Inceneratorët, Apeli në Shqipëri pranon urdhër arrestin e dytë për ish-deputetin socialist Bllako

Shqipëria

Inceneratorët, Apeli në Shqipëri pranon urdhër arrestin e dytë për ish-deputetin socialist Bllako

Më: 24 nëntor 2022 Në ora: 19:09
Alqi Bllako

Në Shqipëri situata ligjore e ish deputetit socialist Alqi Bllako u rëndua më shumë sot, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, e cila kishte lëshuar një urdhër arresti të dytë për të, për akuzën e "Korrupsionit", në kuadër të hetimeve për çështjen e inceneratorëve. Një javë më parë, Gjykata e Posaçme e shkallës së parë nuk kishte qenë dakort me kërkesën e Prokurorisë, e cila u detyra të bëjë ankim.

Ish deputeti socialist, u arrestua në mars të këtij viti, nën dyshimet për përfshirjen e tij në rastin e inceneratorit nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim. Javën e shkuar ai u mor i pandehur dhe për inceneratorin e Elbasanit. Prokurorët zbuluan disa komunikime të drejtpërdrejta që Bllako ka patur me ata që më vonë do të bëheshin drejtuesit e kompanisë koncensionare që do të merrte përsipër ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve në Elbasan, e më pas dhe në Fier.

Ndërsa ishte në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, ai i ka mbajtur ata në dijeni të procedurave që po ndiqeshin për rastin e Elbasanit, që përpara se të vendosej ndërtimi i impiantit, kur Këshilli Bashkiak i qytetit vendosi të shpallë gjendjen e emergjencës mjedisore, akt që i hapi rrugë inceneratorit. Po ashtu nga komunikimet elektronike ata mësohet se janë njohur falë Bllakos dhe me draft kontratën koncensionare. Komunikimet mes palëve kanë qenë dhe për çështje private, fakt që i ka shtyrë prokurorët në përfundimin se ata kanë patur njohje me njëri tjetrin. Për më tepër ata kanë zbuluar se ish deputeti ka kryer dhe udhëtime në shoqërinë e Klodian Zotos, administrator i kompanisë koncensionare në rastin e inceneratorit të Elbasanit, dhe zotërues i 70 përqind të aksioneve në kompaninë që mori në koncension inceneratorin e Fierit. Zoto mësohet se ka mbuluar dhe shpenzimet e udhëtimeve dhe qëndrimeve në hotele.

Arrestimet e para për inceneratorin e Elbasanit u kryen në dhjetor të vitit të shkuar kur u prangos ish ministri i Mjedisit Lefter Koka, ndërsa më pas u përfshinë dhe zyrtarë lokalë anëtarë të komisionit që kishte miratuar dhënien me koncension. Zoti Koka u mor më pas i pandehur dhe për koncensionin e dhënë për Fierin.

Javën e shkuar, Prokuroria e Posaçme lëshoi 11 urdhëra arresti që lidhen po me inceneratorin e Fierit, duke përfshirë ish administratorë të kompanisë dhe drejtuesë shoqërish private që dyshohet të kenë kryer manovra financiare fiktive me vlera disa milionë eurosh. Vetëm 5 prej tyre u arrestuan. Të tjerët u shpallën në kërkim. Mes tyre dhe dy ish administratorë të inceneratorit të Tiranës, të dyshuar se janë përfshirë në pagesën fiktive të babait të ish deputetit socialist Alqi Bllako, që rezultonte të kishte vetëm emrin si i punësuar në këtë kompani./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat