Rama mesazh nga Hiroshima: Kërcënimet atomike janë turp i civilizimit, Rusia nuk e fiton luftën me Ukrainën

Shqipëria

Rama mesazh nga Hiroshima: Kërcënimet atomike janë turp i civilizimit, Rusia nuk e fiton luftën me Ukrainën

Më: 25 shkurt 2023 Në ora: 10:21
Edi Rama dhe Volodymyr Zelensky

Në mesazhin e tij për 1-vjetorin e luftës në Ukrainë, kryeministri Edi Rama thotë se populli ukrainas po mbron heroikisht vlerat e panegociueshme të lirisë, demokracisë, sovranitetit. 

Për kërcënimet e Rusisë për sulme me armë bërthamore, Rama thotë se është turp të luash me fjalën bombë sikur flet për kukulla. Mesazhin e tij e dha dje nga Japonia ku ndodhet në një vizitë zyrtare dhe u shpreh se ndihet i nderuar që flet nga memoriali i të zhdukurve në Hiroshima.

Kreu i qeverisë zgjodhi pikërisht një prej 2 qyteteve të shkatërruara në Luftën e Dytë Botërore pikërisht nga armët bërthamore dhe theksoi se me mbështetjen e aleancës ndaj Ukrainës, çdo përpjekje për pushtim do të dështojë.

“Ishin të shumtë ata që menduan se pushtimi rus i Ukrainës do të ishte çështje ditësh por ja ku jemi sot, 1 vit rezistencë, arritje, nën lidershipin guximtar të presidentit Zelensky. Me mbështetjen e botës demokratike dhe tanimë është e qartë se e gjithë Rusia nuk mund ta fitojë luftën. Ja ku jemi këtu, dëshiroj të shtoj që kam nderin ta bëj këtë mesazh këtu nga Hiroshima pas një momenti të gjatë dhe jashtëzakonisht të veçantë nderimi në memorialin e të zhdukurve nga goditja e bombës atomike dhe pastaj në muzeun e tmerreve të bombës atomike. Shtoj që të luash sot me fjalën bombë atomike sikur flet për kukulla është vërtet një turp i civilizimit tonë dhe kjo e bën edhe më të rëndësishme mbështetjen për Ukrainën, aleancën e të gjitha vendeve demokratike dhe mbi të gjitha vendosmërinë e secilit që ka respekt për lirinë, vlerat e demokracisë në mënyrë që e shkuara të mbetet e shkuar dhe çdo përpjekje të dështojë”, deklaroi Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat