VOA/ Festohen Krishtlindjet në Shqipëri

Shqipëria

VOA/ Festohen Krishtlindjet në Shqipëri

Më: 25 dhjetor 2022 Në ora: 17:34
Foto nga vendi i ngjarjes

Besimtarët e krishterë po festojnë Krishtlindjen, një nga datat më të rëndësishme të besimit të tyre fetar.

Festimet e nisura në mesnatë, vazhduan gjatë ditës me mesha të posaçme në kisha e katedralet katolike dhe ortodokse.

Ata ndezën qirinj dhe ndoqën ceremonialet e shenjta pranë kishave dhe katedraleve katolike dhe ortodokse, duke u lutur për paqe dhe mirësi midis njerëzve.

Meshën e shenjtë në Katedralen e Shën Palit në kryeqytet e drejtoi Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Arjan Dodaj.

Në një kohë kur nuk rreshtin së ekzistuari forma të reja dhe antike virusi, si lufta, pabarazia sociale, mungesa e shpresës tek të rinjtë për të ardhmen në Shqipëri, pamundësia për shumë familje të varfra që të kenë kushte më dinjitoze dhe shpesh herë një ndjenjë mosbesimi, e ushqyer nga egoizmi dhe korrupsioni, ne duhet të pranojmë Jezusin foshnje, si të vetmin dhe të gjithanshmin për jetën tonë”, thotë Imzot Dodaj.

Ndërsa Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Hirësia Anastas Janullatos, drejtoi meshën e shenjtë në katedralen Ngjallja e Krishtit në kryeqytet.

Ai theksoi në mesazhin e tij se dëshira e zjarrtë për paqe së fundmi është kthyer në dhimbje të përditshme, klithmë dhe lutje për qindra mijëra njerëz.

Për shkak të luftës së papranueshme katastrofike të Rusisë kundër Ukrainës, mbizotëron një hidhërim i pamasë. Në të njëjtën kohë, konflikte të armatosura ka në Siri, në Jemen dhe, përgjithësisht, në Azi e në Afrikë, dhe sulmet terroriste janë të shpeshta në qendrat e mëdha urbane perëndimore. Botën vazhdojnë ta mundojnë edhe luftërat e një lloji tjetër, ato ekonomike, diplomatike, ideologjike. Dhuna dhe arbitrariteti nuk kursyen së përdhosuri as vendet e shenjta. Për interesat e fuqive të ndryshme, keqinformimi përdoret si armë luftarake për të nënshtruar mendimin dhe ndërgjegjen e shumë njerëzve”, thotë Hirësia Janullatos.

Drejtuesit fetarë u lutën për paqe dhe bënë thirrje besimtarëve, që të mbrojnë e të kujdesen për të pafuqishmit, duke kërkuar dashurinë dhe paqen me veten dhe me të tjerët, duke kundërshtuar luftën, egoizmin, mburrjen dhe mendjemadhësi, sepse këto ndjenja prishin marrëdhëniet ndërmjet njerëzve e popujve dhe nxit konflikte të vogla e të mëdha./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat