​Protesta e pedagogëve, Kushi: Me dialog dhe mirëkuptim gjejmë zgjidhje

Shqipëria

​Protesta e pedagogëve, Kushi: Me dialog dhe mirëkuptim gjejmë zgjidhje

Më: 15 tetor 2022 Në ora: 17:22
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka theksuar se dialogu dhe fryma konstruktive duke mirëkuptuar njëri-tjetrin do të mund t’i jap zgjidhe protestës së pedagogëve dhe kërkesave të tyre. Kushi tha se të dyja palët duhet të mirëkuptojnë kushtet reale dhe burimet që kemi në dispozicion.

Këto deklarata ministrja i bëri gjatë fjalës së saj në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit të Sporteve të Tiranës.

“Shpeshherë gjendemi përballë sfidave të vështira. Shpeshherë kemi debate me njëri-tjetrin. Shpeshherë kemi mosdakordësi. Por në vend që të konfrontohemi unë besoj që zgjidhja më e mirë është që ne të ulemi bashkërisht pikërisht me frymë konstruktive me frymë dialogu me frymë ndershmërie, dhe duke mirëkuptuar njëri-tjetrin. Duke mirëkuptuar kushtet reale dhe burimet që kemi në dispozicion”, tha Kushi.

Duke folur për të ardhurat e universiteteve, Kushi tha se tarifat e studentëve janë vetëm një burim pasi ligji i arsimit të lartë i jep mundësi universiteteve që të ofrojnë shërbime për palët e treta dhe duke gjeneruar në këtë mënyrë të ardhura përmes projekteve apo asistencës teknike.

“Ka shumë universitete që e bëjnë më së miri këtë duke siguruar të ardhura që më pas mund t’i shfrytëzojnë më pas për rritjen e pagave të pedagogëve. Ne tashmë kemi një dialog me universitetet, me rektorët, me sindikatat, me pedagogët. Le ta shfrytëzojmë këtë komunikim për të bërë më të mirën për universitetet tona, më të mirën për studentët, por më të mirën edhe për pedagogët sepse jam e bindur se ata meritojnë shumë më shumë dhe patjetër që do të vazhdojmë të punojmë në mbështetje të tyre”, tha Kushi.

Pedagogët kërkojnë rritje të rrogës me 30 % për 2022 dhe 20 % për 2023, ndërsa theksojnë se nuk do të negociojnë për kërkesat e tyre. Deri më tani nga ana tjetër qeveria ka miratuar rritjen e rrogës së tyre vetëm me 7 %.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat