"Të bëjmë Shqipërinë si Kosova", denoncimi mbi raportin e fundit: Shqipëria 4 vende poshtë Vietnamit komunist

Shqipëria

"Të bëjmë Shqipërinë si Kosova", denoncimi mbi raportin e fundit: Shqipëria 4 vende poshtë Vietnamit komunist

Më: 30 tetor 2022 Në ora: 12:55
Foto ilustrim

Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar të dhënat e raportit “World Justice Project për Treguesin e Shtetit Ligjor”, duke theksuar se Shqipëria renditet në vendin e 87-të, 4 vende poshtë se Vietnami komunist.

Ai thekson se shpjegimi është reforma sorosiane e drejtësisë në Shqipëri e cila sipas tij ka këputur kolonën vertebrale të shtetit shqiptar dhe i ka mohuar shqiptarëve të drejtën e një procesi të rregullt ligjor.

Berisha shton se Kosova nga ana tjetër qëndron 53 shkallë mbi Shqipërinë pasi atje bëhen zgjedhje të lira dhe të rregullta dhe reforma e drejtësisë atje nuk është shkatërruar nga George Soros.

Statusi i plotë i Sali Berishës:

Shqipëria sipas “World Justice Project për Treguesin e Shtetit Ligjor”, renditet në vendin e 87-të, apo 4 vende nën Vietnamin komunist dhe një vend me poshtë se Gambia.

Vietnami është diktaturë komuniste pra të gjitha pushtetet i ka Partia Komuniste e cila bazuar në doktrinën Marksiste-Leniniste dhe jo votën e qytetarëve, ka rolin e saj rolin udhëheqës të garantuar me ligje. Në Vietnam zgjedhjet bëhen, por janë fiktive. Pra, në Vietnam kemi të bëjmë me diktaturë ideologjike.

Në Shqipëri e cila për “Treguesin e Shtetit Ligjor” renditet katër shkallë apo katër vende më poshtë se Vietnami, të gjitha pushtetet i ka Partia Socialiste e cila bazohet në vjedhjen, krimin dhe drogën.

Në Shqipëri njesoj si në Vietnam zgjedhjet janë fiktive sepse votën Edi Rama e plaçkit dhe e dhunon me patronazhistët, bandat e krimit dhe narkoeurot. Pra në Shqipëri nuk kemi të bëjmë me diktaturë ideologjike por kemi të bëjmë me sundim njëpartiak të bazuar në drogën dhe krimin, pra me narkodiktaturë. Me të drejtë lind pyetja; po si ka mundësi që Vietnami i diktaturës komuniste qëndron katër shkallë më lartë për “Treguesin e Shtetit Ligjor” se Shqipëria e Narkodiktaturës të Edi Ramës!

Shpjegimi është vetëm një!

Reforma sorosiane e drejtësisë në Shqipëri e cila i këputi kolonën vertebrale shtetit shqiptare dhe iu mohoi shqiptarëve të drejtën e një procesi të rregullt ligjor.

Edhe në Vietnam sigurisht drejtësia kontrollohet nga partia por aty vendimet jepen brenda afateve ligjore të pranueshme. Kurse në Shqipërinë, Republikën e George Soros, qytetarit për të marrë vendimin në gjyq i duhet të prese edhe 10 edhe 15 vite ose të paguajë rryshfet “Dvoranëve” të drejtësisë për të afruar shqyrtimin e çështjes në gjyq.

Kosova qëndron 53 shkallë mbi Shqipërinë sepse në Kosovë bëhen zgjedhje të lira të rregullta. Ajo nuk është Republikë George Soros dhe narkodiktaturë si Shqipëria dhe sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk u shkatërrua nga Reforma e George Soros.

Revolucioni Demokratik është vendimtar për të bërë Shqipërinë si Kosova dhe shpëtuar atë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat