​Arrestohen për shpërdorim detyre dy zyrtarë të MFE dhe një përmbarues në Tiranë

Shqipëria

​Arrestohen për shpërdorim detyre dy zyrtarë të MFE dhe një përmbarues në Tiranë

Më: 11 janar 2023 Në ora: 18:21
Foto ilustrim

Prokuroria e Tiranës kërkoi sot caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, A.Gj., Drejtorin e Shërbimeve mbështetëse dhe çështjeve ligjore, F.H. dhe përmbaruesin gjyqësor privat, A.R., si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës”.

Sipas njoftimit për shtyp të Prokurorisë së Tiranës, këta shtetas kanë vepruar duke pranuar shpërblimin e shtetasit I. TH., në vlerën e rreth 82.000.000 lekëve, nga të cilat 50.000.000 lekë të kaluara në llogarinë e këtij shtetasi duke e trajtuar si pronar pa qenë në këtë status, si dhe duke ekzekutuar për herë të dytë një vendim gjyqësor të ekzekutuar nga Ministria e Financave në vitin 2015.

“Shtetasi I. Th është drejtuar zyrës përmbarimore, e cila në kundërshtim flagrant me ligjin ka vlerësuar në vitin 2022, objektin magazinë dhe truallin për një vlerë të përgjithshme prej 145.867.920 , duke u hequr dhe trajtuar si ish pronar shtetasin I. Th në një kohë që nuk ka qenë asnjëherë me këtë status. E gjithë vlera e përcaktuar për t’iu dhënë këtij shtetasi është e përcaktuar në kundërshtim me ligjin dhe cenon buxhetin e shtetit në rreth 1.200.000 euro. Deri në këtë fazë rezulton se Ministria e Financave ka kaluar në favor të shtetasit I. Th. shumën 48.118.366 lekë. Nga kjo shumë është e provuar se 25.000.000 lekë kanë kaluar në favor të shtetases Sh.P”, theksohet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria sqaron se, organi procedues konstaton dhe çmon se ka dyshime se veprimet e përmbaruesit, të Ministrisë së Financave dhe persona të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga Buxheti i Shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur.

Organi procedues ka urdhëruar sekuestrimin e shumës së kaluar shtetasit I. Th. dhe llogarisë qëllimore të përmbaruesit, duke arritur të sekuestrojë deri në këtë fazë të hetimeve rreth 22.000.000 lekë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka urdhëruar ndalimin e shtetasit I.Th., për veprat penale të parashikuara nga nenet 134/3 dhe 320 të Kodit Penal, si dhe vazhdon hetimet në lidhje me përgjegjësinë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal”, thuhet në njoftim.

/atsh

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat