Çështja “Becchetti”/ Kreu i Konfindustria: Shqipëria nuk mund të dalë nga “Arbitrazhi”! Kritikat e Dhomave të Tregtisë kundër qeverisë nuk janë risi

Shqipëria

Çështja “Becchetti”/ Kreu i Konfindustria: Shqipëria nuk mund të dalë nga “Arbitrazhi”! Kritikat e Dhomave të Tregtisë kundër qeverisë nuk janë risi

Më: 13 prill 2023 Në ora: 19:17
Kreu i Konfindustria Gjergj Buxhuku

Kreu i Konfindustria Gjergj Buxhuku u shpreh se kritikat e Dhomave të Tregtisë ndaj qeverisë nuk janë risi.

Komentet ai i bëri në një intervistë në News24 ku deklaroi se korrupsioni në vendin tonë ka marrë përmasa të mëdha.

Ai shtoi se një problem shumë i madh është kur ligji favorizon grupe të caktuara klienteliste, duke mos u treguar i barabartë me të gjithë.

Ndërsa përsa i përket çështjes Becchetti, Buxhuku tha se qeveria duhet të marrë përgjegjësi politike dhe individuale për 110 milion eurot që duhet t’i paguajë biznesmenit.

Përsa i përket deklaratave të Ramës për të dalë nga “Arbitrazhi”, Buxhuku tha se Shqipëria nuk mund të dalë nga Arbitrazhi, ndërsa theksoi se qeveria shqiptare tashmë duhet të bëjë gati pagesën e radhës.

“Procesi i zhvillimit gjithmonë ka problematikat e tij. Po bëhemi 3 dekada nga momenti i fillimit të ndërtimit të tregut të lirë në Shqipëri. Situata ekonomike nuk është e mirë dhe ka nevojë për ndryshime të forta të politikave ekonomike të ekzekutivit. Po bëhen 10 vite që kemi të njëjtën forcë politike në pushtet dhe siç duket është një moment deçiziv dhe Dhomat e huaja dhanë alarmin.

Duhet që në këtë momente përfaqësuesit e biznesit të jenë konkretë në propozimet dhe mund të kontribuojmë të gjithë bashkë për të përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri.  Mendoj që problematikat  ekonomisë shqiptare janë shumë më të thella, në shikim të parë do të thoja se jemi një ekonomi që pretendojmë që jemi në një treg të lirë, por janë tregje të kapura, të mbyllura. Prania e monopoleve dhe e tregjeve të mbyllura në ekonominë shqiptar duhet luftuar. Duhet rritur mënyra e investimit, duhen ndaluar me çdo kusht kontrabandatat.

Rasti i Becchettit tregon se dëmi është edhe më i madh për imazhin e shtetit Shqiptar. Fillimisht jep idenë e një shteti që shkel të drejtat e sipërmarrësve, ul fuqinë konkurruese për të thithur investime, dhe kjo është një kosto tjetër e madhe financiare. Unë nuk besoj se Shqipëria do të dalë nga juridiksioni nga Gjykata e Arbitrazhit. Edhe sikur të dojë të dalë, në kushtet ku jemi ne, e bëjnë të pamundur për një politikan shqiptarë apo forcë politike që ta largojë Shqipërinë nga Arbitrazhi.

Këshilloj qeverinë shqiptare që të përgatisë pagesën e radhës dhe mbi të gjitha të nxjerrë përgjegjësit. Të marrë përgjegjësinë edhe politike, por edhe individuale. Theksoj se duhet të heqin dorë nga krijimi i rasteve të tjera të ngjashme si me rastin Becchetti, të cilat shteti shqiptar të penalizohet nga Gjykata Ndërkombëtare”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat