Përfundon protesta e opozitës/ SHBA reagon për incidentin ndaj Berishës

Shqipëria

Përfundon protesta e opozitës/ SHBA reagon për incidentin ndaj Berishës

Më: 6 dhjetor 2022 Në ora: 10:52 Përditësuar në ora: 14:13 më 06.12.2022
Sali Berisha

I gjuajti me grusht, Berisha: Lirojeni agresorin, autori është ulur në samit

Sali Berisha ka kërkuar lirimin e Gent Shehut, 31-vjeçarit i cili e goditi me grusht në protestë.

“Së fundmi, le t’i themi policisë; liroje fatkeqin, liroje. Sepse, ai është një mjeran, që ka shitur veten.

Dhe përpiqen sot, ta lidhin meqenëse është një samit, e vërteta e pamohueshme, liderë të krishterë, me bishta që çojnë nga Turqia apo ndonjë vend tjetër. Nuk kanë asgjë të përbashkët.

Ka vetëm një autor, ky është Edi Rama. Ka vetëm një arkitekt, është Edi Rama. Atë lirojeni dhe mos shpërndani dokrra dhe përralla, se autori i vërtetë është i ulur në samit si kryekriminel i Ballkanit dhe Europës.”- tha ish-kryeministri Sali Berisha.

Berisha: Mirënjohje për BE, nuk e pranojmë që ky samit të paraqitet si mbështetje për Ramën

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha falënderoi protestuesit që iu bashkuan në tubimin e opozitës kundër qeverisë Rama, të zhvilluar në të njëjtën ditë të liderëve të Bashkimit Evropian.

Berisha u uroi mirëseardhjen liderëve të BE dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.

“U shprehim mirënjohjen tonë të pakufishme për ndihmën e gjithanshme për ndihmën që i jepni Shqipërisë prej dekadash”, tha Berisha, teksa turma brohoriste “O Sali, o hero, gjithë Shqipëria ty të do”.

“Ne jemi fatkeq, për faktin se sot përfaqësohemi në këtë samit me njeriun i cili duhet të ishte para drejtësisë dhe jo aty i ulur me ju. Ndihemi fatkeq sepse pushteti i atij që na përfaqëson, qëndron mbi krimin elektoral, votën e vjedhur, drogën, korrupsionin dhe të zeza të tjera ndaj këtij kombi. Ky samit është një mundësi e artë që shqiptarëve t’iu dëgjohet zëri, ndaj dhe ne, siç e kërkon tradita, miqve do t’iu themi të vërtetën. Ne nuk jemi këtu në një manifestim festiv siç do të donim të ishim. Nuk mund të pranonim që ky samit historik për vendin tonë të paraqitej si mbështetje për Ramën dhe qeverinë e tij”.

Meta nga protesta: “Liri a vdekje” për t’i treguar vendin këtij regjimi

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i pranishëm në protestën e opozitës, e cila po zhvillohet në të njëjtën ditë kur po mbahet Samiti BE-Ballkani Perëndimor tha se sot është shumë e qartë se koha e fjalëve dhe fjalimeve duhet t’i lërë fjalën veprimeve të organizuara.

Meta: Sot në ditën e samitit evropian Rama orkestoroi një ngjarje të denjë për një kryeministër skizofren. “Liri a vdekje” për t’i treguar vendin këtij regjimi mafioz.

“Një bastard politik”, deputetja Zhupa: Duam të shkojmë në Europë me dinjitet! I themi ‘Po’ BE-së dhe ‘Jo’ Edi Ramës

Deputetja Ina Zhupa është treguar e ashpër në qëndrimin e saj ndaj kryeministrit Edi Rama. Në protestën e opozitës të zhvilluar sot në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, tha se kryeministri Rama e ka çuar vendin drejt korrupsionit dhe varfërisë.

“Një bastard politik. Grushti ishte ndaj nesh, ndaj lirisë, demokracisë. Ia garantojmë se përgjigjen do ta marrë mbrapsht 100 fish. Jemi këtu sot sepse jemi të qartë për demokracinë. Jemi këtu sepse në zërin tonë ne themi; ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Vend të lirë, demokratik, me mirëqenie. Si mund t’i rikthehemi ne emigrimit me gomone. Duhet të jemi qytetarë europianë që shkojmë në Europë me dinjitet. BE ne e dimë se i ka thënë jo amnistisë fiskale. BE sot i thotë jo pasaportave të arta, ndërsa Rama i thotë të vijnë të gëzojnë në Shqipëri.”, tha Zhupa.

Goditet me grusht Sali Berisha, Këlliçi: Do t’i shkojmë deri në fund

Belind Këlliçi gjatë fjalës së tij në protestën e organizuar nga opozita u ndal te incidenti i ndodhur, ku një person goditi me grusht Sali Berishën në fytyrë.

Teksa liderët e BE-së ndodhen në Tiranë, opozita po proteston në shesh. Këlliçi tha se incidentit të ndodhur do t’i shkojnë deri në fund, por jo sot, pasi nuk është momenti.

Këlliçi: Isha përgatitur të mbaja fjalën më pozitive por dua ta nis me një fjalë të drejtpërdrejtë për Ramën. Uroj që mbrapa incidentit të sotëm mos jesh ti apo ndonjë nga levat e tua që ke në bashkinë e Tiranës. Për këtë që ka ndodhur sot do t’i shkojmë deri në fund, por nuk është ky momenti. Sikundër ia dolëm të rrëzonim sistemin monist, atë fund të garantojmë edhe ty Rama. sot miqtë tanë evropianë janë të mirëpritur në Tiranë. Por ata nuk kanë ardhur për qeverinë, por për Shqipërinë. Kanë ardhur për ju dhe për të parë liritë tona. Unë qëndroj me ju deri në fund për ta mposhtur Edi Ramën.

Personi që goditi me grusht Sali Berishën është shoqëruar në polici dhe është identifikuar si Gert Shehu 31 vjeç, ndërsa në protestë shkoi menjëherë ambulanca dhe patrullat e policisë.

U godit në protestë, ambulanca mbërrin në bulevard për kreun e PD-së

Një ambulancë ka mbërritur mes protestuesve në Bulevard pas goditjes dhe gjakosjes së kreut të PD-së Sali Berisha.

Nuk dihet nëse kreu i PD do të shkojë në spital, apo do të vijojë aktivitetin.

Pas goditjes ai u çua sërish në këmbë teksa protestuesit e mbuluan me flamur. Ai dha edhe një mesazh nga podiumi.

I gjakosur në fytyrë, Berisha nuk ndalet, jep mesazhin e parë pas goditjes

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka qenë i pari që e mori fjalën nga podiumi i protestës së opozitës.

Pasi u sulmua nga një qytetar në mënyrë krejt të rrufeshme me një grusht poshtë syrit, madje lideri demokrat u rrëzua, Berisha nuk i kurseu mesazhet nga protesta.

“Poshtë Edi Rama. Rroftë opozita shqiptare. Kundër regjimit të kriminelëve. Nder përjetë protestuesve.”, ka thënë Berisha.

Goditet Sali Berisha

Ka nisur me përplasje protesta e opozitës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Përplasja fizike ndodhi teksa Meta dhe Berisha po shkonin drejt bulevardit që t’i bashkoheshin turmës.

Mësohet se një person ka goditur me grusht Berishën duke i shkaktuar dëmtime. Berisha është gjakosur pas goditjes.

Berisha shkon në këmbë në selinë blu, protestuesit valëvisin flamujt e Europës

Sali Berisha ka mbërritur në selinë blu, ku është pritur nga dhjetëra protestues që në mesditë do të marshojnë drejt ish-hotelit Dajtit, në protestën pro samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Teksa rrugët janë të bllokuara për arsye sigurie për mbarëvajtjen e samitin, Berisha ka udhëtuar në këmbë nga shtëpia e tij drejt selisë së PD-së.

“Rroftë Tirana! Rroftë Shqipëria”, ka brohoritur Berisha sapo ka hyrë në seli.

Më pas, protestuesit do të marshojnë nga selia e Partisë Demokratike drejt ish-hotel Dajtit ndërkohë që do të ketë një skenë lëvizëse, në të cilën është parashikuar të flasin 12 demokratë.

Demokratë të tjerë do të marshojnë nga sheshi Skënderbej dhe nga Tajvani drejt Hotel Dajtit.

“Europe right way, not the Rama way”, është slogani i kësaj proteste.

Policia i vendos kufirin protestës së opozitës deri tek ish-hotel Dajti, në terren edhe Muhamet Rrumbullaku

Samiti i BE-Ballkani Perëndimor dhe protesta e thirrur nga opozita ditën e sotme kanë bërë që Tirana të blindohet nga forca të shumta policie.

Teksa ka nisur pritja e liderëve të BE-së nga kryeministri Edi Rama, protesta e opozitës pritet që të fillojë në orën 12:00.

Por për shkak të pranisë së delegacioneve evropiane policia ka marrë masa të rrepta duke i kufizuar opozitës mundësinë për tu mbledhur para kryeministrisë.

Protestuesit do të nisen nga selia e PD dhe do të marshojnë deri tek ish-hotel Dajti, pasi deri aty është vendosur “kufiri” nga policia.

Në terren përveç forcave të shumta të policisë shihet edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

Opozita ka kërkuar leje nga policia, por kjo e fundit nuk ia ka aprovuar për shkak të masave të sigurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat