Konfiskohen pasuritë e Ylli Ndroqit/ Reagojnë avokatët e biznesmenit: Vendim antikushtetues

Shqipëria

Konfiskohen pasuritë e Ylli Ndroqit/ Reagojnë avokatët e biznesmenit: Vendim antikushtetues

Më: 3 nëntor 2022 Në ora: 20:02
Ylli Ndroqi

Dy vjet nga sekuestrimi i Radio Televizionit Ora , Gjykata e Posaçme e shkallës së parë vendosi ta konfiskojë këtë media në masën 100 përqind dhe ta kalojë në në llogari të shtetit.

Në vendimin ku përfshihen 26 pasuri, aksione dhe njësi;  thuhet se  televizioni Ora ishte në pronësi të biznesmenit Ylli Ndroqi në masën  60 përqind të kuotave  dhe 40 përqind të tjera zotëroheshin nga bashkëshortja Mimoza Ndroqi. Ashtu siç kanë argumentuar edhe gjatë dhjetëra seancave , avokatët numëruan dyshimet e tyre fill mbas shpalljes së verdiktit.

“Qëllimi është lufta kundër medias së lirë, pra mbyllja e një medieje në Shqipëri, e cila nuk pëlqehet nga politika. Gjykata e Apelit që konfirmoi sekuestrimin, i kërkoi prokurorisë dhe gjykatës të konfirmojë nëse ka ose jo indicie për veprimtari kriminale të zotit Ndroqi. Asnjë veprim nuk kryen në këtë aspekt”, tha avokati Besnik Muçi.

“Nuk ka asnjë lloj logjike juridike, as ligjore, as financiare që mund të justifikojë këtë vendim. Se si e ka marrë, mezi pres të lexoj, por nuk di se çfarë duhet të shkruajë gjyqtarja, sepse nuk ka çfarë shkruan”, tha avokati Jordan Daci.

“Ishte një betejë fatkeqësisht e paracaktuar, e diktuar, e orkestruar. Çdo e keqe ka një të mirë. Tani e tutje, beteja tjetër do të jetë në Strasburg”, tha avokati Enis Daci.

Një muaj përpara kësaj vendimmarrjeje gjykata rrëzoi kërkesën e Ndroqit  për heqjen e sekuestros ndaj pasurive të tij. Dy prokurorët Dritan Preci dhe Vladimir Mara konsiderojnë se për asetet e bllokuara nuk justifikohet burimi i tyre, ndërsa avokatët këmbëngulin të kundërtën. Pritet që nga shkalla e parë, gjykimi të zhvendoset në Apel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat