Vendoret, KAS ia kthen Celibashit kërkesat e dy PD-ve

Shqipëria

Vendoret, KAS ia kthen Celibashit kërkesat e dy PD-ve

Më: 13 mars 2023 Në ora: 19:39
KQZ

Në Shqipëri, Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rrëzoi sot ankimimin e Partisë Demokratike të përfaqësuar nga zoti Enkelejd Alibeaj si dhe atë të Partisë Demokratike të udhëhequr nga ish kryeministri Sali Berisha, kundër vendimit të marrë të enjten e shkuar nga Komisioneri shtetëror Ilirjan Celibashi.

Sipas atij vendimi, Partisë Demokratike të përfaqësuar nga zoti Alibeja i kërkohej që brenda 48 orëve, të plotësonte autorizimin e lëshuar në 18 mars të vitit 2022, tre ditë para dorëheqjes, nga zoti Lulzim Basha, në cilësinë e kryetarit të partisë. Përmes këtij autorizmi, zoti Basha përcaktonte zotin Alibeaj, zotin Gazmend Bardhi dhe zotin Indrit Sefa për të përfaqësuar Partinë në raport me të tjerët. Po ashtu, kërkohej që deklarata solemne e angazhimit kundër shkeljeve të procesit zgjedhor, të firmosej po nga zoti Basha, i cili de jure rezulton ende kryetar i partisë, dhe jo nga zoti Alibeaj.

Nga ana tjetër, ndonëse në pjesën shpjeguese të vendimit saktësohet se kërkesa e paraqitur nga zoti Berisha nuk qëndron, pasi KQZ i referohet vërtetimit të Zyrës së Rregjistrit të Partive politike pranë Gykatës së Tiranës, ajo megjithatë nuk është rrëzuar, pasi mungon në pjesën ku shprehet vendimi.

Për këtë arsye KAS-i, ka vlerësuar se për të dyja rastet nuk ka një vendim të shprehur, duke e rikthyer rastin dhe një herë te zoti Celibashi. Vendimi i këtij të fundit konsiderohet i ndërmjetëm, dhe se për më tepër nuk është më i vlefshëm, pasi ka humbur fuqinë me skadimin e afatit 48 orësh.

Pas vendimit të KAS-it, zoti Bardhi ka akuzuar Komisionerin shtetëror se po pengon politikisht rregjistrimin e Partisë Demokratike” në zgjedhje, dhe se ai “ka detyrimin ligjor të shprehet menjeherë për kërkesën e PD për regjistrim. Zvarritja që ai po bën, është e paligjshme, është e papranueshme”.

KQZ njoftoi se zoti Celibashi do të marrë në shqyrtim çështjen të martën pasdite./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat