Bejko: Rimbursim 100% të kredive për strehim të grave kryefamiljare, fëmijët jetimë fokusi ynë

Shqipëria

Bejko: Rimbursim 100% të kredive për strehim të grave kryefamiljare, fëmijët jetimë fokusi ynë

Më: 1 maj 2023 Në ora: 17:56
Roland Bejko

Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën, Roland Bejko, ka premtuar se nëse merr pushtetin do të fokusojë vëmendjen ndaj grave kryefamiljare dhe fëmijëve jetimë.

Në një takim me gra dhe vajza të Tiranës, Bejko theksoi se programi i tij parashikon rimbursim të kredive për strehim të grave kryefamiljare si një nevojë jetike që shteti duhet të garantojë.

Do ta kemi prioritet që nënat kryefamiljare, të cilat kanë gjithë peshën e familjes, nënat e fëmijëve jetim, apo të divorcuara do t’i kemi në fokusin tonë. Do t’i trajtojmë ato me dinjitet. Do ti japim kredi, 100% do ua rimbursojë bashkia kredinë për strehimin. Do të jenë në listën prioritare për të marrë apartament, banesën, që është absolutisht jetike. Ne do u marrim, firmave të ndërtimit bashkia edhe sot e ka me ligj që do u marrë 3%. Mirëpo bashkia e merr në para të gjithë, nuk e merr në objekt. Ne do ta marrim një pjesë në para, një pjesë në objekt. Do ta marrim në objekt me qëllim që çiftet e reja, gratë kryefamiljare, ata që s’kanë kushte për të siguruar minimumin jetik, do të strehohen në këtë shtëpi me kriteret që ka vendosur ligji. Ne duam që t’i strehojmë këto familje në këtë hyrje që ka në dispozicion bashkia”, premtoi Bejko.

Në të njëjtën kohë ai theksoi se do të ulet taksa e çmimit të banesave nga 15 në 5%, me qëllim ardhjen në ndihmë të familjeve që duan të blejnë një shtëpi.

“Nga ana tjetër, ne e dimë se cili është problemi më i madh që kanë gratë sot. Përveç rritjes së fuqisë ekonomike, është raporti mes të ardhurave dhe shpenzimeve. Me të ardhura të pakta nuk kryen dot shpenzime të larta. Prandaj ne do ta çlirojmë ekonominë kriminale në bashki, do ta çlirojmë tregun dhe duam që të ulim taksën që është nga 15% do ta zbresim në 5% me qëllim që të bie çmimi i banesave. Vetvetiu do të bie ndoshta edhe çmimi i qirave. Siç e keni vënë re qiratë kanë shkuar në stratosferë, shumë të larta për të ardhurat mesatare për frymë që ka Shqipëria në raport me rajonin”, tha ai.

Sipas Bejkos, do të ndërtohen institucione arsimore sa më pranë zonave të banuara, ku çdo familje të mund t’i aksesojë në një hark kohor prej 3 minutash. Po ashtu, Bejko tregoi dhe mënyrën si do të mund të financojë premtimet e bëra.

Ka nevojë për çerdhe kopshte shkolla. Në çdo lagje do të ketë të tilla. Do të ndërtohen të tilla që do jenë 15 minuta larg familjes. Pra, çdo shtëpi do ta ketë kopshtin, çerdhen në shkollë vetëm 15 minuta larg. Është kriter, e ka vënë BE. Ku do ti gjejmë paratë? Paratë aty janë. Po të mos i çosh 10 mln euro për inceneratorin që nuk punon, por t’i bësh kopshte, çerdhe ia del. 15 minuta larg kopshti çerdhja dhe shkolla do ta lehtësojnë shumë nënën, se nëna merret kryesisht me kalamajtë akoma në këtë shoqëri patriarkale, por edhe babin tek e fundit ai që merret me këto punë në mëngjes, ti çojnë kalamajtë e tyre shpejt në shkollë, të mos futen në trafikun e dendur të Tiranës, dhe prej andej pasdite kur lënë punën dhe ta kenë kollaj që t’i marrin aty në lagje dhe të shkojnë në shtëpi. Dua që në kopshtet, shkollat dhe çerdhet të respektohet kriteri i hapësirës i vënë nga BE, jo më shumë se 20 nxënës për klasë dhe jo shkolla me dy ose tre turne. Po kështu edhe për ambulancat, do të jenë 15 minuta larg banesës së qytetarit”, tha Bejko.

Kandidati i PD për Tiranën ka vënë theksin herë pas herë tek ulja e taksve duke theksuar se kjo politikë përshtatet dhe me forcën që ai përfaqëson.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat