Vrau dhe groposi biznesmenin para një viti në Dajt, Ferdidant Rrushi do të gjykohet për 3 vepra penale! Kronologjia e krimit të rëndë

Shqipëria

Vrau dhe groposi biznesmenin para një viti në Dajt, Ferdidant Rrushi do të gjykohet për 3 vepra penale! Kronologjia e krimit të rëndë

Më: 4 nëntor 2022 Në ora: 17:55
Ferdidant Rrushi dhe Ruzhdi Hoxha

Nën tri akuza të rënda, Ferdinand Rrushi do të përballet me gjykatën pas mbylljes së hetimeve të Prokurorisë së Tiranës.

Ai është vënë i vetëm para drejtësisë për aktin e tmerrshëm të vrasjes dhe zhdukjes së trupit të Ruzhdi Hoxhës, ngjarje e ndodhur një vit më parë në Tiranë. Ndonëse autori i pretenduar nga Policia dhe Prokuroria nuk e ka pranuar krimin gjatë fazës hetimore, ngjarja e rëndë është hetuar dhe zbuluar, sipas të dhënave falë disa fakteve dhe provave që kanë të bëjnë pikërisht me të prangosurin e Policisë.

Dje, Prokuroria e Tiranës bëri me dije se ka dërguar për gjykim dosjen e Ferdinand Rrushit, i cili akuzohet për vrasjen e një viti më parë. I akuzuari u denoncua së pari nga të afërm të viktimës që e treguan atë si njeriun e fundit me të cilin viktima u largua me një automjet. Pas këtij momenti familja nuk dinte me asgjë për fatin e tij. Por, kur 43- vjeçari Rrushi u thirr në Polici, u zbulua që ndërkohë ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-ndalimi për shkak të një mase arresti dhënë nga një gjyqtar në Genova të Italisë. Në shkresat e dorëzuara nga pala italiane aso kohe rezultonte se ky shtetas ishte anëtar i një organizate kriminale që trafikon dhe tregton kokainë në shtetin fqinj.

Gjatë hetimeve në Tiranë dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë në disa pika të Tiranës, kryesisht disa pamjeve që u morën në zonën e Treshit në Tiranë, trupi i viktimës, Ruzhdi Hoxha, i cili kishte qëndruar me të dyshuarin, u gjet disa ditë më vonë në zonën e Qafë-Mollës. Nga kontrollet në zonën e Dajtit Policia gjeti disa parcela me hashash që dyshohet se i përkisnin të akuzuarit.

PROKURORIA

“Prokuroria e Rrethit gjyqësor Tiranë kërkon dërgimin në gjyq të çështjes nr.7713, të vitit 2021, me të pandehur shtetasit F. Rr. akuzuar se ka konsumuar plotësisht elementet e veprës penale “Vrasje me paramendim”, “Mbajtja pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehja ose asgjësim i kufomës”. Prokuroria ka regjistruar procedimin penal nr. 7713 dt.27.10.2021, për veprën penale “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit” të parashikuar nga neni 109 i Kodit Penal.

Më datë 24.10.2021 në komisariatin e Policisë nr. 5. Tiranë ka bërë kallëzim me shkrim shtetasi; S.H. për largimin nga banesa të babait të tij shtetasit R. H. Në datë 06.11.2021 në vazhdimin e kërkimeve është konstatuar kufoma e një shtetasi e cila dyshohet se është e R.H. Me vendimin nr. 1999, datë 10.11.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është caktuar masa e sigurimit “Arrest me burg” të parashikuar nga neni 283 i Kodit të Procedurave Penale ndaj personave nën hetim.

Pas një analize të plotë të materialit hetimor, veprimeve hetimore të kryera, rezulton se ka prova që krijojnë bazën ligjore të të dhënave të mjaftueshme se personi nën hetim F. Rr. ka konsumuar plotësisht elementet e veprës penale “Vrasje me paramendim”, “Mbajtja pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehja ose asgjësim i kufomës” të parashikuar nga nenet 78, 278 dhe 303 të Kodit Penal. Po ashtu, në analizë të plotë të materialit hetimor, veprimeve hetimore të kryera, rezulton se ka prova që krijojnë bazën ligjore të të dhënave të mjaftueshme se personi nën hetim P. Rr. ka konsumuar plotësisht elementet e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” të parashikuar nga nenet 301 të Kodit Penal”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat