“UDB-ja e arrestoi atë, pas një debati me poetët maqedonas: Do vijë dita që ju…”/ Historia e panjohur e gazetarit nga Struga

Shqipëria

“UDB-ja e arrestoi atë, pas një debati me poetët maqedonas: Do vijë dita që ju…”/ Historia e panjohur e gazetarit nga Struga

Më: 8 janar 2023 Në ora: 07:25
Foto ilustrim

Shkrimtari Kalosh Çelilku, e ka quajtur Mehmedali Hoxhën: figurë komplekse, vizionar dhe burrë i besës, fjalës dhe penës së artë –

Në fillim të vitit 2012, u mbushen plotë 20 vjet të vdekjes të Mehmedali Q. Hoxhës (1924-1991) – mësues pishtar, poet, gazetar, redaktor, vizionar, burrë i besës, fjalës dhe penës së artë. Për figurën komplekse të tij, deri tani kanë shkruar: Kalosh Çeliku, prof. Dr. Selajdin Mehmeti dhe ndonjë tjetër. Numri i struganëve, të cilët tërë jetën e tyre nuk kursyen, as mundin e as sakrificën për të mirën dhe ardhmërinë e ndritshme të kombit shqiptar në trevat lindore, vërtet mbetet i madh. Njëri nga kjo plejadë e ndritur figurash, padyshimin më të vogël, është edhe Mehmedali Q. Hoxha ose Mustafa (mbiemër në ‘Normalen’ “Sami Frashëri” në Prishtinë).

Vizionar, figurë emblematike e letrave shqipe, figurë e autor i dashur i fatosave e pionierëve pas vitit 1945, figurë e anatemuar nga sistemi monist komunist, hartues i abetareve dhe librave të leximit, për shkolla fillore, autor i dhjetëra librave me poezi dhe së fundi burrë i fjalës, besës dhe i penës.

Vetëdija e lartë kombëtare, formimin e gjerë kulturor dhe guxim për të shtruar dhe zgjidhur probleme më të ndërlikuara në kulturën e popullit tonë në trevat lindore e verilindore të Shqipërisë. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, pra pas 1945, nuk lënë vend as për dilema, as për ngurrim në punën e vyer të Mehmedali Mustafës – Hoxhës.

Shumësia e problemeve që trajtoi, ballafaquar me kohën kur punoi e jetoi, e bëjnë atë figurë të ndritur e komplekse të kohës dhe lejojnë të nxirren përherë vlera të reja.

Zgjimi i ndërgjegjes kombëtare, i diktoi Mehmedali Mustafa – Hoxhës, një veprimtari të dendur e të shumëllojshme; si mësues pishtar, pedagog, poet, gazetar, redaktor i “Flakës së Vëllazërimit”, redaktor revistash për fëmijë, hartues e përpunues tekstesh e abetare shkollore, autor artikujsh të shumtë etj., të cilat shërbyen si bazë dhe pikënisje e zhvillimit të mëtejshëm të arsimit dhe shkencës sonë, në trevat lindore e verilindore shqiptare, pas vitit 1945.

Me këtë formim mjaftonte qoftë edhe një shkëndijë që të vinte në lëvizje mullirin e tij krijues, përherë të zgjuar e të ndjeshëm.

Mehmedali Mustafa – Hoxha, lindi më 5 janar 1924, në Ladorisht të Strugës dhe ai rrjedh nga një familje e nderuar me tradita arsimore e kombëtare.

Shkollën fillore e kreu në gjuhën serbo-kroate në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme, – Medresenë në Shkup, në prag të Luftës së Dytë Botërore. Ndërkaq, kursin pedagogjik tremujor, në ‘Normalen’ “Sami Frashëri” në Prishtinë, në vitin 1942. Punën e ndritur të pishtarit të arsimit, ai e nisi në fshatrat e Strugës, së pari në Kalisht, e vijoj në vendlindje, deri 1947, e më pas kaloi në Shkup.

Në qytetin e lindjes Strugë dhe, në Shkup njihet si njëri ndër mësuesit më të zellshëm dhe paluhatshëm në edukimin jo vetëm arsimor, por edhe kombëtar të brezave të tëra, të cilët pastaj me sukses iu kthyen vendlindjes si kuadro me përgatitje të lartë profesionale. Kjo e gëzonte jashtëzakonisht mësuesin pishtar dhe pedagogun shembullor.

Miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që e kanë njohur, thonë se, Mehmedaliu ka qenë i pasionuar pas leximit të veprave të ndryshme, sidomos ato të traditës kombëtare. Pasi u vendos në Shkup, në vitin 1947, fillimisht punoi në redaksinë e gazetës “Flaka e Vëllazërimit”, si gazetar e redaktor. Nga viti 1953, kur për herë të parë doli revista për fëmijë, “Fatosi”, Mehmedali Hoxha, ishte kryeredaktor saj, derisa doli në pension.

Ai gjithashtu është ndër autorët e parë që u paraqit para lexuesve në Maqedoni, me libra e vjersha për fëmijë. Dhe, ka të drejtë shkrimtari e publicist, Kalosh Çeliku, kur thotë në tribuna e takime letrare, se: pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova kishte Esat Mekulin, ndërsa shqiptarët në Maqedoni, kishin Mehmedali Hoxhën, vizionarin, burrin e besës, fjalës dhe penës.

Veprimtaria e tij letrare, është si vijon: Libri i parë për fëmijë “Vjersha” (1952) së bashku me Lutfi Rusin, kryeredaktor i “Detska Radost”, themelues dhe babai i “Gëzimit” dhe “Fatosit” (revista për fëmijë në Maqedoni) dhe autori i disa librave për fëmijë:

“Te kroni” (1960), “Kur fryn era” (1962), “Atje mbi kodrinë” (1974), “Ditët tona” (1979), “Këngë shkollore” (1984), “Kur linda” )1971), “Në sytë e majit” (1973), “Vashëzat shkollore” (1976), “Qepallat e verës” (1985), “Ma thuaj emrin” (1989 – përzgjedhje Prishtinë), “Një brez livadh” (1990 – përzgjedhje Tiranë etj).

Mehmedali Hoxha, u lind dhe u rrit në një familje me tradita arsimdashëse dhe patriotike, i cili që në fëmijërinë e hershme, u brumos me ndjenjat e atdhedashurisë dhe etjes për dije. Fshati legjendar ku lindi poeti Mehmedaliu, Ladorisht, gjatë historisë më të re, tri herë u dogj e u shkrumbua nga pushtuesit e huaj.

Nga ky fshat u viktimizuan dhe u flijuan shumë të rinj “për të vetmen fjalë – liri”. “Dhe, fjala liri, thuajse do ta përshkojë mbarë poezinë e tij për fëmijë”, do të shprehet Prof. Dr. Selajdin Mehmeti, në librin e tij në dorëshkrim.

Pra, Mehmedali Hoxha, është njëri nga prijatarët e parë të letërsisë shqipe për fëmijë në Maqedoni. Ai ishte mësuesi i shumë krijuesve të rijnë që sot janë emra të dëshmuar në letërsinë shqipe: Abdulaziz Islami, Kalosh Çeliku, Fadil Bekteshi, Vahit Nasufi, Fejzi Bojku, Halil Zendeli, Ramadan Zeneli, Puntorie Ziba – Muça, Adem Abdullahu, Nuhi Vinca, etj.

Mehmedali Hoxha shquhet me fizionominë dhe individualitetin e tij poetik, të cilën e ka shprehur që në përmbledhjet e para me vjersha, siç është ajo “Te kroni” (1960), etj.

Në qendër të interesimeve të poetit, do të jetë fati humanist, fati i njeriut të thjeshtë, fatin e të cilit, “n’dorë e kishte – vetë xhelati”. Me gjithë vuajtjet e mëdha, e do t’i mposhtë të gjitha mizoritë e shkaktuara nga agallarët dhe bejlerët. Autori përkujton jetën e këtij njeriu me plot halle dhe brenga dhe e përcjell atë me kujdesin e një pedagogu dhe mësuesi pishtar i mirëfilltë.

Duke i konkretizuar artistikisht temat dhe motivet e vjershave të veta, poeti Mehmedali, paraqet krenarinë e së kaluarës të popullit të vet dhe kur “plasi lufta çlirimtare, i madh e i vogël- rroku armët – të luftojë për liri”. Në këtë luftë u shquan shumë trima që ranë në altarin e lirisë.

Në vargjet e tij, ai i bëri të pavdekshëm figurat e shumë heronjve tanë, si Emin Durakun, Ibe Palekuqit – vajzës trime dibrane, e cila luftoi si “sorkadhe shqiptare për lirinë” i këndoi Liman Kabës – që luftoi dhe u vra trimërisht – që brezat e ardhshëm të jetojnë në liri, sepse “Liria është më e shtrenjta” – thotë autori, i këndoi Xheladin Zeqirit – një trim i rrallë, Bajram Shabanit – që ra si trim “për mëmëdhenë”.

Në personazhet e këtyre heronjve autori do t’i mishërojë tiparet më të mira që i stolisin ata, si humanizmi, trimëria dhe guximi. Ai shpreh simpati për këto figura sepse janë të guximshëm e trima, dhe triumfojnë mbi të këqijat e luftës, duke mposhtë krimin dhe kriminelët. Vdekja e tyre fizike dhe tragjikja, i bënë ata të pavdekshëm shpirtërisht. Pikërisht nga e kaluara e hidhur e nga lufta e përgjakshme, poeti merr materialin për vjershat e tij. Dhe, në vjershat e tij ai i trajton fëmijët si të barabartë me veten e vet duke u rrëfyer atyre për përjetimet e hidhura të tij.

Prania e tij në vjershat shihet herë në rolin e përshkruesit e herë në rolin e vëzhguesit, duke krijuar kështu bindjen se për atë që u rrëfen fëmijëve, e ka përjetuar në fëmijërinë dhe se i kujtohet tani në pleqëri. E gjithë kjo krijon atmosferën e afërsisë së poetit prijëtar me lexuesit e vegjël, të cilët e parafytyrojnë atë, si një shok shumë të afërt me ta.

Dhe, kjo është e vërtetë. Në vjershat e tij, ai shpreh dashurinë e madhe dhe besnikërinë për ta. Me vargjet e tij, ai u zbulon atyre një botë të tërë magjepsëse, një botë ku çdo gjë gjallëron, një botë ku s’ka vetëm mjerime e vuajtje, por ka edhe lojë, shaka, por edhe sinqeritet, një botë ku ata ballafaqohen për herë të parë me probleme jetësore, të cilat duhet t’i zgjidhin.

Ai vazhdimisht i vëzhgon ata, i përcjell hap pas hapi, gëzohet bashkë me ta, kur i sheh me libra në dorë të etshëm për të fituar sa më shumë dije dhe për t’u aftësuar në jetë. Dhe, ka të drejtë Prof. Selajdin Mehmeti, kur thotë se vjershat e Mehmedali Hoxhës, shquhen për intonacionet lirike që përshkohen nga emocione të ndryshme dhe të cilat bashkë me teknikën që shtjellohen në to, formojnë një unitet të veçantë.

Begatia e motiveve, larmia, gjerësia dhe vlerat artistike e vjershave të Mehmedali Hoxhës, e radhisin atë ndër poetët e njohur jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë. Mehmedali Hoxha, u shqua edhe në hartimin e Abetares në gjuhën shqipe, me të cilën mësuan me dhjetëra gjenerata dhe qindra e mijëra nxënës në Kosovë e në Maqedoni, nga viti 1967 e në vazhdim.

Ai hartoi dhe redaktoi disa libra leximi për klasat fillore, ku me njërën prej tyre, ka mësuar edhe autori i këtij portreti në vitin 1964, në kl. e katërt të fillores. Mehmedali Hoxha, si shumë mësues e intelektualë shqiptarë përparimtarë të shquar në trevat lindore, nuk shihej me sy të mirë nga pushtetmbajtësit sllavo-komunist, të cilët e përgjonin dhe ndiqnin çdo lëvizje të këtij intelektuali me përmasa komplekse, duke pritur rastin t’i njollosin si antishtetëror dhe anti-sllav.

E tmerrshme, deri ku arrinte ai aparat burokrat e policor. Ishte fundi i vitit 1969. Në një ndeje rasti, me një grup “miqsh” e poetësh, në mesin e të cilëve: Sllavko Janevski e Branko Gapo që, i dalin dëshmitarë edhe në sallën e Gjykimit, Mehmedali Hoxha, si vizionar dhe me inteligjencë të jashtëzakonshme, do të shprehej: “Do të vjen koha kur edhe ju (ka aluduar te Sllavko Janesvki – poet e të tjerët, të fshini rrugët e Tiranës”.

Të nesërmen, forca të mëdha të policisë, pasi rrethojnë banesën e tij, do të arrestojnë Mehmedalin. Arrestimi dhe dënimi i Mehmedali Hoxhës, punëtorit të rrallë në këto hapësira shqiptare, shkaktoi reagime të mëdha në mesin e intelektualëve të Kosovës, të cilët si një trup i vetëm, u ngritën në mbrojtje të figurës së tij. Në burgun famëkeq të Idrizovës, Mehmedaliu qëndrroi 18 muaj (fund i 1968 deri 1971).

Bashkëvuajtësit shqiptar në këtë burg, evokojnë kujtime për këtë figurë emblematike, sidomos për qëndrimin burrëror dhe se ne të burgosurve më të rinj, na jepet kurajo dhe shpresë (Irfan Vlashi).

Ja që, përfundimisht, sidomos duke kujtuar jo pak vjet të jetës dhe veprimtarisë së tij, duke e njohur në vitet e fundit dhe çmuar edhe nga afër, por duke u pajtuar plotësisht me prof. Dr. Selajdin Mehmetin dhe shkrimtarin Kalosh Çelikun, zgjodha përfundimisht titullin: “Mehmedali Hoxha – figurë komplekse, vizionar dhe burrë i besës, fjalës dhe penës së artë”.

Dhe, fare në fund, e përmbyll këtë shkrim kushtuar Mehmedali Hoxhës, figurë emblematike dhe patriku i lartësisë për fëmijë, njeriut që ishte i pajisur me virtyte njerëzore e kombëtare që, kësaj figure t’i kushtohet kujdes me një monografi të veçantë dhe t’i ngremë, pse jo edhe një bust apo shtatore në fshatin e lindjes apo, pse jo edhe në Shkup, ku prehen eshtrat e tij.

Edhe pse unë u përpoqa disa herë të vë kontakte me pjesëtarët e familjes Hoxha, por nuk e di përse nuk gjetën kohë të takohemi, ndoshta arsyet janë objektive apo subjektive. Unë bëra një shkrim modest, për ta nderuar këtë personalitet, që meriton edhe me shumë se kaq.

Sidoqoftë, nga një lapidar them se, e ka të ngritur në zemrat tona Mehmedali Hoxha, i cili gati 40 vjet, shkriu veten e tij që, të rritemi dhe të ngrihemi ne, duke shkrirë jetën për shqiptarët në Maqedoni e Kosovë. Memorie.al/  Nga Prof. Dr. Nebi Dervishi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat