Ministria e Mbrojtjes: Normalizohet situata në qarqet e prekura! Banorët në Shkodër kthehen në shtëpitë e tyre

Shqipëria

Ministria e Mbrojtjes: Normalizohet situata në qarqet e prekura! Banorët në Shkodër kthehen në shtëpitë e tyre

Më: 22 nëntor 2022 Në ora: 19:22
Foto ilustrim

Në një njoftim për mediat, ministria bën me dije se në qarkun e Shkodrës nuk ka prani uji nëpër banesa, teksa thekson se qytetarët janë kthyer në shtëpitë e tyre.

Sipas ministrisë, në Lezhë ka prani uji vetëm në 4 banesa. Forcat e emergjencave civile kanë shpërndarë 450 pako ushqimore për bashkitë Pukë, Vau i Dejës dhe Lezhë.

Ndër të tjera, ministria njofton se akset rrugore në të gjithë vendin janë aktualisht të qarkullueshme.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:

Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, situata në qarqet e prekura nga përmbytjet si pasojë e reshjeve paraqitet e normalizuar.

Ka patur reshje me intensitet të ulët herë pas here, të cilat nuk kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës. Në qarkun e Shkodrës nuk ka prani uji në asnjë banesë. Si pasojë banorët janë kthyer në shtëpitë e tyre, duke ulur numrin e evakuimeve. Ndërsa në Lezhë ka prani uji në 4 banesa.

Forcat e emergjencave civile janë në gatishmëri dhe të ndihmë të banorëve, duke shpërndarë edhe ndihma humanitare. Janë shpërndarë 450 pako ushqimore për bashkitë Pukë, Vau i Dejës dhe Lezhë.

Aktualisht niveli i të gjithë lumenjve është në kuota nën nivelin kritik. Por situata do të monitorohet pa ndërprerje edhe në orët në vijim.

Akset rrugore në të gjithë vendin paraqiten përgjithësisht të lira për qarkullimin e automjeteve.

Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, punonjësit e pushteti vendor si dhe shërbimi mjekësor do të qëndrojnë në terren edhe përgjatë orëve në vijim për çdo nevojë të qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat