperimentuar me to. 984 shqiptarë vdiqën brenda në ato burgje të vrarë në tentativë për arratisje apo dhunuar mizorisht nga regjimi. Por të gjitha sa më lart mund të mbeten thjesht evidenca statistikore nëse nuk ja dalim t’i ngulisim në mendje më të rinjve se shifrat janë jetë të ndërprera dhe jo statistika. Janë jetë të shkatërruara të qytetarëve të pafajshëm. Që thjesht mendonin ndryshe dhe për këtë paguan një faturë të lartë. Kjo është tragjedia jonë kombëtare për të cilën duhet të flasim sa më shpesh”, shprehet ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat