A cenohet siguria kombëtare nëse hapen Dosjet e Sigurimit të Shtetit? Drejtori i DSIK-së habit me përgjigjen

Shqipëria

A cenohet siguria kombëtare nëse hapen Dosjet e Sigurimit të Shtetit? Drejtori i DSIK-së habit me përgjigjen

Më: 20 shtator 2022 Në ora: 11:04
Drejtori i DSIK

Projektligji i ri i qeverisë për informacionin e klasifikuar në vend mund të rikthejë për diskutim hapjen në bllok të të gjitha dosjeve të Sigurimit të Shtetit.

Ditën e sotme në mbledhjen e Komisionit të ligjeve, Drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar është pyetur nga deputetja socialiste, Ermonela Felaj, nëse mund të hapen të gjitha dosjet e para vitit 1991 dhe a cënohet siguria kombëtare.

“Ne nesër do kemi për diskutim ligjin për Autoritetin e Dosjeve, një ndryshim që është propozuar në atë ligj dhe ka kolegë të opozitës që kanë bërë propozimin që deklasifikimin në bllok të të gjitha dokumenteve të krijuara nga ish sigurimi i shtetit për periudhën kur është krijuar SHIK deri në 1991. Deklasifikimi në bllok mendoni se mund të cënojë sigurinë kombëtare? A duhet ta vlerësojë Autoriteti i Dosjeve deklasifikimin?”, u shpreh Felaj.

Nga ana tjetër drejtori i DSIK-së, Dorian Tola u shpreh se siç ka ndodhur edhe këto 30 vite, deklasifikimi po bëhet rast pas rasti, duke mos vënë në rrezik sigurinë kombëtare.

Diskutimi në mbledhje

Elisa Spiropali: Ligji parashikon përjashtimin nga procedurat e verifikimit të Sigurisë për Presidentin e Republikës dhe Kryeministrin të cilët autorizohen të kenë qasje te informacioni i klasifikuar për shkak të kryerjes së detyrave të tyre zyrtare dhe pajisen me certifikatën e sigurisë së personelit pa u kryer verifikimi i sigurisë. Janë përcaktuar shkeljet e sigurisë duke i ndarë në të rënda dhe të lehta. Për herë të parë është përcaktuar deklasifikimi i pjesshëm duke rregulluar mundësinë për të zbuluar në mënyrë të autorizuar informacionet.

Ermonela Felaj: Nuk ka dokumente të përjetshme, por pas kalimit të një afati të caktuar mund të njihesh me përmbajtjen e një informacioni. Ka nevojë për të sqaruar disa pyetje: nëse informacioni është klasifikuar nga një institucion që nuk ekziston më, kush e bën deklasifikimin? A e gjeni me vend që disa institucione, punonjësit e tyre, të pajisen me certifikatë sigurie? Punonjësit e AKSHI-t, a duhet të jenë të gjithë pajisur me certifikatën e sigurisë personale? Ne nesër do kemi për diskutim ligjin për Autoritetin e Dosjeve, një ndryshim që është propozuar në atë ligj dhe ka kolegë të opozitës që kanë bërë propozimin që deklasifikimin në bllok të të gjitha dokumenteve të krijuara nga ish sigurimi i shtetit për periudhën kur është krijuar SHIK deri në 1991. Deklasifikimi në bllok mendoni se mund të cënojë sigurinë kombëtare? A duhet ta vlerësojë Autoriteti i Dosjeve deklasifikimin?

Dorian Tola (DSIK): Kur është shuar një institucion, është një institucion tjetër që trashëgon të gjithë fondin arkivor. Kemi rastin e dokumenteve të Komitetit Qëndror që kaluan te Arkiva dhe atyre iu nënshtruan procesit të deklasifikimit. Ka gjithmonë një institucion që i trashëgon dokumentet. Deklasifikimet në bllok janë delicate. Edhe te propozimi që është bërë ka një kusht: nëse cënohet siguria kombëtare apo prek një partner. Paraprakisht kja një process vlerësimi nëse ky informacion nëse del cënon apo jo sigurinë kombëtare. Ka shtete që i kanë deklasifikuar në bllok. Ne kemi zgjedhur një deklasifikim të kontrollueshëm, rast pas rasti, me kujdes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat