Protestë e vakët e punëtorëve/ Kërkojnë respektimin e lejës vjetore, pagesë për orët shtesë dhe kontrata të rregullta

Shqipëria

Protestë e vakët e punëtorëve/ Kërkojnë respektimin e lejës vjetore, pagesë për orët shtesë dhe kontrata të rregullta

Më: 1 maj 2023 Në ora: 14:06
Foto nga vendi i ngjarjes

Në Ditën Ndërkombëtare të Punës, një grup qytetarësh në Tiranë zgjodhën të protestojnë.

Të organizuar nga sindikata të ndryshme, ata ngritën zërin për më shumë të drejta në punë, duke përfshirë respektimin e lejes vjetore, pagesë për orët shtesë dhe për punën në ditë festash si edhe për t’i stop informalitetit me pagat.

“Pjesa më e madhe e miqve të mi bëjnë punë sezonale, janë pa kontroll dhe pa kontrata. Pagat janë krejtësisht minimale dhe është shumë e vështirë të përballosh jetesën. Në këtë ditë është mëse e nevojshme të flasim për të drejtat tona në punë.”

Jam këtu për të reaguar për veten, por edhe për të gjithë punëtorët që keqpaguhen, shfrytëzohen. Jam përfaqësues i një organizate për punëtorët e pastrimit, për të kërkuar të drejtat e një page minimale, për të marrë lejen mjekësore, për të pasur lejen vjetore dhe një pagë dinjitoze. Shumica nuk kanë një kontratë pune, kjo pasohet nga mospagesa e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, nuk marrin lejet dhe nuk mund të pushojnë dot asnjë ditë edhe kur janë sëmurë, nuk marrin leje vjetore.

Pjesëmarrja ishte e ulët, por sipas protestuesve, kjo ndodh edhe për shkak të presionit që punëdhënësit ushtrojnë tek punëtorët e tyre.

 “Jam sot për të protestuar për të drejtat tona në fasoneri, jam punëtore prej 33 vitesh, nuk na njihet asnjë e drejtë. Nëse e hap zërin, të vihen nga pas, nuk të lënë të punosh. Janë të frikësuar, janë të lodhur, të rraskapitur, por nga e keqja që të mos dalin nga vendi i punës ku janë, janë atje ku janë sot. Ditët e festave nuk i kemi pushim, pagat ekstra nuk na i japin. 8 vite nuk më janë paguar siguracionet. Kam bërë punë jashtë orarit.”

Presionet e vazhdueshme në punë i ndalojnë njerëzit të dalin fizikisht për të protestuar për të drejtat e tyre.”

Për Edison Hoxhën, që drejton Qendrën për të Drejtat në Punë, problem në ditët e sotme mbeten edhe aksidentet që ndodhin në punë, si edhe informaliteti në paga.

Vëmendja duhet të jetë si për punësimin, ashtu edhe për standardet e punës. Ne jemi në një situatë ku punëtorët vazhdojnë të shfrytëzohen, nuk i përfitojnë të drejtat që kanë. Në vitin 2022 e dini sesa punonjës kanë humbur jetën në vendin e punës? Janë 31 punonjës. Kjo është e tepërt dhe nuk duhet të vazhdojë më. Informaliteti në vendin e punës është dyfishuar gjatë 2022, nga 1.500 punonjës, janë gjetur 3.000 punonjës pa kontratë pune. Fenomeni i dhënies së pagave pjesërisht jashtë bankave, duhet të ndalohet menjëherë.

Thirrja që protestuesit bënë për qeverinë është që të ketë kontrolle më të shtuara, për të ndaluar informalitetin dhe për të garantuar zbatimin e kontratave për çdo punonjës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat