Shqipëri-Kroaci, bashkëpunim mes prokurorive në luftën ndaj kriminalitetit

Shqipëria

Shqipëri-Kroaci, bashkëpunim mes prokurorive në luftën ndaj kriminalitetit

Më: 26 prill 2023 Në ora: 19:40
Foto nga vendngjarja

Me ftesë të Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, Prokurorja e Përgjithshme e Kroacisë, Zlata Hrvoj-Šipek, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, e shoqëruar nga Snježana Frković, zëvendësprokurore e Përgjithshme si dhe Tonći Petković, zëvendësprokuror i Shtetit në Zagreb.

Në qendër të takimit mes palëve, ishte bashkëpunimi mes dy prokurorive në luftën ndaj kriminalitetit, me fokus të veçantë ndaj krimit kibernetik dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

Dy prokuroritë kanë nënshkruar në vitin 2007 një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në luftën kundër krimit transnacional dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

Të dhënat tregojnë për një nivel të lartë të dhënies së ndihmës juridike në fushën penale mes dy vendeve, ku vetëm në 3 vitet e fundit janë dërguar reciprokisht 48 letërporosi dhe janë kryer 4 ekstradime.

Gjatë vizitës zyrtare, Prokurorja e Përgjithshme e Kroacisë dhe delegacioni që e shoqëronte, zhvilluan takime edhe me Kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla si dhe Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat