Zhdukja e Ervis Martinajnt, gazetarja zbërthen detajet e reja: Ju tregoj se çfarë po ndodh me mbi 100 persona

Shqipëria

Zhdukja e Ervis Martinajnt, gazetarja zbërthen detajet e reja: Ju tregoj se çfarë po ndodh me mbi 100 persona

Më: 25 dhjetor 2022 Në ora: 19:32
Ervis Martinaj

Gazetarja Glidona Daci thotë se operacioni i policisë në Durrës lidhur me zhdukjen e Ervis Martinajt u zhvillua shumë vonë, duke mundësuar zhdukjen e provave. Operacioni në Durrës u zhvillua pak kohë më parë, gjatë të cilit u kontrolluan shtëpitë e anëtarëve të familjes Avdylaj, por as për këtë gjë nuk ka pasur infromacione zyrtare në lidhje me gjurmët që janë gjetur, të cilat mund të orientojnë organet hetimore drejt zbardhjes së fatit të të shumëkërkuarit.

Në një intervistë për Euronews Albania, Glidona Daci u shpreh dosja e Martinajt është një rast i vështirë për drejtësinë, pasi Prokuroria e Kurbinit që po e heton këtë çështje, nuk e ka një vendngjarje dhe personi i vetëm i arrestuar lidhur me këtë çështje, ish-polici Jeton Lami nuk ka pranuar të flasë.

Daci tha ndër të tjera se aktualisht po përgjohen mbi 100 persona për rastin e Martinajt, por ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga ana e autoriteteve në lidhje me fatin e tij.

“Janë mbi 100 persona që po përgjohen për rastin e Ervis Martinajt. Martinaj ishte një personazh që lidhte politikë, krimin e organizuar dhe biznesin, ndaj ka marrë vëmendje shumë të madhe. Njerëzit kërkonin të dinin për të. Nuk ka një përgjigje se as prokuroria s’e ka një të tillë. Janë zhvilluar disa operacione në Vlorë, Shkodër e Durrës. Mendoj se operacioni në Durrës u bë shumë vonë, 1 muaj e ca pa zhdukjes së tij. Kjo dosje duhet të vinte në duart e SPAK, pasi prokuroria e Kurbinit nuk e ka kapacitetin dhe burimet njerëzore të nevojshme për ta hetuar atë,”- tha Daci.

Në burg pas zhdukjes së Martinajt ndodhet ish-efektivi Jeton Lami, i cili kohët e fundit është raportuar se ka folur para tre prokurorëve që kanë dosjen në dorë. Ai u arrestua pas zhdukjes së të shumëkërkuarit Ervis Martinaj. ‘Alarmi’ për zhdukjen e këtij të fundit bëri që të kqyreshin pamjet filmike dhe në një prej tyre, Lami shihej teksa futej në një hotel bashkë me Martinajn e një vajzë. Dëshmia e Lamit është konsideruar kyçe për zbardhjen e zhdukjes së të shumëkërkuarit.

Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim.

Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Rama vendosi dhe 100 ditë afat për kryepolicin Muhamet Rrumbullaku, por pavarësisht se afati ka skaduar, nuk ka asnjë detaj nga hetimet. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat