Nuk regjistroi PD, Celibashi: Nuk donin që ta zgjidhnin çështjen, isha i gatshëm t’u jepja dhe më shumë kohë

Shqipëria

Nuk regjistroi PD, Celibashi: Nuk donin që ta zgjidhnin çështjen, isha i gatshëm t’u jepja dhe më shumë kohë

Më: 14 mars 2023 Në ora: 18:52
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, pati një konferencë me gazetarët pas vendimit që dha për mos pranimin e kërkesës së grupimit “Alibeaj” për regjistrimin e PD në zgjedhjet e 14 Majit.

Celibashi u shpreh se nuk ka asgjë personale me Partinë Demokratike. Ai theksoi se do duhej që në gjykatë të pasqyrohej dorëheqja e Lulzim Bashës dhe të pranohej akti ku Enkelejd Alibeaj është caktuar të përfaqësojë ligjërisht PD-në në cilësinë e kryetarit.

Kjo është arsyeja pse Celibashi tha se u dha 48 orë, madje shtoi se ishte i gatshëm që t’u jepte edhe më shumë kohë. Komisioneri theksoi se angazhimi i tij personal ishte që situata të merrte një zgjidhje, por “këtë çështje nuk kanë dashur ta zgjidhin”.

-Në 2003 u sulmuat nga PD, po sot, prapë nga PD… Në rast se keni një ndjesi personale…

Ilirjan Celibashi: Nuk kam asgjë personale me PD, për më tepër që në raportin personal kam vërtetë shumë miq dhe shokë nga PD si dhe nga partitë e tjera. Doja ta thoja këtë në vijim të pyetjes që kam patur të gjithë angazhimin që kjo çështje të zgjidhej, por nuk kanë dashur që ta zgjidhin. Se për çfarë arsyesh, është çështje e tyre. Është e vërtetë që për zotin Basha, edhe pse duket sikur ajo thirrje i është drejtuar zotit Basha, në fakt për zotin Basha, sikurse e thashë në arsyetimin e vendimit, nuk ka asnjë lloj obligimi ligjor për të paraqitur formalisht deklaratën e dorëheqjes. Është i natyrshëm çdo qëndrim i tij pas dorëheqjes. Për këdo tjetër të interesuar, do duhej që këtë fakt ta pasqyronin në gjykatë. Do duhej ta pasqyronin në gjykatë. Vetëm kështu dhe këtë e them me bindje do të fitonin legjitimitetin të tjerë organe të PD-së për t’u sjellë si kryetari i PD-së. Për këtë arsye iu dhashë 48 orë kohë. Isha i gatshëm t’u jepja edhe më shumë kohë për të bërë këtë. Nuk e donin, tani nuk e kuptoj kush është kokëforti në këtë mes.

-Në rast Enkelejd Alibeaj, ose Lulzim Basha, pra përfaqësuesit e PD do të kishin dorëzuar brenda këtyre 48 orëve një kërkesë në gjykatë, për ta njohur me dorëheqjen e Lulzim Bashës dhe autorizimin e 3 personave dhe delegimin e kompetencave të Lulzim Bashës në gjykatë, tek këto 3 persona. Do të ishte pranuar sot regjistrimi i PD?

Ilirjan Celibashi: Nëse do të ishte bërë kjo procedurë dhe me siguri gjykata, jam i bindur për këtë, në këtë rrethanë ligjore do të kishte bërë pranimin e kërkesës për t’u depozituar akti sipas të cilit zoti Enkelejd Alibeaj është caktuar që të përfaqësojë ligjërisht PD-në në cilësinë  e kryetarit, duke qenë nënkryetar. Nëse 48 orë nuk mjaftonin kam qenë i gatshëm t’i jap edhe më shumë kohë, por nuk e kanë preferuar që ta kenë këtë kështu që nuk është çështje e vendimit tim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat