Zgjedhjet e 14 majit, Erl Murati: Opozita ka shanse të mira në Elbasan dhe Durrës, Boçi e Cara janë njerëz me integritet

Shqipëria

Zgjedhjet e 14 majit, Erl Murati: Opozita ka shanse të mira në Elbasan dhe Durrës, Boçi e Cara janë njerëz me integritet

Më: 18 prill 2023 Në ora: 18:22
Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare, Erl Murati

Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare, Erl Murati, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, foli për çeljen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit.

Murati tha se koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka shanse të mira për të fituar në Durrës dhe Elbasan, pasi kandidatët e tyre janë njerëz me integritet që kanë mbështetje nga të gjithë. Ai tha se kandidatët e dalë nga Primaret, Luçiano Boçi dhe Igli Cara janë njerëz që kanë mbështetje përtej militantëve të PD.

“Primaret ishin pjesa më pozitive që ka ndodhur në opozitë. Kandidatët ishin pjesë e një procesi dhe kjo është e reflektuar te entuziazmi. Në Elbasan dhe në Durrës, ka njerëz me integritet të pa përfolur. Boçi dhe Cara janë njerëz që kanë mbështetje përtej militantëve të PD. Janë njerëz që banorët e zonave mendojnë se janë të denjë për të qenë në krye të bashkive të tyre. Përveç Bashkisë së Shkodrës, opozita duket se do e mbajë këtë kështjellë. Vota është amanet për ta. Për mua duhet të shihet programi dhe kandidati. Nuk është e thënë që të votosh logon e partisë”, tha Murati.

Sakaq Murati u ndal te çelja e fushatës elektorale të Partisë Socialiste, ku tha se e ka hapur fushatën me këngë tallava dhe mbjellje pemësh, teksa shtoi se është në avantazh, pasi ka burimet njerëzore dhe ato financiare.

“Nuk është e vështirë për të kuptuar se kemi propagandë dhe sipërfaqe. Patjetër që ka pak përmbajtje dhe fasadë. Partia në pushtete e ka kaluar në nivel më të lartë. Me këngë tallava dhe mbjellje peme. Barra më e rëndë i bie opozitës. Partia në pushtet është e avantazhuar pasi ka burimet njerëzorë dhe paratë, ndërsa opozita e nis me disa hapa pas. Duhet të krijojë një frymë, të paraqesë një ekip me njerëz të besueshëm dhe të ketë një platformë elektorale e mezi pritur. Opozita i ka këto tre elementë por të pakta.
Për sa i përket frymës, është e vështirë pasi janë të përçarë. Fakti që shkojmë me dy PD, nuk mund të flasim për frymë defacto. Palët në një farë mënyrë janë të ndara. Nga ana tjetër opozita ka avantazhin e dyshimit. Kur gjërat janë keq, nuk mund të shkojë më shumë se kaq. Nga pikëpamja politike, është e vështirë që t’i faturosh problemet, si p.sh çmimet e larta dhe inflacioni. Nuk mund të themi që pika e dobët e opozitës janë kandidatët e saj. Opozita po vijon të bëjë një fushatë negative, pra që sulmon pushtetin dhe keqqeverisjen. Por në përgjithësi ia kanë dalë që të bëjnë disa premtime konkrete”,
shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat