Falet namazi i Fiter Bajramit në të gjithë vendin, mesazhe paqeje dhe dashurie. Ja kremtimet në disa qytete

Shqipëria

Falet namazi i Fiter Bajramit në të gjithë vendin, mesazhe paqeje dhe dashurie. Ja kremtimet në disa qytete

Më: 21 prill 2023 Në ora: 08:17
Myslimanët

Myslimanët kudo në botë festojnë sot fillimin e Fitër Bajramit, një festë që shënon fundin e muajit të shenjtë të agjërimit mysliman të Ramazanit.

Fitër Bajrami treditor, një nga dy festat kryesore të Islamit është shënuar me faljen e namazit në të gjithë qytetet e fshatrat e Shqipërisë ku ka besimtarë myslimanë, të cilët kanë shkëmbyer mesazhe paqeje. Ja si u kremtua mëngjesin e sotëm në disa qytete.

ELBASAN

Në të gjitha Xhamitë e bashkive të Qarkut të Elbasanit u zhvillua falja e Fiter Bajramit. Ndërsa në Bulevardin kryesor të këtij qyteti u mblodhën të paktën 3 .500 besimtare e besimtarë të grupmoshave të ndryshme me rastin e faljes së Fiter Bajramit. Myftiu i Elbasanit, Agim Duka u uroi festën të gjithë besimtarëve duke shpresuar se e ardhmja do të jetë edhe më e mirë. “E lusim Zotin e Lartësuar që të jemi më të mirë, më të dobishëm dhe më kontribuues”, u tha Myftiu Duka gjatë ligjëratës së tij para besimtarëve që kryen faljen e Fiter Bajramit në sheshin para Kalasë së Elbasanit.

“Ky muaj ka qenë edhe muaji i lutjeve tona për të gjithë myslimanët në botë për integritetin e tyre fizik dhe shpirtëror.

Lutjet tona kanë qenë edhe do të jenë për të gjithë njerëzimin për paqe, qetësi shëndet dhe begati. Urojmë që si kjo Ditë e Shenjtë sikurse është Fiter Bajrami të jetë çdo ditë për të gjithë elbasanasit dhe shqiptarët kudo ata ndodhen”.

Ndërkohë që Myftiu, Ylli Gurra bëri bashkë në Librazhd, në Iftarin e fundit të gjithë aktorët e politikës lokale dhe ata të bashkësive fetare në Iftarin e fundit ku u dhanë mesazhe mjaft të vlefshme për të gjithë shoqërinë shqiptare, ku ishin të pranishëm edhe dy kandidatet për Kryetar Bashkie, ai i PS, Mariglen Disha dhe Shefki Çota i “Bashkë fitojmë”. Ata përcollën mesazhe respekti dhe shtrënguan duart mes njëri -tjetrit pavarësisht rivalitetit politik të fushatës së 14 majit. Dy rivalët në garë për postin e kryebashkiakut të Librazhdit dhanë një mesazh të shkëlqyer për politikën shqiptare në Darkën e Iftarit duke shtrënguar duart dhe duke premtuar fushatë sa më dinjitoze.

FIER

Pas agjërimit të muajit të Ramazanit, besimtarët myslimanë në Fier kanë festuar sot festën e Fitër Bajramit.

Që në orët e para të mëngjesit besimtarët kanë falur Namazin ne xhaminë e qytetit të Fierit, ndërsa kreu e Myftinisë Fier Mikel Hazizolli ka përcjellë urimet për mirësi dhe harmoni.

Namazi u fal ne orën 06:40 minuta, ndërsa është vënë re prani e madhe e besimtarëve.

Mesazhet për më shumë paqe dhe respekt ndaj njeri-tjetrit ishin kryefjala e kësaj feste, ndër më të rëndësishmet në kalendarin e fesë Islame.

DURRËS

Edhe në Durrës besimtarët myslimanë falën namazin e Fiter Bajramit në sheshin pranë xhamisë. Burra, gra e të rinj janë mbledhur për ritualin fetar pas muajit të madhërueshëm të Ramazanit. Ata kanë shkëmbyer mesazhe paqeje e dashurie me njeri-tjetrin.

LUSHNJË

Besimtarët myslimanë në Lushnjë kanë falur namazin e Fiter Bajramit në sheshin kryesor të qytetit. Pas agjërimit një mujor besimtarët tejet të shumtë në numër janë falur këtë mëngjes teksa faljen e drejtoi imami i xhamisë Lushnje ndërsa pas faljes fjalën përshëndetëse e mbajti myftiu i Lushnjës Gramos Blliku.

KORÇË

Në qytetin e Korçës, pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, qindra besimtare myslimanë mëngjesin e sotëm, u mblodhën për të falur namazin e festës së shenjtë të Fitër Bajramit.

Ceremonia ka nisur rreth orës 06:40 minuta në sheshin e xhamisë Iljaz Bej Mirahori ndërsa riti i faljes së Fiter Bajramit u drejtua nga myftiu i Korcës Ledian Cikalleshi i cili në këtë ditë të shenjtë uroi të gjithë besimtarët.

Pas faljes besimtarët uruan njëri-tjetrin për sa më shumë mbarësi, begati dhe shpresa në familjet e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat