Krimi makabër/ Si u gjet i ekzekutuar dhe i djegur në makinën e tij oficeri i SHISH!

Shqipëria

Krimi makabër/ Si u gjet i ekzekutuar dhe i djegur në makinën e tij oficeri i SHISH!

Më: 3 nëntor 2022 Në ora: 06:26
Isa Çopa

Në Shënjestër/ Vrasja e Isa Çopës, drejtor i Kundërzbulimit në Drejtorinë e Shërbimit Informativ është një nga historitë më intriguese, që do të mbante mbërthyer, çdo hetues që do të kishte në dorë një dosje të tillë.

Një krim që për vite me radhë është endur si në një rebus, por që me kalimin e kohës ka mbetur pa autor dhe një zgjidhje.

Çfarë fshihet në fletët e verdha të ekzekutimit në mbrëmjen e 24 tetorit 2011, të oficerit madhor të Shërbimit Informativ Shtetëtor në Durrës, Isa Çopa.

Babait dhe bashkëshortit, që i mungon familjes pa një arsye, për 11 vite të gjata dhe të mundimshme, pa dhënë drejtësi.

Ku po shkonte ai me aq nxitim atë mbrëmje, të 24 tetorit 2011?

Përse me vete, si rrallëherë, mori armën e shërbimit?

A u tradhtua ai nga brenda strukturave të Shërbimit Informativ?

Dhe pse krimit për shumë kohë, u përpoq ti vishej një tis manipulimi?

Kush është ish-kolegia e tij që takoi në çastet e fundit dhe çfarë biseduan?

A është ajo zgjidhja e enigmës së vrasjes së tij?

Do të jetë kjo dosja, ku për herë të parë, pas shumë kohësh, emisioni ‘Në shënjestër’, do të përpiqet të hedhë edhe njëherë dritë, mbi misterin e vrasjes së Isa Çopas.

Dhe pse prokuroria është e bindur që ngjarja e fund tetorit të 11 viteve më parë, nuk është vetëvrasje, por një vrasje tipike mafioze.

E siguruar, pse jo, nga një dorë e stërvitur, që u përpoq jo vetëm të mos linte gjurmë krimi, por edhe të bënte të besonte se akti ishte një sabotim i vetë viktimës.

Ku autorët, u kujdesën, si në një krim perfekt, që për ta bërë sa më të besueshëm versionin e tyre të vetëvrasjes, të dërgonin në telefonin e djalit të viktimës së tyre, edhe një mesazh.

Një mesazh, në dukje lamtumire. 

Por që la të habitur edhe djalin e tij.

Të cilit iu duk i pazakontë, një tekst i tillë.

Pa e ditur se pas atij teksti, fshihej një dorë kriminale e cila do e ndante përgjithmonë nga babai i tij. 

Redian Çopa:

“Babai im u kthye në shtëpi rreth orës 7.00 të mëngjesit, të datës 24 Tetor 2011, pasi la nënën time në stacionin e autobusit të Shijakut. 

Kjo pasi nëna ime punon si mësuese në këtë qytet. 

Më pas unë ika në shkollë dhe kur erdha në shtëpi nuk e gjeta më babain aty. 

Në orën 18.33, të po kësaj date, në numrin tim të telefonit, më vjen një mesazh nga numri i babat tim. 

Ku shkruhej ‘Redi je shumë i mirë! Babi krenohet me ty, mëso sa më shumë që ta çash vetë jetën, mbështetu tek mami, por mos harro gjakun’. 

Siç e thamë, sigurisht një mesazh i pazakontë.

Përse babai i tij, po i kujtonte gjakun?

Çfarë po linte ai të nënkuptohej me këto rreshta?

I alarmuar nga ky mesazh, djali i Isa Çopas, nuk priti të kishte një sqarim nga babai i tij.

Se ç’ishte ky mesazh?!!!

Por, siç tha edhe ai vetë, para hetuesve, ai e mori vetë babain e tij në telefon. 

Por nga krahu tjetër i telefonit nuk erdhi asnjë përgjigje.

As në atë moment, dhe as më vonë.  

Redian Çopa:

Menjëherë sapo pashë tekstin e mesazhit. i bëra një thirrje në telefon babait tim. 

Atij i shkoi zilja, por nuk mora asnjë përgjigje.
Më pas e provova sërish, por numri i telefonit më doli i fikur.

Ishte ky momenti kur Rediani nuk priti më.

Por lajmëroi menjëherë nënën e tij.
Dhe të dy, telefonuan fillimisht vëllain e Isait.

Halit Çopa, që edhe ky provoi të lidhet me vëllain e tij, por që kontakti telefonik ishte i pamundur.

Halit Çopa:

Unë kam qenë në shtëpi deri në orën 17.35, të datës 24 Tetor 2011. 

Më pas dola dhe shkova te lokalet e lulishtes te muzeu në lagjen Nr. 11 në Durrës, për të pirë kafe bashkë me burrin e motrës. 

Gjatë kësaj kohe unë u telefonova nga Rediani dhe Arta, të cilët më rrëfyen për tekstin e mesazhit që Isai i kishte dërguar djalit të tij. 

Dhe se Isai pas këtij mesazhi, nuk po përgjigjej në telefon.

Sipas Halit Çopas, i shqetësuar, ai rendi te shtëpia e vëllait të tij.

Dhe më pas të gjithë bashkë u larguan nga aty, për të kërkuar Isain, në vendin ku ai mendohej se rrinte zakonisht.

Por edhe në institucionin e tij të punës. 

Por të gjitha kërkimet e tyre do të rezultonin të kota.

Pasi Isa Çopa, do të gjendej i vrarë, vetëm disa orë pas zhdukjes së tij të beftë.

I goditur me sende të forta dhe i karbonizuar brenda automjetit të tij ‘Opel Corsa’.

Në zonën e Currilave, në Durrës.

Një pamje makabër që rriti edhe më shumë dyshimin mbi atë çfarë mund të kishte ndodhur me oficerin e kundërzbulimit të shërbimit informativ.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’, makina me trupin e tij të shkrumbuar, u gjet në orën 00.30, të mëngjesit e herët të datës 25 Tetor 2011.

Në vendin e quajtur ‘Bisht Kallm’ në zonën e Currilave. 

Vetëm disa orë pasi ai rezultonte të ishte zhdukur.

Dosja Hetimore

Pas marrjes së njoftimit nga ana e Drejtorisë së Policisë Qarku Durrës, në bashkëpunim dhe me strukturat e Shërbimit Informativ-Dega Durrës, u organizua puna për kontrollin e territorit me qëllim gjetjen e shtetasit Isa Çopa dhe sqarimin e rrethanave të largimit tij. 

Rreth orës 00.30 në vendin e quajtur “Bisht Kallm” në fund të ‘Currilave’ në lagjen Nr 1 Durrës, u gjet i djegur automjeti i shtetasit Isa Çopa, i tipit ‘Opel Corsa’ ngjyrë vishnje me targë TR 5175 A, brenda të cilit ndodhej dhe kufoma e shtetasit Isa Ccopa e djegur pothuajse plotësisht.

Sipas dinamikës së ndërtuar nga grupi hetues, makina me trupin e Isa Çopas, u gjet në një vend të braktisur.

 Dosja hetimore

Nga kqyrja e vendit të ngjarjes, rezultoi se automjeti ishte i parkuar në anën e një rruge qorre, në një terren tërësisht të braktisur, pa banesa apo biznese aty pranë. 

Vend me shkurre dhe barishte i cili më shumë frekuentohet nga çifte të ndryshme që ndodhet në zonën e Kallmit. 

Automjeti ishte i djegur plotësisht ku kishte mbetur vetëm skeleti metalik i tij, gjithashtu në tavanin e mjetit në pjesën që i përket sediljes së parë, anës së pasagjerit ndodhej një vrimë tejshpuese me drejtim nga brenda-jashtë. 

 Po sipas grupi hetues, automjeti rezultoi të ishte i mbyllur.

Edhe pse në pamje të parë, dukej si një vetëvrasje klasike.

Dosja Hetimore

Brenda në automjet u gjet dhe më pas u mor në cilësinë e provës materiale një gëzhojë e cila kishte të stampuar në fundin e saj numrat 81 83 kalibri 9 mm. 

Gjithashtu në automjet u gjetën katër pjesë të telefonave celularë, si dhe në derën e automjetit u gjend arma e tipit pistoletë “Makarov’ me një krehër, paksa i dalë nga foleja e saj, i mbuluar me një shtresë mbetjesh djegie me pozicion të rrahësit në pozicion zjarri, ku si rezultat i mbetjeve të djegies nuk dallohej numri dhe të dhëna të tjera të saj. 

Automjeti rezultoi të ishte i mbyllur, i djegur plotësisht. 

Ndërsa viktima ndodhej i karbonizuar, i ulur, i shtrirë në sediljen e drejtuesit të automjetit ku mekanizmi i cili shërbente për uljen e sediljes ishte i organizuar në mënyrë mekanike dhe jo elektronike. Pra sedilja ishte ulur qëllimisht më parë. 

Të gjendur përballë një pamje të tillë, me qëllim zbardhjen e ngjarjes, grupi hetues u përqëndrua fillimisht më së shumti te rutina e ditore e viktimës.

Dhe më konkretishsht te ajo e ditës së tij të fundit në jetë.

Cilat kishin qenë lëvizjet e tij që nga mëngjesi herët deri në mbrëmje, kur edhe u zhduk. 

Kush ishin personat me të cilët ai kishte kontaktuar.

Sipas familjarëve të Isa Çopas, ai njihej si një person korrekt në familje.

Edhe pse ishte një natyrë e mbyllur, ai nuk kishte shquar asnjëherë për konflikte familjare.

Madje, po sipas familjarëve, 49 vjeçari, nuk kishte konflikte të natyrës së hakmarrjes, apo gjakmarrjes.

Gjithashtu, nuk njihej si konsumator i veseve të ndryshme.   

Po kështu përjashtohej pista, që Isa Çopa, të kishte lidhje intime jashtë martesore.

Edhe pse kohët e fundit, ai kthehej në orët e vona në banesë.

Çka e justifikonte me arsye pune. 

Motive që duket, se rrëzuan edhe dyshimet e para të grupit hetues, lidhur me mundësinë e një sulmi për arsye të ngushta familjare

Ndaj për këtë arsye, i gjithë hetimi u fokusua në detyrën e tij si  Kryetar i Degës së Kundërzbulimit.

Pranë Degës Durrës të Shërbimit Informativ, ku punonte prej vitesh.

Arta Çopa:

Unë dhe bashkëshorti im banojmë në një shtëpi private në lagjen Nr. 7 në Durrës.

Nga martesa kemi një djalë të quajtur Redian, nxënës në klasën e 11-të në kolegjin turk ‘Turgut Ozal’, nxënës shembullor dhe fitues i disa olimpiadave në Matematikë dhe Fizikë.

Më datë 24 Tetor 2011, në orën 06.30 unë dhe bashkëshorti im dolëm nga banesa dhe shkuam me makinën tip ‘Opel Corsa’ ngjyrë vishnje me targë TR 5175 A në lagjen Nr. 4 të qytetit të Durrësit, tek stacioni i autobuzëve të linjës Durrës-Shijak. 

Aty ku unë marr furgonin për të shkuar në zonën e Shijakut, në shkollën 9-vjeçare ‘Muharrem Dollaku’, aty ku punoj si mësuese. 

Këtu unë u ndava me Isain. Dhe që nga ai moment i mëngjesit herët, unë nuk e kam takuar apo të kem folur fizikisht me të.

Unë kam folur me të vetëm nëpërmjet telefonit në orën 14.00.

Më pas e telefonova në orën 17.05, ku e pyeta Isain, nëse do të shkonte në shtëpi që të hante bukë. 

Por mora përgjigje nga ai se do të vonohej, pasi kishte punë dhe ishte kthyer në institucion.

Duke mos marrë asnjë informacion të dobishëm që mund t’u vlente për hetimin, grupi investigues, u ndal te kolegët e tij.

Ata, që mund të ishin të vetmit që mund të hidhnin dritë mbi lëvizjet e fundit të viktimës.

Komunikimet e fundit të Isa Çopas me kolegët e tij, duket të jenë në intervalin kohor midis orës 16.30-17.30, të datës 24 Tetor 2011.

Gjë që vërtetohet jo vetëm nga dëshmitë që ata dhanë për grupin hetues. 

Por edhe kërkimet që kishin bërë familjarët me kolegë të tij, menjëherë pasi në telefonin e djalit të Isa Çopas, kishte mbërritur mesazhi i çuditshëm nga ana e këtij të fundit.

Një nga këto persona që konfirmoi, praninë në institucion të Isa Çopas, në orën 16.50, sipas thënieve të bashkëshortes së tij, do të ishte edhe një nga ish- kolegët e tij të ngushtë.  

Arta Çopa:

Unë mora në telefon shtetasin, Sh. N, ish koleg me Isain se ku ndodhej im shoq. 

Sh. më tha se ka folur në telefon me Isain rreth orës 16.50. Ku Isai e kishte marrë dhe i kishte kërkuar të dinte nëse e kishte takuar një person nga Tirana, ku ndërmjetës do të ishte Sh. 

Takime që ishin pjesë e punës së tyre. 

Sh. më tha se i ishte përgjigjur, se nuk e kishte takuar dot dhe se ndërkohë po kthehej nga Tirana. 

Isai, sipas Sh, në këtë moment pa i thënë asnjë fjalë i ka mbyllur telefonin dhe as ka komunikuar dhe as e ka parë më atë.

Një tjetër koleg që u pyet ishte edhe I. S, me detyrë, nënoficer i rojes së SHISH në Durrës.

Ky i fundit konfirmoi për grupin hetues, se Isa Çopa ndodhej në zyrë deri në orën 16.00.

Ky pati edhe një telefonatë të shkurtër me të. 

I.S, Nënoficer i SHISH:

Isa Çopa ka qenë në punë deri në orën 16.00. 

Duke qenë se nuk po dilte, e mora në telefon për ta pyetur nëse do vonohej. 

Isai mu përgjigj se do dilte sapo të mbyllte kompjuterin. 

Ai doli dhe më tha që do të shkonte te Hyrja Nr. 4 e Portit Detar Durrës, ku do merrte A. K me detyrë, nënoficer i rojes së SHISH, pasi këtij të fundit i ishte prishur makina dhe do ta sillte në institucion. 

Unë u ndava me Isain, kur ai u largua me mjetin e tij ‘Opel Corsa’ ngjyrë e kuqe me targë TR 5175 A në drejtim të A. për tek Ura e Dajlanit. 

Gjatë bisedës së shkurtër që bëmë ai nuk paraqiti asnjë lloj shqetësimi dhe dukej i qetë si zakonisht.

Ashtu sikundër deklaroi kolegu i tij I.S, Isa Çopa u takua në të vërtetë me kolegun tjetër. 

Por në dëshminë e këtij të fundit, grupi hetues nuk gjeti asgjë të pazakontë, qoftë edhe në sjelljen e viktimës, që mund të linte dyshime mbi atë që më pas kishte ndodhur. 

 A.K, Nën/Oficer i Rojes SHISH:

Në orën 16.00, unë fola me Isain, ku i thashë se më ishte prishur makina dhe të vinte të më merrte te Hyrja Nr.4 e Portit Detar Durrës te Ura e Dajlanit. 

Isai pranoi të më merrte. 

Vetëm 10 minuta pasi bisedova me të, mora në telefon Isain dhe i thashë të mos nisej. 

Pasi kisha gjetur një makinë dhe po shkoja në institucion. 

Por Isai më tha që kishte arritur, dhe të dy më pas u takuam në rrugë, brenda Portit, pranë sheshit të kontenierëve. 

Pasi u takuam u kthyem të dy me makinën e tij, ‘Opel Corsa’, në institucionin e SHISH. 

Isai pasi më la mua në institucion u largua me mjetin e tij. 

Nuk pashë asnjë shqetësim te ai, mu duk i qetë si zakonisht.

Fill pasi la kolegun në institucion, Isa Çopa, duket se ka pasur një tjetër takim.

Këtë herë në kafe me një tjetër koleg të tij, të cilin e kishte vartës.

Çka pohon ekzistencën e tij, të paktën deri në orën 17.00 të mbrëmjes, ku më pas do të gjendej i pajetë. 

I.GJ, Vartës i Isa Çopas: 

Rreth orës 16.30 të datës 24 Tetor 2011 ne u takuam me një mikun tonë në lagjen Nr 4 

Durrës, tek bar ‘Dovana’, ku biseduam për probleme pune. 

Pasi mbaruam bisedën dhe pimë kafe Isai rreth orës 17.00 u ngrit dhe iku duke na thënë që po shkonte në shtëpi. 

Kafja me kolegët, duket se ka qenë edhe e fundit  që Isa Çopa pati me ta.

Pasi, sikundër u përshëndetën, ai u kthye në banesë. 

Por jo në të tijën, por në atë të motrës së tij.

Ku ajo që e priti dhe e përcolli ishte mbesa e tij. 

Aty ku mori edhe një bidon bosh 5 litërsh.

Bruna Melkollari, Mbesa e Isa Çopas

Isai erdhi në shtëpinë tonë në orën 17.10, dhe më kërkoi një bidon 5 litërsh bosh, të cilin unë ia dhashë. 

Shtëpitë tona janë ngjitur dhe ndahen nga një mur rrethues. 

Pasi Isai mori bidonin, ai iku me makinë. 

Fill pas këtij momenti, sipas edhe verifikimeve të kryera nga grupi hetues, Isa Çopa, shfaqet edhe njëherë në ambientet e zyrës së tij.

Aty ku i fundit që e pa, ishte kolegu i tij A. K.

I cili këtë herë konstatoi se në dalje, shefi i tij kishte edhe pistoletën me vete.

Një praktikë që duket se i bëri përshtypje, pasi Isa Çopa nuk e kishte zakon të mbante armën e shërbimit me vete. 

Madje, ai e linte armën gjithmonë në kasafortën e tij, para se të dilte nga zyra.

A.K, Nën/Oficer i Rojes SHISH:

Isa Çopa u kthye në zyrë në orën 17.30. 

Pasi u përshëndetëm ai u ngjit në zyrë, ku gjatë kësaj kohe i ra telefoni.

Gjatë kësaj kohe dëgjova Isain që përmendi emrin Qemal.
Në orën 18.10, Isai doli nga zyra dhe kur kaloi pranë meje, duke mbyllur pallton, pashë se kishte edhe pistoletën me vete. 

Personi me emrin Qemal, që Isa Çopa foli në telefon u verifikua se ishte vëllai i tij emigrant.  

Çka duket se rrëzoi çdo mundësi që viktima të ishte nxjerrë në pritë, si në raste të ngjashme klasike analoge.

Vetëm një orë më pas, sipas kolegut të tij, në orën 19.00 të së njëjtës mbrëmje, pranë SHISH u paraqitën të shqetësuar familjarë të Isa Çopas.

Të cilët i treguan të alarmuar edhe tekstin e mesazhit që ky i fundit i kishte dërguar djalit të tij.

A.K, Nën/Oficer i Rojes:

Isai u largua me mjetin e tij duke më përshendetur. Ai mori rrugën me makinë nga Shkolla e Muzikës dhe jo nga rruga që të nxjerr tek Porti Detar Durrës. 

Në orën 19.00, pranë institucionit u paraqitën familjarët e Isait, Halit Çopa, Masar Gjepali, Redian Çopa, të cilët u interesuan për të dhe 

më treguan tekstin e mesazhit që Isai i kishte  dërguar të birit. Si edhe faktin që e kishin telefonuar por telefoni dilte i fikur. 

Provova edhe unë ta telefonoja por më kot, pasi telefoni dilte i fikur. 

Në këtë moment, unë vura në dijeni titullarët e institucionit të cilët bënë edhe njoftimin në Drejtorinë e Policisë Qarku Durrës, ku u bë njoftimi nga familjarët se kishte humbur kontaktet me ta, shtetasi Isa Çopa.

Lidhur mbi rëndësinë e personit që rezultonte i zhdukur, drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës, ngriti menjëherë një grup pune, për verifikimin e rastit. 

Ku koha që ai rezultonte se kishte dalë nga godina e SHISH, ishte 18.10 minuta. 

Grupi Hetimor

Nga kqyrja e regjistrit të hyrje-daljeve të mjeteve të personave në Drejtorinë e SHISH-Durrës rezulton se Isa Çopa është larguar nga zyra në orën 18.10 me automjetin e tij ‘Opel’ me ngjyrë vishnje me targa TR5175 A. 

Ku gjatë kësaj kohe në këtë institucion ka qenë dhe shtetasja B.T, punonjëse në SHISH-Durrës. 

Në deklarimin që ajo ka dhënë, ka shpjeguar faktin se ishte takuar me Isain ditën e ngjarjes ku ai kishte dorëzuar tek ajo një praktikë të cilën më pas e kishte marrë shtetasi I. Gj. 

Detyra e saj konsiston në protokollimin e materialeve të ndryshme që punojnë punonjësit. 

Në rastin konkret ajo ka shkuar përsëri në institucion mbasdite pasi kishte disa punë te papërfunduara, por nuk është takuar me Isain. 

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur ajo ka marrë dijeni pasi është telefonuar nga oficeri i rojes se institucionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat