Po zvarrit procesin gjyqësor, gjobitet avokati i bosit turk të kriptomonedhave! Faruk Ozer pritet të ekstradohet drejt Turqisë

Shqipëria

Po zvarrit procesin gjyqësor, gjobitet avokati i bosit turk të kriptomonedhave! Faruk Ozer pritet të ekstradohet drejt Turqisë

Më: 20 dhjetor 2022 Në ora: 16:39
Faruk Fatih Ozer

Gjykata e Apelit të Durrësit gjobiti të martën avokatin shqiptar të Faruk Ozer, bosit turk të kriptomonedhave Thodex, me pretendimin se po zvarriste procesin.   

Gjyqtari Valbon Çerkrezi njoftoi se avokati Klodian Skënderaj ishte gjobitur me 5 mijë lekë për zvarritje të procesit, ndërsa mori po ashtu vendim për zëvendësimin e tij me avokat kryesisht.

I pyetur nga BIRN Skënderaj tha se nuk dinte asgjë për gjobën. Ai tha se nuk kishte pasur njoftim për seancën dhe për këtë kishte munguar.

Nuk isha fare në dijeni. Ju po më thoni që jam gjobitur”, tha Skënderaj në telefon. .  Edhe seancën e kaluar, avokati Skënderaj nuk ishte i pranishëm, duke e mbështetur mungesën me një raport mjekësor.

Faruk Fatih Ozer ka ankimuar në Apelin e Durrësit vendimin e Gjykatës së Elbasanit, që vendosi në favor të ekstradimit të tij drejt Turqisë në 17 nëntor të këtij viti. Vendim u ankimua pasi, sipas Ozer dhe mbrojtjes së tij, ekstradimi në Turqi rrezikon jetën e ish-bosit turk të kriptomonedhave Faruk Ozer.

Në fund të gushtit të këtij viti, Ozer u arrestua në Shqipëri për llogari të Turqisë ku akuzohet për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”. Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet se u largua nga vendi me afro 2 miliardë dollarë të përfituara përmes mashtrimit të mijëra përdoruesve të platformës së tij të kriptovalutës./ Marrë nga BIRN

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat