Pedagogët nuk tërhiqen nga greva: Duam garanci nga Presidenti!

Shqipëria

Pedagogët nuk tërhiqen nga greva: Duam garanci nga Presidenti!

Më: 3 nëntor 2022 Në ora: 08:09
Sandër Kovaçi

Pedagogët po numërojnë orët për t’u futur në grevë urie.

Pasi pritën deri pasditen e së mërkurës, sindikata e punonjësve të universiteteve të Shqipërisë (SPUSH)dolën dje me një deklaratë ku thanë se janë gati të ngujohen, por më parë kërkojnë garanci për jetën nga Presidenti, institucioneve të rendit e sigurisë, si dhe ndërkombëtarëve.

Me t’u marrë kjo garanci, ata futen në grevë urie në një nga sallat e Universitetit Politeknik, aty ku nisi e po vijon qëndresa e tyre për një arsim më cilësor. Pavarësisht se hodhën firmën në peticionin e 30 gushtit drejtuar qeverisë, nuk janë të paktë pedagogët që janë tërhequr rrugës pas presioneve të titullarëve dhe anëtarëve të qeverisë. Pavarësisht kësaj, një grup i konsiderueshëm në universitetet në Tiranë, si dhe ato në rrethe janë gati ta çojnë deri në fund rezistencën e nisur vite më parë, por intensifikuar në këto muaj.

DEKLARATA

“Në pamundësi të marrjes së një përgjigjeje vlerësuese apo çfarëdo reagimi nga kabineti qeverisës, SPUSH i drejtohet Presidentit të Republikës dhe institucioneve të rendit dhe sigurisë publike, si dhe faktorit ndërkombëtar me kërkesën për garantimin e jetës së pedagogeve që do të hyjnë në greve urie, por edhe familjareve të tyre”, deklaroi kreu i Sindikatës, Sandër Kovaçi, duke shtuar më tej se nëse kjo garanci jepet qoftë edhe brenda tri minutave, tri orëve apo tri ditëve, tridhjetë pedagogë të universiteteve publike, hyjnë menjëherë në grevën e urisë.

Udhëheqësi i kësaj greve e ndjeu të nevojshme të theksojë nga foltorja përpara sheshit “Nënë Tereza” se pedagogët nuk janë vetëm njerëz të auditorit, por edhe të fjalës dhe se do ta çojnë deri në fund këtë kauzë që impakton mbarë kombin. “Ndjejmë, të sjellim edhe një herë në vëmendjen tuaj, se SPUSH është organizata vullnetare e intelektualëve të këtij vendi, frymëzuar nga shpirtrat e atyre që kanë sakrifikuar më shumë se ne sot, për arsimin dhe atdheun, por edhe të gjithë atyre që kanë rrëzuar buste diktatorësh.

Pedagogët e këtij vendi, nuk janë vetëm njerëz të fjalës dhe auditorit, por kanë patos dhe vullnet që të materializojnë idetë dhe idealet e tyre në shërbim të kauzave që besojnë, kauzë që sikundër është deklaruar, e konsideron Arsimin e Lartë Publik, prioritet kombëtar. Ne jemi këtu për mbrojtjen e arsimit dhe të vlerës njerëzore në këtë vend. Besojmë shumë se arsimi është një çështje që i përket të gjithëve”, nënvizoi Kovaçi.

Prej gati tri javësh, në një pjesë të mirë të auditorëve nuk zhvillohet mësim normalisht. Pedagogët janë zbrazur në shesh për të kërkuar të drejtat e tyre, në një protestë të kufizuar jo vetëm te pagat e tyre, por për financimin në universitete në tërësi. Pak ditë më parë, në Kuvend është diskutuar buxheti i ri për arsimin, i cili është pak më i lartë se vitin që shkoi, por shumë larg edhe asaj çfarë ka premtuar vetë qeveria.

Rama: SHIK-si merr urdhër nga foltorja e baltës

Kryeministri Edi Rama i ka mëshuar edhe më fort deklaratës së një dite më parë për pedagogët. Edhe dje, ai është shfaqur krejt i palëkundur në vendimin e tij për të mos marrë parasysh kërkesën e tyre për rritjen e pagave me 30% këtë vit. Para se të nisej për në Berlin, nga një shkollë në Tiranë, shefi i qeverisë tregoi që nuk do të ketë asnjë tërheqje nga qëndrimi tij kundër protestës.

“Një çetë brenda trupës që është shumë më madhe se sa aq për fat të mirë, një pakicë nën drejtimin e një SHIK-si, i cili ka uzurpuar sindikatën e ashtuquajtur të pedagogëve, del me ultimatumin se nëse nuk iu rriten rrogat edhe më shumë se ç’iu rritën, do të hyjnë në grevë urie. Grevë urie për rroga mund të bëjnë vetëm njerëzit pa atdhe, njerëzit pa flamur, njerëzit pa fe, njerëzit pa din e iman”. Pedagogët jo vetëm nuk do të gjejnë zgjidhjen që kërkojnë nga Rama, por protesta e tyre është cilësuar nga ai si një tubim i organizuar me urdhër politik nga kampi kundërshtar.

“SHIK-si që urdhrat i merr nga foltorja e baltës dhe kanë edhe paturpësinë të dalin edhe nëpër media e të thonë: Nuk ia vlen të jesh pedagog në Shqipëri”, ka vijuar më tej Rama, duke shtuar se Edi greva e urisë është një institucion shumë i lartë, përmes të cilit luftohet për të drejta shumë themelore, jo për rroga, aq më tepër që në këto kushte rritjen më të madhe të rrogave e kanë pasur pikërisht pedagogët. Këta të fundit thonë se paga e tyre është e pamjaftueshme për të mundësuar një cilësi të lartë mësimore.

Gjekmarkaj: Ditë e zezë nëse pedagogët ngujohen

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka komentuar protestën e pedagogëve, duke thënë se do të ishte një ditë e zezë nëse ata vendosin të ngujohen. Si një pedagog, ai nënvizoi se me pagat aktuale gjithë çfarë mund të bëjnë kolegët e tij është të mbajnë shpirtin gjallë. Ka qenë në vitet ‘80 pedagog Kryeministri, por e ka harruar. Pushteti ka pasur marrëdhënie të keqe me elitat.

Ajo rrogë të mjafton vetëm për të kursyer, për të mbajtur shpirtin gjallë. Rritjen e fundit serioze e bëri qeveria e Nanos, gati kohë arkeologjike. Të bësh një krahasim me Kosovën, ka rroga shumë më të larta. Ne po kërkojmë barazi mes Shqipërisë dhe Kosovën. Të gjitha kërkesat mund të negociohen. Shpresoj që qeveria të reflektojë para se pedagogët të ngujohen. Është e trishtë që pedagogët, pavarësisht akuzave politike, janë pedagogë të Republikës së Shqipërisë. Është ditë e zezë nëse pedagogët hyjnë në grevë. Ky qëndrim nuk lë shpresa, por shpresoj që Rama të arsyetojë dhe të tërhiqet nga deklaratat pa din e iman. Unë nuk shkoj në akte ekstreme. S’janë kauza që të zgjidhjen në këtë mënyrë, por i përkrah me zgjedhjet e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat